Kinema

Një nga filmat më epikë, është një adaptim 7 orësh i “Lufta dhe Paqja” 

Kritikët e mirë i shmangin hiperbolat si rregull dhe shpallja e  një filmi të vetëm si më i miri i bërë ndonjëherë,  i bën profesionistët të tingëllojnë si adoleshentë që sapo kanë parë sefte “Citizen Kane”. Dhe disa lexues të zellshëm, janë fajtorë që i kanë parë shkrimet e Leo Tolstoit si një detyrë thelbësore për t’u përmbushur. Thënë këtë, në çdo diskutim serioz, mendjekthjellët,  rreth asaj që mund të përzgjidhej si shembull i arritjes më të madhe të aftësive të kinemasë,  “Lufta dhe Paqja”, adaptimi jo shumë i shfaqur i Sergei Bondarchuk-ut, do duhet të ishte në tavolinë. Historia e prodhimit; ajo e një burri që nuk lë gurë pa lëvizur për të realizuar vizionin e tij madhështor, trazon mendjet edhe sot e  kësaj dite. Adaptimi vendosi një standard të ri për “eposin”, duke mbërthyer të gjithë pasionin dhe tragjedinë e ndeshjes së Napoleonit kundër aristokracisë ruse, në kohëzgjatjen e tij prej shtatë orësh.

Kushdo që dëgjon “431 minuta Lufta dhe Paqja” imagjinon një ekspozitë muzeu, që e heq veten si një film. Legjenda e filmit ‘më të gjerë se jeta’, nis më 1961-shin, kur Bondarchuk përftoi buxhetin më të madh që Bashkimit Sovjetik kishte parë ndonjëherë për një film. I nxjerrë me katër pjesë më 1966-ën dhe 1967-ën, ishte një sukses kolosal në shfaqjen në atdhe,  si edhe një sensacion botëror duke u transmetuar  në një speciale katër netësh në rrjetin televiziv ABC, më 1972-shin,  pasi kishte vendosur rekordin më të lartë të çmimit të biletës, prej 7.50 dollarësh – ekuivalentja  e 56.52 dollarëve në ditët e sotme – gjatë ekranizimeve në kinema të një versioni prej gjashtë orësh,  në ShBA. “Oscar”-i i vitit 1966 për Filmin më të mirë në gjuhë të huaj ishte vetëm një pendë,  në kësulën e tij.

Por, vështirësia e ruajtjes, ekranizimit dhe shpërndarjes së një vepre kaq masive, (20 bobina filmi) e bëri t’i largohej aksesit të publikut, duke pritur ndonjë repertor rasti të ndonjë kopjeje të ruajtur keq. Deri tani. Njerëzit e mirë të “Janus Films” kanë marrë përsipër një punë herkuliane për të rigjallëruar filmimin e Bondarchuk-ut dhe, më 2019-ën, do ta rikthejnë: së pari një shfaqje në Shoqatën e Filmit në Qendrën Lincoln në Nju Jork, pastaj në Los Anxhelos dhe qytete të tjerë të mëdha dhe në fund, një premierë digjitale,  në fund të vitit. Rezultati i përpjekjeve të tyre qëndron mbi kinemanë bashkëkohore, një triumf i një shkallë të pakrahasueshme që e bën të dukshme zjarrin dhe çmendurinë që del nga një vepër të letërsisë së madhe, që shumë e shohin si të padepërtueshme. Studentët e filmit, të fiksuarit pas historisë dhe kushdo tjetër që është i magjepsur prej imazhit në lëvizje, mund të çmojë forcën e romanit kur vjen me këto raporte marramendëse.

Në tablonë e gjerë, adaptimi i  “Lufta dhe Paqja” të Bondarchuk-ut,  ia detyron ekzistencën një gare ndërkombëtare. Më 1956-ën, një rimarrje e romanit të Tolstoit nga King Vidor i Hollivudit ngriti një garë, që do të linte shenjë në artin e shtatë. Versioni i Vidorit, që zgjodhi Henry Fonda-n dhe Audrey Hepburn për të mbajtur 208 minutat e tij –fitoi shumë dashuri nga Akademia, edhe pse faturat e arkëtimeve nuk përputheshin, por luajti si sukses jashtë vendit kur një version me titra më në fund e gjeti rrugën deri në kinematë ruse, më 1959-ën. E megjithatë, aparatçikët e qeverisë nuk pëlqenin të shihnin fytyrat e Fonda-s dhe Hepburn-it, që mbushnin popullin e tyre me ide rreth ekselencës perëndimore. Kështu, ministrja e Kulturës, Yekaterina Furtseva porositi një produksion të gjallë nga atdheu,  që do të mund të “tejkalonte atë italo-amerikan në meritat artistike dhe origjinalitet”, siç njoftonte letra e saj e hapur, botuar në shtypin shtetëror.

U kthye në një “çështje nderi për industrinë e kinemasë së Bashkimit Sovjetik”. Duke qenë se pozicioni i regjisorit duhej plotësuar nga ai, çka ishte një kolegj zgjedhor i zyrtarëve të Kremlinit, pushka e re Sergei Bondarchuk goditi me virtytin e të qenit më shumë i identifikuar me epokën e Krushçevit, më shumë sesa pleqtë më të përmbushur stalinistë. Ai e kuptoi se mundësia që të vjen vetëm njëherë në jetë, kishte rënë në prehrin e tij në formën e një çeku të bardhë që tërhiqte një llogari të pafundme bankare.

Duke udhëhequr valën e ndjenjës nacionaliste, ai vendosi pasurinë e vogël prej 8.29 miliona rublash për të punuar në një spektakël, që do t’i shpartallonte mbikëqyrësit e tij. Me durimin e pakët të administratës  dhe me dështimin në mendje, ai e realizoi  filmin sikur jeta të varej, me plot kuptimin, prej tij. Asnjë  kineast, në historinë e mesme, nuk i është dhënë niveli i eksesit që iu dha Bondarchuk-ut,  gjatë procesit gjashtë vjeçar të prodhimit të filmit “Lufta dhe Paqja”. Duke  pasur një shumë gjigante parash në dispozicion, Bondarchuk kishte luksin e zgjedhjes së skenaristëve më të mirë të Bashkimit Sovjetik,  për të hartuar skenarin. Ai i mbushi sheshxhirimet luksozë me shandanë, mobilie dhe relikte të tjera të shekullit të 19-të, me huazime nga më shumë se 40 muze në Bashkimin Sovjetik. Këshilltarët ushtarakë që vepronin si konsulentë të Bondarchuk-ut i dhanë mijëra e mijëra ushtarë të vërtetë,  për t’i përdorur si figurantë në skenat e betejave. Nuk është ende e qartë nëse ishte i dehur me pushtet, pasi provoi veten për rolin protagonist të Pierre Bezukhov-it.

Detaji i preferuar: Bondarchuk u tregua këmbëngulës për të përdorur racën e qenve Borzoi për një sekuencë gjuetie dhelprash, për të ruajtur traditën kombëtare, por specia fisnike ishte bërë e rrallë. Ai arriti të gjente 16 prej tyre, vetëm për të zbuluar se qentë kishin humbur instinktin e tyre të gjurmimit. Si e zgjidhi? Huazoi një tufë ujqish nga departamenti zoologjik i shtetit, mori disa zagarë nuhatjeje nga Ministria e Mbrojtjes për të gjurmuar ujqit dhe më pas dërgoi Borzoit të ndiqnin zagarët. E ndërlikuar? Po. Panevojshëm e kushtueshme? Sigurisht, por kur punon pa kufizime, kush do t’ia dijë? Plani i regjisorit për të mbërthyer masat mbështetej në tronditje dhe admirim, duke e përkulur edhe më kokëfortin e kundërshtuesve në nënshtrim,  përmes madhështisë absolute të vizionit të tij. Brenda rrjetës së pasionit mes Natasha Rostovas (Lyudmila Savelyeva), Pierre Bezukhovit (Bondarchuk) dhe Andrei Bolkonskit (Vyacheslav Tikhonov), ekipi montoi një sërë pjesësh magjepsëse në sheshxhirim, duke lartësuar veten, në mënyrë të vazhdueshme.

Ajo pjesë e gjuetisë së dhelprave, për të cilën Bondarchuk punoi aq fort,  ngjan si një vorbull psikedelike. Për finalen e madhe, Bondarchuk rikrijoi djegien e Moskës duke rrafshuar një copë të gjerë toke në një fshat, afër qytetit. Tmerri në sytë e figurantëve pranë Pierre-it, duket po aq origjinal. Thoni ç’të doni për mrekullitë e efekteve speciale, por ndonjëherë nuk ka zëvendësues për gjënë e vërtetë. Inskenimi i luftës mes forcave të Napoleonit dhe atyre ruse e bën filmin “Apocalypse Now”, të ngjajë si një tezë disertacioni. Filmimet nga ajri që shtrihen për milje vëzhgojnë gjerësinë e plotë të ushtrisë së Bondachuk-ut, duke hamendësuar një pamje me sytë e Zotit,  në mënyrë që të mund të fusë sa më shumë trupa në kuadër.

https://vimeo.com/313409257

Në tokë, përshtatjet me porosi bënë të mundur filmimet e gjurmimit, duke shkuar brenda jashtë shpimeve me bajonetë, vdekjeve të kuajve dhe serive të shpërthimeve,  për të mbërthyer të gjithë histerinë e këtyre orgjive të brutalitetit. Mund të ketë marrë pothuajse të njëjtën sasi përpjekjeje dhe resursesh,  sa për të montuar një pushtim të vërtetë nga toka. Megjithëse atij mund t’i ishte caktuar një rojtar de facto i portave kulturore, Bondarchuk gjeti plot hapësirë për të mbajtur goditjen e tij,  përmes eksperimentimit të butë formal. Skenat e dialogut ngrihen me kuptimin  e tyre të çuditshëm të artit dhe bukurisë. Edhe dëbora është filmuar me aq bukuri sa të mbrujë madhështinë në bardhësi dhe filmimi është i mbushur me ekspozim të dyfishtë,  që i paraprin mbërritjes së fjalës “trippy” në gjuhën ruse.

Në përmbyllje të segmentit të dytë të filmit, Bondarchuk luan me ritmin duke futur filmime me ndarje njësekondëshe të një shandani tingëllues, për të treguar vardisjen fillestare të Pierre-it ndaj Natashës. Një nga skenat e pashlyeshme zhvillohet gjatë një nate të zhurmshme festash të fisnikërisë,  ndërsa Bondarchuk e shpreh habinë e tyre me kinematografi agresive rrotulluese për të krijuar një tornado prej festimeve. Është lavdishëm çorientues e megjithatë është e vështirë të mos vëresh ariun e vërtetë,  që gjerb pak birrë. Dikush mund të pyeste se ç’do ariu aty, me qeniet njerëzore, por ai i Bondarchuk-ut është një film i “pse jo”-ve dhe jo “përse”-ve. Ashtu si tek “Në kërkim të Kohës së humbur” apo “Shaka e Pambarimtë” “Lufta dhe Paqja” paraprihet nga një reputacion intimidues. Me 1200 faqe dhe me qindra personazhe (shumë prej të cilëve është e vështirë t’ua mbash mend  si duhet mbiemrat), ende tremb edhe lexuesin më të përkushtuar.

Ka një thënie të vjetër në festat e koktejeve rreth tipave intelektualë që e ndajnë jetën në dy periudha: përpara dhe pasi vendosën se nuk do ta lexojnë kurrë Marcel Proust-in; është e lehtë të dorëzohesh ndaj të njëjtave kufizime  edhe me Tolstoin.  Megjithatë, Bondarchuk nuk po luante për luçiduesit e monoklave. Synimi i tij ishte jo më pak se, çdo qytetar të Rusisë  -për  të mos thënë botës – ta shihte filmin e tij, madje disa herë preferueshëm. Ai dëshironte që produkti i përfunduar të ishte pompoz, titanik, emocionalisht tronditës dhe mbi të gjitha, i shikueshëm në mënyrë obsesive. Së bashku me skenaristin Vasily Solovyov, ai shkurtoi disa nga nënsubjektet e romanit dhe punoi me filozofimin plot gjemba të historisë, duke e kthyer  në një strukturë të përtypshme episodike.

Pothuajse në të njëjtën mënyrë  që Shekspiri e ngriti veten nga shija e spektatorit të ulët, Bondarchuk e bëri veprën e tij si diçka më pranë një shikimi prestigjioz për qejf,  sesa si një objekt fisnik i kulturës së lartë. Puna e tij ka të njëjtën pikë origjine me atë ekipit restaurator të “Janus Films”. Në adaptimin e “Lufta dhe Paqja” të Bondarchuk-ut dhe tani,  në rigjallërimin e filmit, ata nuk ia heqin pluhurin një klasiku si rindezje fitili. Dalldi e pastër e të kaluarit përmes shtatë orëve mbërthyese e bën kërkimin kulturor si gjënë më të largët nga përmbushja e një detyrimi të shijes së mirë. Sikur vetëm “Uliksi” të bëhej për t’u ndjerë si “Dunkirk” në një dozë çnjerëzore steroidësh, mbase të gjithë do të ishin më pranë të qenit shumë të lexuar.

*Charles Bramesco/ VOX


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë