Nga Ben Cohen-“Politika krijon miqësi tepër të çuditshme”- thotë një shprehje e vjetër e Anglisë së epokës viktoriane. Në javët e tmerrshme që pasuan sulmin terrorist masiv të 7 tetorit nga Hamas në jug të Izraelit, kemi parë feministe radikale që të rreshtohen përkrah përdhunuesve që torturuan dhe përdhunuan gratë e reja në një festival muzikor.
Pamë edhe “aktivistë paqeje” hebrenj që rreshtoheshin sërish me terroristët, që do t’i masakronin me shumë kënaqësi ata bashkë me të gjithë të afërmit e tyre. Por kemi parë gjithashtu edhe liberalët perëndimorë që të marshojnë krah për krah me islamikët që lëshojnë në arabisht thirrje antisemite. Megjithatë, të paktën për mua, rreshtimi i një krimineli serb të luftës nga vitet 1990 përkrah vrasësve të Hamasit të viteve 2020, është më i çuditshmi por edhe më shqetësuesi nga të gjithë.
Vojislav Sheshelj, ishte themeluesi i Partisë Radikale Serbe (SRS), parti të cilën e drejton ende sot. Ai është po ashtu frymëzuesi kryesor i “Shqiponjave të Bardha”, një organizatë paraushtarake serbe, përgjegjëse për masakrat e shumta në Kroaci dhe Bosnje.
Sheshelj u shfaq për herë të parë në publik në vitet 1980, kur nacionalizmi agresiv serb në rritje të shpejtë, paralajmëroi shpërbërjen e asaj që ishte dikur Jugosllavia. Gjatë viteve 1990, kur shërbeu për një kohë si zëvendëskryeministër i Serbisë, Sheshelj luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe përshëndetjen e mizorive serbe në Kroaci dhe Bosnje.
Gjatë dekadës së parë të këtij shekulli, ai ishte i mbyllur në një qeli në burgun e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë, ku u gjykua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai u lirua në vitin 2014 pasi u diagnostikua me kancer.
U kthye në Serbi dhe u lirua në mënyrë të bujshme në Hagë, përpara se një apelim në vitin 2018 ndaj këtij vendimi, të siguronte dënimin e tij për krime kundër njerëzimit. I kontaktuar me telefon në Beograd nga një gazetar i Reuters pas shpalljes së vendimit të apelit, ai deklaroi:”Jam krenar për të gjitha krimet e mia të luftës dhe krimet kundër njerëzimit dhe jam gati t'i përsëris ato!”.
Shumica e viktimave të atyre krimeve, ishin kryesisht myslimanë laikë të Ballkanit në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, të cilët Sheshelji do t’i konsideronte me përbuzje si “pan-islamikë” dhe “turq”.
Që nga ai dënim, nuk kam pasur rast të mendoj për Sheshelj-in - sipas vlerësimit tim, një njeri vërtet i lig, që ndjente një kënaqësi të brendshme nga veprimet e tij - deri këtë javë, kur pashë një foto të tij duke pritur ambasadorin palestinez në selijnë e SRS-së në Beograd.
E pranoj se në fillim nuk e besova plotësisht, që dikush që nxiti dikur një gjenocid kundër anëtarëve të besimit mysliman, po përqafonte tani myslimanët palestinezë në Lindjen e Mesme. Në këtë proces, Sheshelj u shfaq si një antisemit.
Sërish, kjo gjë ishte disi befasuese, duke pasur parasysh se disa nga nacionalistët serbë më oportunistë, u përpoqën të fitonin simpati në Izrael edhe midis hebrenjve, duke denoncuar pushtimin brutal nazist të Serbisë, dhe më pas duke i keq-paraqitur serbët si viktima të nazistëve në të njëjtën mënyrë siç ishin edhe hebrenjtë.
Asnjë person i arsyeshëm, nuk mund të vërë në dyshim vuajtjet e kombit serb nën pushtimin nazist. Por po ashtu, asnjë person i arsyeshëm, nuk mund të shqyrtojë të dhënat historike dhe të arrijë në përfundimin se nazistët i masakruan serbët me të njëjtin përkushtim dhe të njëjtin justifikim që përdorën për shfarosjen e 6 milionë hebrenjve.
Gjatë një interviste dhënë për një gazetë nacionaliste pas takimit të tij me të dërguarin palestinez, Sheshelj (kujtojmë sërish, një njeri i dënuar për krime kundër njerëzimit) “shprehte mirëkuptimin e tij për luftën e drejtë të popullit palestinez, dhe shqetësimin e madh për gjenocidin që Izraeli po kryen ndaj palestinezëve, duke kërkuar një bazë për qëllimin e saj gjenocidal në Biblën e Dhiatës së Vjetër”.
Ky riformulim i Biblës Hebraike, si origjina e krimeve të supozuara të Izraelit, është një refren antisemit shumë i njohur. Të krishterët në Evropën mesjetare, përmendnin Zotin xheloz të Izraelit, si një kundërvënie ndaj mesazhit universal të Jezu Krishtit.
Më vonë, komunistët sovjetikë i shpallën tekstet e shenjta hebraike si mishërim të ideologjisë reaksionare të Judaizmit. Si në të gjitha refrenet antisemite, synimi i tij është të mbjellë urrejtje ndaj të gjithë hebrenjve kudo ku që jetojnë.
Po ashtu ai përdori në komentet e tij një dozë të madhe anti-amerikanizmi, duke e përshkruar Serbinë si një objektiv të imperializmit amerikan përmes të luftës që zhvilloi NATO-s për ta çliruar Kosovën në vitin 1999. I njëjti imperializëm amerikan që tani po mbështet Izraelin, nënvizoi Sheshelj.
Dhe në prononcime të tjera në media, siç ishte edhe një intervistë televizive në mesin e tetorit, Sheshelj ka përdorur të njëjtat tema. “Hamasi është mbi të gjitha një ideologji. Hamasi nuk është një organizatë terroriste, por një organizatë tipike çlirimtare që dëshiron të çlirojë territoret palestineze. Ai do lirinë për popullin palestinez dhe një shtet palestinez”- deklaroi ai.
Asnjë përbuzje ndaj myslimanëve, asnjë përmendje (sigurisht!) të rolit të tij në nxitjen e urrejtjes etnike që ndezi një gjenocid kundër tyre në Bosnj,e dhe më pas në Kosovë. Sheshelj i vitit 2023, mund të cilësohet fare mirë si një përfaqësues i regjimit iranian.
A janë Sheshelj dhe Hamasi miq të çuditshëm midis tyre? Në një farë niveli, përgjigja është po, përderisa Sheshelj ka një histori të ngjalljes së urrejtjes kundër myslimanëve, e cila do të linte pas edhe islamofobët më të tërbuar. Por historia nuk përfundon këtu.
Në thelb, Hamasi dhe Sheshelj ndajnë të njëjtin botëkuptim: urrejtje ndaj hebrenjve, urrejtje ndaj Amerikës dhe dëshirën e zjarrtë për t'i luftuar që të dyja duke përdorur çdo mjet, sado kafshëror qoftë ai. Tek sulmet terroriste të 7 tetorit, Sheshelj do të ketë njohur diçka nga vetja tek autorët e masakrave, sidomos sa i përket mënyrës se si ata i përdhosën kufomat e viktimave të tyre.
Kur në fillim të këtij muaji, pashë në konsullatën izraelite në Nju Jork videon tronditëse të realizuar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelite (IDF) mbi mizoritë e kryera nga Hamasi, m’u kujtuan shumë paralele. Mbi të gjitha nazistët, por edhe paraushtarakët serbë që vranë mijëra njerëz të pafajshëm në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë 30 vjet më parë.
Lidhja midis Sheshelj dhe Hamasit, është një urrejtje e farkëtuar me gjakun e atyre që ata i urrejnë. Ndërsa po vazhdon lufta mbrojtëse e Izraelit në Gaza, unë pres që të shfaqen në muajt e ardhshëm shumë më tepër aleanca të tilla, nga njëra anë në dukje si të pamundura, por nga ana tjetër krejtësisht të natyrshme.
Burimi: Algemeiner/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.