Nga Gazeta ‘Si’-Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha sot para mediave se indeksimi i pensioneve mund të ndodhë në verë dhe jo në vjeshtë, sipas traditës së vjetër.
Malaj tha se procesi është ende në diskutim me Institutin e Sigurimeve.
Në konferencën për shtyp, Malaj tha se në verë do të shqyrtohet edhe projektligji i sigurimit të detyrueshëm të banesës.
“Po e diskutojmë me ISSH, kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për ta afruar procesin e indeksimit në qershor ose korrik. Është çështje vendimmarrjeje që do ta ndajmë sapo të kemi dakordësinë. Projektligji për sigurimin e detyrueshëm është ndarë me të gjitha ministritë dhe jemi duke bashkërenduar ndryshimet më të fundit. Shpresoj që deri në fund të qershorit ose korrik të kemi mundësinë ta përcjellim në qeveri. Shpenzimet kanë ndjekur trajektore të qëndrueshme. Totali i shpenzimeve buxhetore ka qenë në masën 242 miliardë lekë. Kemi një rritje në masën 6.3% më shumë dhe janë rreth 135 milionë euro më shumë”, tha Malaj.
Gjithashtu, Malaj foli edhe për fushatën e Rivlerësimit duke theksuar se ka pasur iteres të lartë nga qytetarët. Sipas tij në vitin 2022 në total u arkëtuan 5.6 mld lekë të ardhura, kundrejt 3.9 mld lekëve të arkëtuara për 3 muaj në 2026.
Numri i aplikimeve më së shumti është i përqendruar në Tiranë dhe Durrës. 42% e totalit të aplikimeve janë në Tiranë, 18% e tyre janë nga qytetet Durrës, Kavajë dhe Krujë. Aplikimet e qytetit të Vlorës përbëjnë 6%, në Lezhë është përqendruar 4.5% e tyre, në Sarandë 4%, në Fier 4% etj.
Malaj tha se ende nga grupi i punës nuk janë gati çmimet e reja të referencës për rrethet. Malaj përsëriti se nëse qytetarët do të kërkojnë të rivlerësojnë pronat sipas vlerës së tregut, procesin duhet ta kryejnë nëpërmjet ekspertit privat të licencuar.
“Grupi i punës është duke punuar, është më kompleks se përfshin edhe bashkitë. Ky proces nuk e pengon rivlerësimin, por kjo nuk i pengon qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut, mund ta bëjnë me vlerësues privat”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje