Ekonomi

Një histori shqiptare krizash energjitike- Gjithnjë pas zgjedhjeve

Shpallja e emergjencës energjitike nga Qeveria këtë të premte rikthen në kujtesën e qytetarëve periudhat e vështira të furnizimit me këtë produkt, që në dy dekadatat e fundit nuk kanë qenë të pakta.

Vetë gjendja e emergjencës ligjërisht i jep mundësi qeverisë që të vendosë kufizime të furnizimit për qytetarët, por Kryeministri Edi Rama tha në daljen para gazetarëve fill pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë se kufizime nuk do të ketë.

Por, nisur nga përvojat e së shkuarës, në këtë situatë, “dorën në zjarr” nuk e vë askush. Në vetëm dy dekada, Shqipëria ka kaluar nëpër gjashtë situata krize energjitike. Në të gjitha rastet, qeveritë kanë fajësuar motin, rrjetin, varësinë nga reshjet e shiut, mungesa e reshjeve, vjedhjet e produktit në rrjet, amortizimi i rrjetit e të tjera, e të tjera.

Kriza e parë e madhe energjitike shpërtheu në vitin 2000. Në atë kohë, sistemi menaxhohej i gjithi nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, që nga prodhimi e deri te shpërndarja dhe arkëtimi i të ardhurave.

Atë kohë, kriza u paralajmërua që në fillim të muajit shtator, kur nisën jozyrtarisht kufizimet e para të energjisë, që preken më fort zonat rurale të vendit. Për shkak të përqëndrimit të popullsisë kryesisht në fshatra në atë periudhë, në këto zona ishte si konsumi më i madh i energjisë, ashtu edhe vjedhja më e madhe e saj.

KESH nisi fillimisht me ndërprerje dyorëshe. Në fund të shtatorit kufizimet shkuan deri në 6 orë në fshat dhe cekën me dy orë edhe qytetet. Kriza do të kulmonte pas gjysmës së dytë të tetorit dhe në fillim të nëntorit, me kufizime që shkonin deri në 22 orë në fshatra dhe 12 deri në 16 orë nëpër qytete.

KESH njoftoi se niveli i ujit në Kaskadën e Drinit ishte në nivele minimale dhe tre HEC-et e kësaj kaskade kishin dalë thuajse jashtë funksionit, duke paralajmëruar se vendi po shkonte drejt një terri total. Kjo e bëri të pashmangshme drejtimin në tregjet ndërkombëtare për blerjen e energjisë, edhe përmes fondeve në formë kredie të marra nga institucionet e partnerët ndërkombëtarë.

Por, pavarësisht se në tregun ndërkombëtar energjia mund të sigurohej, pavarësisht se paratë për blerjen e saj u siguruan importi i sasisë së nevojshme për konsum kishte një pengesë tjetër; infrastrukturën. Shqipëria nuk ishte e lidhur energjitikisht as me Malin e Zi dhe as me Kosovën. Linjat e vetme të interkonjeksionit, edhe ato me kapacitete të kufizuara ekzistonin vetëm me Greqinë dhe Italinë.

Gjithsesi, importi përmes këtyre dy linjave mundësoi që qytetarët ta ndiznin llampën për disa orë në ditë, duke shmangur terrin total. Opozita në atë kohë akuzonte qeverinë për keqmenaxhim të financave, korrupsion dhe keqmenaxhim të Kaskadës së Drinit. Qeveria dhe KESH mbroheshin me amortizimin e rrjetit, rritjen e konsumit dhe vjedhjen masive. Ishte periudha kur KESH nuk arkëtonte dot më shumë se 60 për qind të energjisë së faturuar, ndërsa humbjet në rrjet shkonin deri në 44 për qind.

Kriza e këtij viti la gjurmë deri në vitin 2004, ndonëse kufizimet ishin me përmasa më të zbutura. Në 2005 pushteti ndryshon. Partia Demokratike rikthehet në pushtet dhe ministër i ri i Energjitikës emërohet Genc Ruli, që në një fjalim të mbajtur në 2007 e pranon se nuk e njihte sektorin e energjisë siç duhet kur kishte marrë detyrën.

Kriza e radhës shpërtheu pikërisht në atë vit. Rolet kishin ndryshuar. Socialistët në opozitë fajësonin keqmenaxhimin, korrupsionin dhe vjedhjet, ndërsa Qeveria e KESH shfajësohej me mungesën e reshjeve. Edhe këtë herë sezoni i krizës nisi që në verë, por kulmimi ishte i njëjtë; vjeshta.

Situata ishte rënduar që në muajin korrik 2007, aq sa Qeveria e asaj kohe reduktoi nga tetë në pesë orët e punës së administratës në përpjekje për të kursyer energjinë elektrike që shpenzonin institucionet. Orari i ri i punës niste në orën 08:00 të mëngjesit dhe përfundonte në orën 13.00.

Qeveria importonte në maksimum të kapaciteteve që mbanin linjat e interkonjeksionit, që ishte rreth 11 milionë kilovat/orë, ndërsa konsumi përllogaritej rreth 16 milionë kilovat orë. HEC-et e Drinit kishin fikur turbinat që në korrik dhe qeveria, biznesi dhe qytetarët ishin me sytë nga qielli në kërkim të reshjeve.

Ilir Meta dhe LSI protestonin para Kryeministrisë, duke akuzuar se kriza ishte pasojë e paaftësisë së Qeverisë, që po çonte në rrënim ekonominë, dekurajonte biznesin dhe vështirësonte jetën e qytetarëve.

Ministri i Energjitikës në atë kohë, Genc Ruli mbrohej me të njëjtat arsyetime që mbroheshin socialistët shtatë vite para tij, se burimet energjitike ishin të pamjaftueshme, që investimet kishin munguar në këtë sektor prej vitit 1985, se rrjeti i transmetimit dhe shpërndarjes ishte i amortizuar dhe se konsumi po rritej bashkë me zhvillimin e ekonomisë.

Në atë kohë, 98 për qind e burimeve energjitike ishin hidro, pra vareshin tërësisht nga reshjet dhe 2007 bënte pjesë mes viteve me reshje nën nivelin e mesatares. Pas kësaj krize u ndërmorën disa investime në sektor, që u përqëndruan kryesisht në reduktimin e humbjeve në rrjet dhe rritjen e kapaciteteve importuese.

Kriza u përsërit në 2010, ndonëse jo në përmasat e 2007-s, apo të 2000. U rikthye sërish në 2015 dhe tani në 2021. Në të gjitha rastet e mëhershme është fajësuar thatësira, ndërsa në krizën e fundit, ku duket se sapo kemi futur këmbët, qeveria fajëson rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

E gjithë skena është një “deja vu”, që përsëritet në mënyrë ciklike, ku qeveria shfajësohet me “fenomene madhore” jashtë kontrollit të saj, ndërsa opozita akuzon për keqmenaxhim. E njëjta gjë po ndodh edhe tani.

Një detaj që ka nxitur e përforcuar akuzat e keqmenaxhimit është që krizat ciklike energjitike në Shqipëri kanë ndodhur kur vendi ka qenë ose në prag, ose i sapo dalë nga një palë zgjedhje. Në 2000 ajo i parapriu zgjedhjeve të përgjithshme të një viti më vonë. Në 2007 ishin zgjedhjet lokale. Në 2010 ishte mes zgjedhjeve qendrore të 2009-s dhe zgjedhjeve lokale të 2011, në 2015 ishin zgjedhjet lokale dhe në 2021 zgjedhjet e 25 prilli.

Këto mund të jenë rastësi, por akuzat se në prag zgjedhjesh qeveritë janë më të shkujdesura në menaxhimin e këtij sektori dhe shfrytëzojnë në maksimum burimet hidrike (në vitet 2000 për të siguruar furnizimin dhe pas 2007-s për ta shitur energjinë dhe për të siguruar të ardhura në buxhet) janë hedhur shpesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë