Jete & Stil

Një stil ndryshe veshjeje, burim stresi dhe bullizmi në Shqipëri

Fotografi ilustruese e një vajze veshur me të zeza, stil Emo

Të vishesh ndryshe tërheq vëmendjen. Por në Shqipëri ndoshta të veshurit ndryshe, mund të të kushtojë.

Pyetur nga Gazetasi.al, të rinj të ndryshëm tregojnë se ka pasur raste që janë bullizuar, sharë apo edhe larguar nga një rreth shoqëror vetëm sepse veshja e tyre ka qenë ndryshe.

“Më pëlqen të vishem me të zeza, të lyhem shumë dhe të kem një stil Emo. Kjo dëshirë ka pasur edhe një anë negative, largimin e shoqërisë. Ato e lidhin këtë stil veshje me një person që ka probleme me personalitetin”, tregon S. R, një 23-vjeçare.

Ajo thotë se ka vetëm dy vite që ka zgjedhur të vishet në këtë mënyrë. E zeza nuk mungon, as zinxhirët në qafë, duar apo bel në vend të rripit. Flokët i ka në periudha të ndryshme, ngjyra të ndryshme. I ka lyer ngjyrë kaf, të zeza, jeshile dhe të kuqe. Buzët i lyen në shumicën e kohës të zeza apo vishnje. Nuk mungon as peneli i rëndë...

Të gjitha këto janë parë si një problem për shoqërinë e saj që i njihte prej disa vitesh të cilët në momentin që filluan të vinin re ndryshimet e saj, u larguan. Tani S.R ka një rreth shoqëror të vogël por që kanë të gjithë dy të përbashkëta, ndoshta dhe arsyeja çfarë i bashkon: stili i veshjes dhe paragjykimi i të tjerëve.

E pyetur se pse zgjodhi një stil të tillë veshje, 23 vjeçarja thotë se ndoshta ka të bëjë edhe me momente jo të mira të jetës së saj. Ajo e pranon që në fillim e nisi thjeshtë si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e familjes së saj.

“Prindërit e mi kishin shumë probleme dhe në shtëpinë time vetëm dëgjoje të bërtitura. Ato kishin harruar se kanë një vajzë. Veshja ishte ndoshta mënyra ime për të treguar prezencën time”.

Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se veshja është komunikim, tregon tipare të personalitetit.

“Sidomos gjatë adoleshencës, është më e dukshme dëshira për të pasur pavarësi në zgjedhjen e veshjes si dhe eksplorim”.

Simo thotë se adoleshentët dhe të rinjtë nxiten nga tendenca e modës ku në mënyrë indirekte përmbahen brenda disa kufijve. Kjo do të thotë që adoleshentët dhe të rinjtë kanë deri diku një stil veshje. “Dalja nga kjo tendencë i rrezikon ata drejt bullizimit apo përjashtimit nga masa e shoqërisë”.

23 vjeçarja tregon se grupi i saj shoqëror prej 6 personash kanë gati të njëjtën histori. Të gjithë kanë mbetur vetëm në momentin që kanë zgjedhur të kenë një stil veshje ndryshe. Nga shoqëritë e tyre, ato janë parë si persona që kanë probleme.

Simo thotë se gjatë punës së saj me adoleshentë dhe të rinj, ka kuptuar që uniforma shkollore nuk është e dëshirueshme për ta. Shumica do të preferonin të ishin ata vendimmarrës për veshjen e tyre. Deri diku iu pëlqen barazia, por jo në veshje. Ka dhe nga ata adoleshentë të cilët e shohin të arsyeshme uniformën për të qenë sa më larg diskriminimeve që mund të lindin për shkak të përzgjedhjes së një veshje. Në këtë mënyrë  nuk do të stresoheshin se si do duken çdo ditë para shoqërisë.

Po, të vishesh ndryshe është një stres, përveç se stil.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë