Politike

Basha: Kriza energjitike, pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit, do bëjmë kallëzim penal në SPAK

I shoqëruar nga Alfred Rrushaj dhe Jorida Tabaku, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha përmes një konference për shtyp se kriza energjitike në vend është pasojë e kurrupsionit dhe keqmenaxhimit në vend.

Në më shumë se një ore bashke me detajet e dhëna nga Rrushaj, Basha tha se për situatën aktuale energjitike në vend, PD-ja do të depozitoje një kallëzim penal në SPAK, si dhe do të mbështesë çdo formë proteste që do të iniciohet nga qytetarët për rritjen e çmimeve në vend.          

“Kjo nuk është krizë energjitike, kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan.

I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë si në verë shesin me çmim të ulët  energjinë e prodhuar nga uji, nga burimet hidrike të shqiptarëve dhe blejnë me 3-4 fish çmimin pak muaj më vonë në tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve.

E kam thënë dhe e përsëris, OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion dhe klientelizëm. Janë kuvli patronazhistësh dhe militantësh partie, që nuk i shërbejnë interesit të njerëzve, nuk i shërbejnë interesit qytetar.

Mjaftojnë raportimet e fundit në media për t’i çjerrë maskën e asaj që po ndodh, në të paktën tre tendera të Furnizuesit të Tregut të Lirë ku çmimi i blerjes së energjisë është shumë më i lartë sesa çmimi i bursës.

Për të tre këto tendera  diferenca është rreth 10 milionë euro. Siç e thashë edhe dje në Parlament nuk ka thatësirë, por ka një bollëk për Edi Ramën dhe hajdutët e KESH-it dhe OSHEE-së prej 10 milionë euro të pajustifikuara midis çmimit të tregut dhe sa e kane blerë këta.

Për të njëjtën sasi energjie me çmimin e bursës ndërkombëtare do paguheshin 29 milionë euro, janë paguar 39 milionë euro.

Në fakt nuk duheshin bërë fare ato tendera, nuk duhej blerë ajo energji me këto çmime në këtë kohë nëse nuk do të ishte shitur për dy aspra energjia e kaskadës hidrike shqiptare”, tha Basha gjatë konferencës.

Duke iu referuar daljes së kryeministrit Rama kur foli për emergjence energjitike, Basha nënvizoi:

“Jam i bindur se çdokush  që ka dëgjuar shfaqjen e sotme nuk mund të gënjehet, çdokush që posedon zgjuarsinë karakteristike të shqiptarit nuk mund të gënjehet dhe mos u gënjeni. Kjo nuk është krizë energjitike, kjo është një kriza e korrupsionit, e babëzisë dhe e keqmenaxhimit të kësaj qeverie.

Ndaj detyra e çdo qytetari duke qenë se ky është problem i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i një partie politike është të mos e lejoni të gënjejë e të luajë me taksat tuaja, me bukën e fëmijëve tuaj, sepse me rritjen që paralajmëron Edi Rama do ta përdorë këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera situatë për të mbushur gropat që ai ka hapur në buxhet me koncensionet, me PPP-të, tenderat korruptivë për të cilat falë marrëzisë së kësaj pakice, mbajmë vendin e parë në Europë duke lënë mbrapa çdo vend tjetër”

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Aldred Rrushaj tha gjatë konferencës se ky vit për Shqipërinë mund të jetë çfarëdo por jo krizë energjetike.

Ai tha se nga të dhënat “duket që jemi në vit shumë të mirë energjetik. Deri në shtator KESH e ka tejkaluar disa herë prodhimin që ka bërë gjithë vitin në 2020-2019″.

Rrushaj tha se nëse energjia elektrike do të blihej nga KESH për periudhën shtator – dhjetor, dhe jo në bursë, diferenca e kursimit do të ishte  142 milionë euro.

“Nëse KESH do të furnizonte të plotë kërkesën që ka konsumatori shqiptar, atëherë çmimi do të ishte vetëm 12 euro për megavat orë. Sot blihet rreth 260 euro për megavat orë, 21 herë më e lartë se sa cmimi që është verifikuar disa ditë më parë.

Duke llogaritur që edhe mund të ulet fatura në muajt në vazhdim, për periudhën shtator – dhjetor, kompania publike për të plotësuar këtë detyrim do i duhet të paguajnë rreth 150 milionë euro. Sikur ta merrnin nga KESH, fatura do ishte 8 milionë euro. Llogariteni vetë cila është fatura që do i kushtojë shqiptarëve, në çdo formë, ose duke rritur çmimin ose nga buxheti i shtetit, është faturë që e paguajnë qytetarët shqiptarë.

Çfarë ka tjetër që ne e quajmë keqmenaxhim, e s’ka të bëjë fare as kriza në Kinë apo vend tjetër, nëse për një moment do besonim atë që thotë Rama, që s’kishim përveçse ta shisnim në treg, OSHE që ka detyrimin për një strategji të qartë importi. A s’duhet që këtë energji ta blinte në muajt prill apo maj ku çdo njeri e di që çmimi është më i lirë në bursë?

Çmimi i bursës sikur të blihej në Maj ka qenë 74.75 euro për megavat orë, 3.5 herë më lirë se çmimi që ata e kanë blerë.

Këto shifra flasin vetë, tregojnë abuzimin që është bërë në kompanitë publike.

Aty ka një konkurrencë shumë të fortë me njëri tjetrin, e paarsyeshme që konsumatorët shqiptarë të paguajnë qindra milionë euro gjatë disa viteve kur çmimet kanë qenë të lira e t’u kërkohet tani të përballojnë krizën e keq menaxhimit të administratorëve publikë që kanë detyrimin për ta menaxhuar e jo për ta sjellë në këtë situatë”, tha Rrushaj.

Gjatë konferencës, Basha tha gjithashtu se “sipas burimeve të besueshme rezulton se 30% e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë” dhe se ky fakt ishte diskutuar edhe në mbledhjen e qeverisë të së premtes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë