Kinema

Një fund ndryshe për “Game of Thrones”… në libër

Finalja e serialit të famshëm “Game of Thrones” la pas shumë fansa të pakënaqur, jo vetëm me rrugën e zgjedhur nga autorët për të përmbyllur sagën e tyre epike, por edhe për shkak të cektësisë dhe tejkalimit të detajeve. Detajet ishin një prej elementeve më të fortë të këtij seriali në sezonet e shkuara.

Menjëherë pas transmetimit të serisë së gjashtë të sezonit të tetë dhe të fundit të të gjithë serialit, mijëra fansa dolën në rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tyre. “Të presësh dy vite për një sezon dhe përfundim mediokër është e tepërt”, ishte njëri prej qindra-mijëra komenteve të reflektuara në faqen zyrtare të HBO.

Vetë autorët kanë heshtur deri më tani përballë vërshimit të kritikave. Ai që ka folur është George R.R. Martin autori i serisë së librave “A song of Ice and Fire”, mbi bazën e të cilëve është ndërtuar “Game of Thrones”. Shkrimtari 70-vjeçar ka përfunduar e publikuar vetëm pesë libra nga shtatë të planifikuar të kësaj serie. I fundit është publikuar tetë vite më parë. Kjo do të thotë se tre sezonet e fundit të “Game of Thrones” janë bazuar vetëm tek skriptet e shkurtra udhëzuese që George R.R. Martin u ka ofruar herë pas herë producentëve David Benioff dhe D. B. Weiss.

Autori i librave "A song of Ice and Fire", George R.R. Martin

Në blogun e tij, “Not a Blog” shkrimtari ka qetësuar disi fansat dhe ashtu si finalja e filmit, ka zgjedhur një rrugë të mesme mes përgjigjes nëse në libra kjo sagë do të ketë të njëjtin përfundim, apo jo lë të hapura të dyja mundësitë.

“Si do të përfundojë? Gjithmonë e dëgjoj këtë pyetje. A do të ketë të njëjtin fund si në serial, apo ndryshe? Epo, edhe po, edhe jo!”, shkruan ai.

Se kur do t’i përfundojë dy librat afati i vetëm që jep është pa datë. “Dimri po vjen, ua thashë shumë kohë më parë dhe kështu është! Ai po vjen. “Stuhitë e dimrit” është shumë vonë, e di, e di, por do të realizohet”, përgjigjet autori.

“Game of Thrones” theu çdo rekord, duke u shndërruar në serialin më të shikuar dhe të komentuar në histori, e po ashtu edhe më i kushtueshmi. Saga është xhiruar në disa vende të botës, si në Spanjë, Islandë, Irlanë, Kroaci dhe Maltë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë