Opinion

Njihuni me fshatin ku serbët e quajnë veten shqiptarë

Në pamje të parë, fshati Berkovë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Shtëpi dhe ferma të vogla që shtrihen nëpër kodrat e Kosovës, ndërkohë që në sfond qëndrojnë plot krenari male të larta, dimrit të mbuluara me dëborë. Një rrugë e ngushtë kalon mes fshatit, por shumica e makinave nuk ndalen. Nuk ka dyqane, restorante, as kisha të vjetra apo xhami, asgjë për të tërhequr vëmendjen e udhëtarëve. E megjithatë, 10 vjet më parë, ky vend në dukje i parëndësishëm, u bë dëshmitar i një ngjarjeje të rrallë: bashkëjetesës së serbëve dhe shqiptarëve.

Ishte viti 2008, viti kur Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia. Ky akt sfidues, i mirëpritur dhe i inkurajuar nga shumica e vendeve perëndimore, mblodhi turma të shumta që festonin në rrugët e Prishtinës. Por në kryeqytetin serb reagimi ishte shumë i ndryshëm. Turmat dolën në zemërim nëpër rrugë dhe i vunë zjarrin Ambasadës Amerikane. Pakicat serbe që jetonin në Kosovë e panë pavarësinë me dyshim dhe armiqësi. Ndërkohë për shqiptarët që jetonin në Serbi, pavarësia solli premtimin e një epoke të re, të lirë nga shtypja serbe.

Berkova: Një eksperiment për bashkëjetesën etnike'

Në vitin 2008, një numër i vogël familjesh serbe sapo ishin kthyer në fshatin e  Berkovës. Ai ishte një nga pak fshatrat në Kosovë ku serbët dhe shqiptarët u detyruan të jetonin krah për krah. Për OKB-në, Berkova është një eksperiment për bashkëjetesën etnike, për të cilën askush nuk jepte garanci se do të kishte sukses. Gati dhjetë vite pas pavarësisë, një gazetar i “Al Jazeera” vendosi të rikthehej në Berkovë për të parë se çfarë kishte ndodhur me fshatin e vogël që vizitoi vite më parë. Barnabi Filips donte të dinte si ishin Savo dhe Lubinka, një çifti serb që ishte përpjekur të rindërtonte jetën e tyre në fshat, pas shpalljes së pavarësisë. Ai shkruan se kur i kishte takuar për herë të parë ë vitin 2008, ata ishin treguar të sjellshëm me të, edhe pse si gazetar nga Perëndimi, e shikonin me një fije mosbesimi. Fqinjët e tij shqiptarë, Lushi dhe Prena, në të kundërt, e kishin mirëpritur gjithnjë me tavolinën plot. Gazetari u kthye në Berkovë gjatë një dite të ftohtë, ku e gjeti gjithçka të mbuluar nga dëbora. Por kur arriti në rrugicën e shtëpisë së Savos u përball me një pamje shumë më ndryshe nga ajo që mbante mend. Shtëpia ishte e rrethuar nga muret, një garazh i ri dhe një hambar për lopët. Savo dhe Lubinka me ishin të ngrohtë se 10 vite më parë, me sa duket të kënaqur që e takonin.

"Ne ishim duke filluar sërish nga zeroja në vitin 2008," tha Savo. "Kjo nuk është e lehtë kur je 50 vjeç. por jeta vazhdon. Kemi kuptuar se mund të ecim përpara me këmbët tona", tha ai plot krenari. Brenda vilës, e priten më djathë, kafe, dhe raki kumbulle.

Berkova është një ngapak fshatrat në Kosovë ku serbët dhe shqiptarët jetonin krah për krah [Al Jazeera]

Papritur Lubinka i tha: "Unë nuk jam serbe, jam shqitare, këtu kam lindur dhe jam rritur këtu. Kur vizitoj Serbinë për dy ditë, mezi pres të kthehem këtu, në shtëpinë time".

Për Barnabin, ishte e jashtëzakonshme të shihte se ky çift, i cili kishte frikë për jetën kur mori vendimin për t'u kthyer në Kosovë një dekadë më parë, nuk ishte penduar.

"Ne nuk kemi ndonjë problem me fqinjët ... ne shkojmë në dyqane dhe në tregje së bashku. Kam udhëtuar me furgon nëpër gjithë Kosovën, nuk kam patur ndonjë problem", tha Savo. Por a do të thotë kjo se Berkovo është kthyer në një fshat multietnik dhe në një vitrinë alternative për serbët dhe shqiptarët? Gazetari shkruan se këtë nuk mund ta thotë me bindje. Komuniteti serb mbetet i vogël dhe është kryesisht i moshuar.

"Në mesin e komunitetit serb ka një vajzë e re, tetë apo nëntë vjeç, djali im që është 27 vjeç, dhe një djalë tjetër që punon si shofer furgoni, por pjesa tjetër është e moshuar, 50 vjeç ose më të vjetër. Ne do të qëndrojmë këtu për aq kohë sa jemi gjallë ", tha Savo.

"Nuk ka punë këtu për të rinjtë", shpjegoi Lubinka.

Një takim mes fqinjëve në Berkovë

Zhgënjimi

Pas vizitës në famlijen serbe, gazetari u nis për në shtëpinë e Lushit dhe Prenës, por gjendja shpirtërore nuk ishte ashtu si e priste. Edhe pse në familjen shqiptare pavarësia ishte pritur 10 vite më parë, me festime të mëdha, Barnabi ndjeu se ata kishin pakënaqësi të mëdha.

"Ne menduam se gjërat do të ndryshonin, por nuk shkuan si e parashikuam. Liderët tanë mendojnë vetëm për vete, tani janë bërë miliarderë por ne na kanë lënë të jetojmë në mjerim", thotë Lushi. Ai ankohet se si ai asht dhe i biri ishin të papunë dhe nuk kishin traktorë për të punuar token. Dy vajzat e tij jetojnë në Europën Perëndimore dhe i dërgojnë të gjitha kursimet prindërve në Kosovë.

“Është një situatë poshtëruese”, shprehet Lushi.

Edhe Prena ishte e mërzitur. "Ata i kanë trajtuar serbët më mirë se ne, qeveria jonë u ka dhënë atyre traktorë dhe plugje, ata marrin përfitime sociale, si nga Kosova ashtu dhe Serbia", thotë ajo.

Bashkëjetesa

Marrëdhëniet mes dy familjeve ishin të ngrohta. Sigurisht, një dekadë më parë nuk kishte ndonjë miqësi të madhe, edhe pse të dyja palët e përsëritën vendosmërinë e tyre për të jetuar në paqe dhe për të shmangur konfliktet. Në këtë drejtim, Berkova është bërë një shembull bashkëjetese për Shqipërinë e Kosovën. Edhe pse për Prishtinën dhe Beogradin zyrtar mund të duket e pamundur, serbët dhe shqiptarët në këtë fshat jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.

"Ata kanë jetën e tyre, ne kemi tonën", thotë Prena.

Ndoshta në dimri i ftohtë nuk ishin koha më e mirë për t'u kthyer dhe për të gjetur fidanet pranverore të një Kosove të re. Por gazetari kishte gjetur dy familje që kishin rënë dakort ta ndanin këtë tokë dhe të jetonin në paqe, krah njëra-tjetrës./Al Jazeera/


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë