Kinema

“Një grusht grurë”

Sabina Veizaj - “Gruri është vetë jeta” do të më tregonte Peoni, 14 vjeçari artist nga Gjilani i Kosovës, tek më shpjegonte metaforën e filmit të sapoprodhuar nga vetë ai me titull “Një grusht grurë”.

Filmi më i fundit me metrazh të shkurtër i Peon Sadikut, ende i papromovuar për publikun e gjerë i dedikohet ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

“Tërmeti në Shqipëri ishte një ngjarje që preku të gjithë. Duke ndjekur situatën dhe gjendjen lindi dëshira dhe idea për të realizuar filmin. Idea lindi bashkë me dhimbjen por dhe krenarinë se si ndodhi bashkimi i shqipëtarëve në këtej dhe matanë kufirit”, më shpjegon Peoni, i cili nuk mungon të falenderojë për bashkëpunimin skenaristen Anastasia Bistri dhe aktoren Gloria Avdiu.

Peoni me filmin “Një grusht grurë” ka dashur t'i thotë publikut se “Durrësi është goditur nga tërmeti por dhimbja goditi Kosovën. Pērmes metaforës së grurit përcillet dashuria e Kosovës për vendin e tyre Shqipërinë. Përmes një grushti me grurë kemi dëshiruar që të japim porosinë e solidaritetit për njëri-tjetrin. Të ndihmojmë me ushqim që të gjithē ata që kanë nevojë.”

Filmi është realizuar në dhjetor 2019 dhe krejt ka përfunduar në Janar 2020 e pret të promovohet së shpejti në të dy anët e kufirit.

Filmi, më thotë Peoni është parë nga disa regjisorë dhe personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, por edhe disa shtëpi botuese të huaja dhe vlerësimi është pozitiv.

“Por vlerësimin më të mirë do ta japë publiku në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë", më thotë ai.

Në fakt nëse shikon filmin, nuk mund të identifikosh as vend dhe as hapësirë përpos ngjarjes së tërmetit që shfaqet në edicionin informativ duke e bërë mesazhin e solidaritetit universal.

Peon Sadiku është një artist i ri shumëdimensional.

Ai nuk ka ndjekur ndonjë kurs a shkollë, por pasioni për artin, tregon vetë, e ka bërë atë që të mësojë në mënyrë autodidakte dhe të eksperimentojë si në fotografi, kamer, montazh, skenar, aktrim e modelim.

Tek e pyes si ia del që bën kaq shumë gjëra vetë krahas detyrimeve të shkollës, më përgjigjet se është e vështirë, “ por ka dhe të mirën e sajë pasi zgjedh gjërat që ti i do dhe nuk je i varur nga të tjerët, megjithatë duhet një menaxhim sa më i mirë i kohës duke shfrytëzuar sa më shumë mundësi për të bërë edhe aktivitetet jashtë mësimeve.”
Ai është i ndërgjegjshëm që me kaq angazhime ka humbur pjesë nga fëmijëria e tij duke mos patur shumë kohë për lojën, “por kur realizoj një projekt dhe e pëlqen publiku ndjehem i lumtur dhe kjo më bënë krenar.”

Ajo që e dallon Peonin nga bashkëmoshatarët e tij, mendon ai është mos humbja e kohës pa arsye.

Por në pasionet e tij Peoni nuk është vetëm. Familja është mbështetja më e madhe e tij, sidomos i ati që nuk i thotë asnjëherë jo kur bëhet fjalë për mjete që I shërbejnë për të kryer aktivitetet e tij artistike.

Babai i Peonit, mjek akupunurolog, do të më thoshte se Peoni të gjitha mjetet i ka si një profesionit i vërtetë që nga Droni, kamera, aparati fotografik, etj.

“Nuk mungon përkrahja edhe e Kryetarit të Komunës së Gjilanit Z. Lutfi Haziri i cili më ka mbështet në projektet e mia. Ndihmë janë edhe shokët dhe shoqet e shkollës sime.”- më thotë Peoni, një djalë sa i gjallë, i guximshëm, bukurosh, por edhe i matur njëkohësisht.

Historia e Peonit me kamerën ka nisur herët, kur gjatë rrugës që bënte çdo ditë ëpr në shkollë ndesh një person që mblidhte kanaçe, i cili e frymëzoi për të bërë reportazhin “Njeriu Punëtor”.

Deri më tani, ai ka realizuar disa projekte me të cilët ka marrë pjesë në shumë festivale filmash dhe është vlerësuar me çmimet e para.

https://www.youtube.com/watch?v=ickJr16g8WI&fbclid=IwAR12aOb3bL3n4w9kWbwofN_Gf_q6GyWRIBlYODuIy1Ola8ebPMgnXt1vUYo

“Deri tani kam marrë pjesë në disa Festivale Filmash të metrazhit të shkurtër dhe përherë kam fituar çmimet e para. Kam sfiduar veten edhe në konkurse bukurie dhe po ashtu kam marrë disa çmime. Nuk kanë munguar edhe Festivalet e këngës ku edhe aty kam marrë vendet e para.”- më tregon Peoni.

Ndërsa me filmin e fundit “një grusht grurë” nuk është paraqitur ende në ndonjë konkurs të mundshëm sepse “këto ditë po planifikojmë Promovimin e Filmit “Një grusht grurë” dhe pastaj do aplikojmë në Festivalet Ndërkombëtare.”- thotë ai.

Tek e pyes në mënyrë provokuese se çfarë e lidh me Shqipërinë, më thotë “ Unë jam shqiptar, jam i Shqipërisë, gjaku në damarët është marrëdhënia.”

Por në jetën e Peonit një rol të rëndësishëm luajnë edhe gjyshërit me të cilët ka marrëdhënie të shkëlqyer, që me historitë që i tregojnë e frymëzojnë tepër.

“Kam raporte shumë të mira dhe falenderoj Zotin që kam gjyshërit e shëndetshëm. Gjyshi Emrush më ka folur shumë historira dhe një ditë do të mundohem që të i realizoj në projektet që vijnë.”- më thotë.

Aktualisht Peoni 14 vjeçar po përfundon shkollimin e mesëm të ulët dhe do të nisë me shkollimin e mesëm të lartë.

Ai mendon të vazhdojë edhe Regjinë, por edhe me dëshirën që të bëhet mjek si i ati. Por e ardhmja tij me siguri do të jetë jashtë Kosove, të paktën kështu e projekton veten Peoni tani për tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë