Propozim i SI

Një i vdekur na dhimbset, por pse shtimi i viktimave na bën gjithnjë e më shumë indiferentë?

Ndërsa shumica jonë e shohim një vdekje të vetme si një tragjedi, mund të luftojmë që të kemi të njëjtën përgjigje për humbjen e jetës në shkallë të gjerë. Por shumë shpesh, vdekjet e shumë njerëzve thjesht bëhen statistikë.

Miliona jetë të humbura në fatkeqësi natyrore, luftëra ose nga uria për shembull, tashmë në botë nuk kanë reagimet që ka një vdekje e vetme në kushte të veçanta.

Shembulli më i mirë është tani me numrin e vdekjeve në të gjithë botën për shkak të koronavirusit. Numri i viktimave nga virusi tashmë ka tejkaluar 400,000 dhe më shumë se shtatë milion raste janë regjistruar në 200 vende. Çdo vdekje është një tragjedi e luajtur në një nivel individual.

Por paaftësia jonë për të kuptuar vuajtjen që sjellin shifrat mund të dëmtojë mënyrën se si ne reagojmë ndaj tragjedive të tilla. Edhe tani ka prova që njerëzit janë lodhur nga lajmet për koronavirusin dhe kanë filluar të lexojnë më pak për pandeminë. Kjo mund të jetë për shkak, pjesërisht, të një fenomeni psikologjik të njohur si "mpirje psikike", ose ideja se "sa më shumë njerëz vdesin, aq më pak ne interesohemi".

"Ndjesia e shpejtë, intuitive është shumë e mrekullueshme, por ka disa të meta," thotë Paul Slovic, një psikolog në Universitetin e Oregonit (SHBA) i cili studion "mpirjen psikike". "Një e metë është se nuk merret me numrat. Nëse po flasim për jetë, një jetë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e vlefshme dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur atë jetë, për ta shpëtuar atë jetë, për ta shpëtuar atë person. Por ndërsa numrat rriten, ndjenjat tona nuk rriten poashtu njësoj", shprehet Slovic.

Në fakt, hulumtimi i Sloviç sugjeron që ndërsa numrat statistikorë të lidhur me një tragjedi bëhen më të mëdha, ne bëhemi të ftohtë dhe kemi më pak përgjigje emocionale ndaj tyre. Kjo nga ana tjetër bën që ne të mos ndërmarrim llojin e veprimeve të nevojshme për të ndaluar gjenocidet, për të dërguar ndihmë pas katastrofave natyrore ose për të kaluar legjislacionin për të luftuar ngrohjen globale. Një pjesë e problemit mund të jetë që ndërsa numrat rriten, ato kanë gjithnjë e më pak kuptim për ne personalisht.

"Nga një këndvështrim evolucionar, ne jemi përqendruar në gjërat që kërcënojnë të na vrasin menjëherë ose ndërveprime në grupe të vogla. Tani ne po mundohemi të zbulojmë skenarë shumë kompleksë të rrezikut, ku ka shumë statistika në dispozicion. Por personat që nuk janë analistë statistikorë ose epidemiologë, nuk pretendojnë të kenë gjykime për diçka aq të gjerë dhe komplekse sa pandemia globale", thotë Melissa Finucane, një shkencëtare e sjelljes dhe shoqërisë në qendrën e politikave "Rand".

Por kjo mund të ketë pasoja të rënda për mënyrën sesi ne përballemi kur hasim tragjedi në shkallë të gjerë.

Në një seri studimesh në Suedi në vitin 2014, Sloviç dhe kolegët e tij demonstruan se ne jo vetëm që nuk mërzitemi për domethënien e numrave në rritje, por dhembshuria jonë në të vërtetë mund të venitet ose të zhduket komplet ndërsa rriten numrat.

Pjesëmarrësit u prezantuan me një fotografi të një fëmije të varfër ose me një fotografi të dy fëmijëve të varfër dhe u pyetën për gatishmërinë e tyre për të dhuruar. Në vend që të ndjeheshin dy herë më të trishtuar dhe dy herë më të gatshëm për të ndihmuar, njerëzit dhuruan më pak kur panë dy fëmijë në vend të një. Slloviç thotë se kjo është sepse një individ është njësia më e lehtë për njerëzit që të kuptojnë dhe të bashkohen me të.

"Nëse shihni një fëmijë, mund të përqendroheni te fëmija. Ju mund të mendoni se kush janë ata dhe se janë si fëmija juaj. Ju mund të përqendroheni më shumë tek një person sesa dy. Me dy, vëmendja juaj fillon të zvogëlohet dhe kështu bëjnë ndjenjat tuaja dhe këto ndjenja formojnë sjelljen tonë.

Hulumtimi i Slovic thotë gjithashtu se ndjenjat pozitive të lidhura me dhurimin për një fëmijë u zvogëluan kur njerëzit u kujtuan për fëmijët që ata nuk ishin në gjendje t'i ndihmonin, një fenomen që ai dhe kolegët e tij e quajnë "pseudo joefikasitet".

Pjesëmarrësve që morën pjesë në studim iu treguan fotografi të një fëmije të vetëm, por gjysmës iu dhanë edhe statistikat për numrin e njerëzve të tjerë që vuanin nga uria në rajonin ku ishte fëmija.

"Ne menduam se nëse do të tregonim se sa serioz ishte problemi, njerëzit do të ishin më të motivuar për të ndihmuar. Përkundrazi, dhurimet ranë në gjysmë kur fotografia përfshinte statistikat. Një pjesë e arsyes për këtë sjellje është sepse ne në fakt jemi krijesa mjaft egoiste me zemër”, thotë Slovic.

Ne dhurojmë në situata sepse duam të ndihmojmë, por gjithashtu na bën të ndihemi mirë. Nuk ndjehesh mirë të ndihmosh një fëmijë kur të kuptosh se ai është një në një milion. Ju ndjeheni keq që nuk mund t'i ndihmoni të gjithë dhe ato ndjenja të këqija hyjnë, përzihen me ndjenjat e mira dhe zhvlerësojnë ndjenjën e mirë.

Në hulumtimin e Slovic, të zhvilluar pas gjenocidit në Ruanda të vitit 1994 kur 800,000 njerëz u vranë në 100 ditë dhe miliona u shpërngulën, iu kërkua një grupi vullnetarësh të imagjinonin se ata ishin një përfaqësues nga një vend fqinj që do të punonin në një kamp. Ata duhej të vendosnin nëse do të ndihmonin apo jo 4500 refugjatë. Gjysmës iu tha që kampi strehonte 250,000 njerëz, ndërsa pjesës tjetër u tha që kishte 11,000 refugjatë.

"Njerëzit ishin shumë më të gatshëm për të mbrojtur 4500 njerëz nga 11.000 sesa nga 250.000 sepse ata po përgjigjen ndaj proporcionit, e jo në numrin aktual. Në skenarin e parë, nuk duket se ia vlen. Por nëse mund të ulni sasinë e njerëzve që vuajnë gati në gjysmë, ndjehet si një punë e madhe, edhe pse është i njëjti numër njerëzish", tregon Slovic

Sigurisht, ka arsye që disa njerëz zgjedhin të shmangin një lajm të trishtuar ose të mendojnë thellësisht për tragjeditë. Të parit lajme vazhdimisht të ngjarjeve të dhunshme shoqërohet me nivele më të larta të stresit akut që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë mendor.

Një studim në vazhdën e bombave të maratonës në Boston të vitit 2013 përshembull, zbuloi se pjesëmarrësit që ndoqën lajmet mbi sulmin për gjashtë ose më shumë orë në ditë në javën pas mizorisë, kishin nëntë herë më shumë të ngjarë të raportonin nivele të larta të stresit akut.

"Është gjithashtu një model ciklik", thotë Roxane Silver, një psikologe në Universitetin e Kalifornisë.

Ndërsa të parit të lajmeve në lidhje me koronavirusin dhe çdo gjë që e përfshin është një burim i rritjes së niveleve të ankthit për shumë njerëz gjatë pandemisë.

"Nuk është mirë për shëndetin psikologjik dhe ka të ngjarë të shoqërohet me shqetësime, ankth, frikë dhe trishtim të mundshëm," thotë Silver.

Atëherë, si mund të shmangim indiferencën në momentin që nuk na intereson?

Sipas Slovic, ka raste kur ne jemi më të mirë të kuptojmë peshën e numrave. Llogaritjet e lehta, si kur diçka dyfishohet, na tërheqin vëmendjen. Numrat e rrumbullakët si 100, 1000 ose 100.000 ose 1 milion, janë piketa që zakonisht na tërheqin vëmendjen. Kjo është arsyeja pse raportet e gazetave përqendrohen shpesh në detaje në dukje të parëndësishme si një histori personale, mosha e një personi, puna e tyre dhe nëse ata kishin fëmijë. Kjo është arsyeja pse fotografitë e sendeve personale, si një palë këpucë ose një lodër e braktisur, shpesh përdoren për të rikthyer një tragjedi në vëmendjen që meriton.

Ka raste kur një tragjedi e vetme, e vendosur brenda një konteksti më të madh, mund të ketë një ndikim të thellë në psikikën e shoqërive në përgjithësi.

Mund të shihet tani në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, pasi protestuesit dalin në rrugë për të demonstruar kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit sistematik në vazhdën e vrasjes së George Floyd në maj.

"Ne jemi dëshmitarë të një shembulli dramatik të fuqisë së një imazhi, në këtë rast të vrasjes së George Floyd, për të na zgjuar kundrejt dhunës raciste që ka qenë me ne për shekuj, pavarësisht se janë shoqëruar në dekadat e fundit nga shumë statistika mpirëse", thotë Sloviç.

Ai thotë se protestat janë në përputhje me reagimin global ndaj fotografisë së Alan Kurdi, një djalë trevjeçar kurdo-sirian që u mbyt në Detin Mesdhe në 2015, kur familja e tij u përpoq të arrinte në Evropë për t'i shpëtuar luftës civile siriane. Deri në vitin 2015, lufta që filloi në vitin 2011, kishte vrarë 250.000 njerëz dhe prodhuar miliona refugjatë.

"Askush nuk interesohej, ajo ishte thjesht statistikë për shumicën e njerëzve. Por (fotoja) shkaktoi një valë empatie pasi ajo u publikua. Ishte një pamje kaq tronditëse, emocionale që zgjoi njerëzit. Ajo u bë virale në të gjithë botën dhe krijoi një vetëdije dhe shqetësim që statistikat e 250.000 vdekjeve para imazhit nuk e prodhuan dot", thotë Slovic.

Numri i dhurimeve për një fond të krijuar nga Kryqi i Kuq i Suedisë përshembull, u rrit me 100 herë në javë pasi u mor fotografia. Dhurimet totale ditore ishin gjithashtu 55 herë më të larta atë javë. Nuk kishte kaluar vetëm gjashtë javë pasi fotografia u shfaq se dhurimet ranë në nivelet e tyre të mëparshme.

Për individin qytetar - thotë Slovic - ka domethënie ndryshimi i mendimit tonë dhe përfshirja në një mendim të ngadaltë, të qëllimshëm. Ai përmend një citim të famshëm nga i mbijetuari i Holokaustit Abel Herzberg: “Nuk u vranë gjashtë milionë hebrenj; ka pasur një vrasje, gjashtë milion herë”.

Burimi:BBC. Përktheu:Gazeta “Si”

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë