Jete & Stil

Njerëzit tani janë të ezauruar nga njohjet në internet por përsëri nuk i ndërpresin

Prezantimi, biseda, takimi, pëlqimi dhe çdo gjë që përfshin njohjen në internet është kthyer në një stres për beqarët në kërkim të dashurisë.

“Ezaurimi në aplikacionet e takimeve” është një fenomen i përhapur në botën e takimeve të bazuar në aplikacione. Njerëzit tani janë lodhur nga koha që shpenzojnë duke kërkuar dhe biseduar me njerëz në internet, krahasuar me kohën që kalojnë në të vërtetë duke shkuar në takime.

Megjithatë, këto ditë, beqarët janë shumë të përfshirë në botën e takimeve në internet edhe pse shumë e dinë se është punë e vështirë dhe potencialisht zhgënjyese. Sipas një studimi të vitit 2019, takimet në internet janë bërë një mënyrë shumë më e mundshme për të takuar një partner sesa një takim i rastësishëm.

Megjithatë, kjo ka një ‘taksë’ për të paguar. Një sondazh i fundit nga aplikacioni i takimeve në Mbretërinë e Bashkuar Badoo tregoi se më shumë se tre të katërtat e beqarëve ndiheshin të ezauruar nga ndërveprimet e pakuptimta dhe njohjet e papërshtatshme nga platformat dhe aplikacionet. Hulumtimet nga aplikacioni Hinge zbuluan gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve të saj (61%) ishin të mbingarkuar nga procesi modern i takimeve dhe një studim i prillit 2022 në SHBA tregoi se katër në pesë të rritur "përjetuan një farë shkalle lodhjeje emocionale ose ezuarimi nga takimet në internet".

Megjithatë, njerëzit vazhdojnë të përdorin aplikacione takimesh për të gjetur partnerë të mundshëm. Duket se pavarësisht se sa e keqe bëhet përvoja, këto aplikacione mbeten një nga mënyrat më të lehta për të takuar njerëz në mënyrë romantike në një botë që po lëviz gjithnjë e më shumë në internet. Nëse njerëzit do të qëndrojnë në këto aplikacione për të gjetur shpirtin binjak, a ka mënyra për të zbutur ezaurimin?

“Thjesht, ezaurimi nga aplikacionet për takime i referohet rraskapitjes që vjen nga përdorimi i zgjatur i aplikacionit”, thotë Nora Padison, këshilltare profesionale.

Ka disa shenja themelore të kësaj lodhjeje: kur një përdorues lidh ndjenjat negative me përdorimin e aplikacioneve për takime, kur akti i përdorimit të aplikacionit dhe procesi i takimit që pason i lodh ato dhe kur ndihet si "një punë e dytë", thotë Padison, e cila ka udhëhequr dy "grupe mbështetëse moderne të takimeve" për të rriturit e moshës 25 deri në 35 vjeç.

Sipas hulumtimit nga Leah LeFebvre, pedagoge e studimeve të komunikimit në Universitetin e Alabama, më shumë se gjysma e 395 përdoruesve të Tinder që ajo anketoi në 2017 e kishin fshirë aplikacionin disa herë. Në gati 40% të atyre rasteve, ishte për shkak se përdoruesi kishte filluar një marrëdhënie. Por 35% e pjesëmarrësve thanë se hoqën qafe aplikacionin sepse "ndiheshin të pasuksesshëm". Kjo do të thoshte se ata ose nuk kishin "asnjë përgjigje, asnjë partner të mundshëm ose kishin përvoja negative", shkroi. Disa thjesht u "mërzitën" ose "u lodhën" duke përdorur aplikacionin e të tjerët e panë atë "të pakuptimtë". Të gjitha këto janë shenjat e ezaurimit të aplikacioneve për takime.

Një sondazh nga platforma e takimeve Plenty of Fish nga viti 2016 zbuloi se mes 800 personave që kishin njohur dikë në internet, 80% prej tyre ishin ‘fantazma’ gjatë procesit të takimit. Me ekranin që ndërmjetëson ndërveprimet person-me-person, është më e lehtë për njerëzit që të mos i shohin ata me të cilët po komunikojnë dhe ata pothuajse bëhen personazhe në lojën e takimeve në internet. Gratë në veçanti gjithashtu përballen me peshën e ngacmimit, me 44% të përdoruesve femra nën 35 vjeç që quhen me emra fyes dhe 19% përballen me kërcënime, sipas Qendrës Kërkimore Pew.

Siç thotë Joanne Orlando, studiuese në Australi, e fokusuar në mirëqenien dixhitale, "Unë mendoj se njerëzit janë më shpesh duke kaluar kohën me internetin", duke sugjeruar që jo të gjithë njerëzit që përdorin rrjetet sociale janë aty për të gjetur me zell një takim. Edhe ata që janë të tillë mund të jenë mizorë ndaj përdoruesve të tjerë, qoftë me dashje ose sepse është punë e vështirë t'i trajtosh të gjithë me nivele të barabarta dhe adekuate njerëzimi. Trajtimi i përsëritur negativ në internet mund të kontribuojë në ndjenjën e negativitetit dhe ezaurimit së njerëzve ndaj këtyre aplikacioneve.

Orlando shpjegon se njerëzit shajnë dhe fyejnë të tjerët në rrjetet sociale dhe aplikacione sepse janë të ezauruar nga refuzimi.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë