Mjedis

Një grup shkencëtarësh shqiptarë në ballë të eksperimentit për të shpëtuar biodiversitetin e Mesdheut

Në Gjirin e Vlorës rrezet e diellit reflektohen në ujërat e kristalta, ndërsa në shtratin e detit gjithçka është një shkretëtirë. Algat e mëdha të murrme, një element kyç i biodiversitetit detat po zhduken me shpejtësi, paralajmërojnë shkencëtarët.

Rritja e temperaturave të ujërave të deteve, ndotja dhe peshkimi me dinamit po zhdukin bimësinë ujore të Adriatikut. Kjo prirje ka detyruar ekspertët shqiptarë që t’i bashkohen një projekti mesdhetar në përpjekje për të rekuperuar humbjen e kësaj bimësie përmes versioneve të rritur në laboratore.

Mungesa e të dhënave historike e bën të vështirë të përcaktohet sasia e humbjes se Cystoseria-s, një lloj alge që është habitat për shumë specie, duke shërbyer ushqim dhe si vend për riprodhimin e peshqëve.

Ekspertët japin alarmin se ajo po zhduket në nivele alarmante.

“Në vitet e fundit kemi vënë re një rënie të fortë të pyjeve detare të Cystoseria-s, ndikuar nga rritja e temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë për AFP, profesorja e biologjisë në Universitetin e Vlorës, Ina Nasto.

Nasto thotë se urbanizimi me shpetësi i vijës bregdetare, shkarkimi i mbetjeve agro-kulturore dhe industriale në det, peshkimi i pakufizuar dhe ndotja me mbetje inerte gjithashtu kontribuojnë në këtë problem.

Speciet e mbrojtura

Denada Sota, gjithashtu profesore në Universitetin e Vlorës thotë se praktikat e peshkimit me dinamit të midhjeve, duke shpërthyer shkëmbinjtë ku ato jetojnë, që shkatërrojnë shtratin e detit ndikojnë.

Në restorantet bregdetare të Vlorës gjen në menu midhje që janë specie të mbrojtura.

Imazhet e shkrepura nga shkencëtarët në Gjirin e Vlorës tregojnë shkëmbinj të zhveshur, ku peshqit janë të paktë, ndërsa popullsia e iriqëve të detit është shtuar sepse predatorët e tyre natyrorë janë zhdukur si viktima të peshkimit pa kriter.

Eksperiment për të rritur algat e murrme në kushte laboratorike. Foto Gent Shkullaku/AFP

Që prej janarit të 2019-s, profesorët nga laboratori i biologjisë kanë ndërmarrë një eksperiment për të rikthyer popullsinë e algave të murrme. Nismës i janë bashkuar edhe 10 institute të tjera të Mesdheut, duke aplikuar të njëjtin protokoll. Ai përfshin rritjen e qelizave fertile të algës Cystoseira nëpër akuariume nga shkencëtarët e laboratorit të Vlorës.

Algat më pas vendosen nëpër gurë, që më vonë hidhen në det në thellësi deri në katër metra.

“Duhet t’i vëzhgojmë edhe në shtratin e detit”, thotë Nasto, që zhytet rregullisht për të inspektuar progresin e eksperimentit dhe për të parë nëse algat e ngjizura në akuariumet e laboratorit kanë ndërtuar një shtëpi të re në det.

Shpresohet që eksperimenti do të arrijë që të ndihmojë shkencëtarët në hartimin e një protokolli për ripyllëzimin detar.

Specie invazive

Speciet invazive gjithashtu janë një kërcënim për ekosistemin e shtratit detar. Prej vitesh, bregdeti prej më shumë se 400 kilometrash i Shqipërisë strehon shumë specie të huaja. Më e përhapura mes tyre është Caulerpa Cylindracea, që ka shkatërruar habitatet e Posidonia-s, një tjetër bimë detare thelbësore për biodiversitetin.

Alga Jeshile në bregdetin e Kallmetit. Foto Gent Shkullaku/AFP

E ardhur nga Australia në vitet 1990, Caulerpa quhet edhe si tumori i Mesdheut. “Ajo ka kolonizuar të gjithë bregdetin shqiptar”, thotë profesori i Universitetit të Tiranës, Sajmir Beqiraj.

“Ashtu si të gjitha speciet invazive, edhe kjo algë ka avantazhe të mëdha në krahasim me algat vendase dhe degradon faunën dhe florën detare duke reduktuar ndjeshëm biodiversitetin”, shton ai.

Beqiraj thotë për AFP se në bregdetin e Kallmetit, mjafton që të zhytesh vetëm dy metra nën ujë për të gjetur koloni të dendura të Caulerpas. Ai tregon për agjencinë franceze të lajmeve në grusht me algën jeshile, që ngjason si me barin të shkëputur nga shtrati i detit në këtë zonë.

Si Covid

Ekspertët kanë identifikuar në total 40 kafshë dhe bimë invazive në ujërat shqiptare, si rasti i një peshku të ardhur nga Deti i Zi, që po gllabëron bimësinë e algave, që janë ushqimi i tij i preferuar.

Fenomeni është i ngjashëm në të gjithë Mesdheun dhe Detin Adriatik dhe për këtë, shkencëtarët kërkojnë një bashkëveprim nga të gjitha vendet.

“Duhet të bashkojnë forcat për të gjetur një zgjidhje të shpejtë”, tha për AFP Nexhip Hysolokaj, ekspert i biodiversitetit nga Vlora.

Peshkatari, Baçi Dyrmishaj. Foto Gent Shkullaku/AFP

Baçi Dyrmishaj, një peshkatar prej 25 vitesh në Vlorë e pranon se problemi i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe për këtë zgjidhja duhet të jetë interkufitare. Ai ankohet për gaforren blu, një specie invazive që i shkatërron rrjetat e gjymton peshkun që kap.

“Është si Covid. Vendet e mëdha u bënë gati për të gjetur një vaksinë. Duhet të bëjmë të njëjtën gjë për planetin, sepse asnjë kufi nuk mund të na shpëtojë”, thotë ai për AFP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë