Ngjarje

Një foto që na ktheu në kujtimet e tmerrshme të luftës në Kosovë

Në një raport të vitit 2000, organizata e njohur për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” do të trondiste botën, pasi deklaroi se përdhunimi ishte përdorur si taktikë lufte nga ushtria serbe për të poshtëruar, frikësuar dhe zhvendosur me forcë shqiptarët e Kosovës. Por ndërkohë edhe pse jemi 2 dekada pas përfundimit të luftës së Kosovës, përdhunimi mbetet një plagë e përhershme për mijëra gra që u torturuan nga forcat serbe.

Ka mjaftuar një foto rrëqethëse për të ringjallur kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, e fëmijë që përjetuan këtë tmerr, duke thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore viktimave.

Ndërkohë që Kuvendi i Kosovës përgatitej për seancën plenare për votimin e rezolutës për gjenocidin serb, deputetja e PDK-së Flora Brovina ka paraqitur para mediave sipas saj një dëshmi tronditëse, ku ushtarët serbë përdhunonin në grup një femër gjatë luftës në Kosovë në sytë e familjarëve meshkuj që mbaheshin të lidhur. Impakti ishte i jashtëzakonshëm.

Prokuroria e posaçme Kosovës hapi hetime për vërtetësinë e fotografise së publikuar nga deputetja e PDK-së (Gazeta Si ka vendosur mos të publikojë për shkak të përmbajtjeve të rënda grafike), ndërsa në rrjetet sociale shpërthyen thirrjet për drejtësi për të gjitha gratë e dhunuara seksualisht nga ushtarët serbë. Në Kuvend diskutimet zgjatën për orë të tëra, por mediat serbe shpërthyen me akuza të ashpra duke fajësuar shqiptarët e Kosovës.

Flora Brovina

Për këtë të fundit ndihmoi pikërisht gazeta e njohur në Prishtinë, “Express”, e cila ndezi edhe më shumë debatet duke pretenduar se kishte zbuluar se fotoja që mbante në duar Brovina ishte shkrepur në fakt gjatë luftës në Irak dhe gjendet edhe në sajte pornografike. Ka qenë pikërisht ky “zbulim” që ka ushqyer oreksin e të gjitha mediave serbe, të cilat shkruanin njëzëri se “shqiptarët kishin dështuar të provonin akuzat monstruoze ndaj serbëve”.

“Instalimi monstruoz u thye në copa: Shqiptarja publikon fotografi ku thotë se serbët përdhunuan një grua shqiptare. Por, nuk ishte nga Kosova, por nga Iraku!”, shkruan media serbe “Telegraf.Rs”.

Por a duhet të ishte bërë publike kjo foto?Vetë zonja Brovina këmbënguli se fotografia e publikuar prej saj është “autentike” dhe ajo do të bashkëpunojë me prokurorinë për të sqaruar këtë çështje. Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila është e mbijetuar e masakrave të luftës në Kosovë tha se fotografia nuk duhet të publikohej sepse “familjarët janë tepër të shqetësuar me pamjet”.
"Znj Brovina, më vjen keq, por ajo që bëtë është krejtësisht e gabuar. Ju treguat viktimën dhe ju thoni se ajo është e gjallë. Paramendoni se si ndihet. Nuk është kjo mënyra për të trajtuar një person me dinjitet" tha Bogujevci.

Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës reagoi po ashtu duke thenë se kishte marrë mijëra telefonata alarmante nga viktimat e luftës. “Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë, pa censurë nuk ndihmon as të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe as familjarëve të tyre, prandaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndjeshme, i kërkojmë mediave ta heqin nga uebsajtet e tyre”, thuhej në një deklaratë.
Një reagim i menjëhershëm erdhi edhe nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, një nga mbështetëset më të mëdha të viktimave të përdhunimit, e cila po ashtu kritikoi Brovovinën për publikimin e fotos.

"Publikimi i imazheve të tilla që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës është një goditje e rëndë për mijëra të mbijetuara të abuzimit seksual gjatë luftës në Kosovë", tha Jahjaga. "Është e pështirë dhe e turpshme që një deputete e Kosovës që ka ngritur zërin për të drejtat e grave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë, sot përdori ndërtesën e Kuvendit për të bërë një fotografi të tillë publike," shtoi ajo.

Gjatë kohës sa ishte Presidente në vitet 2011- 2016, Jahjaga, ishte liderja e parë politike në Kosovë që kërkoi krijimin e një legjislacionin që u del në ndihmë të mbijetuarave të dhunës seksuale.

Atifete Jahjaga

Sipas dëshmive, këto gra ishin dhunuar në shtëpi, në kampe ushtarake dhe stacione policore. Përveç se ishin dhunuar, disa edhe ishin rrahur, u ishin nxjerrë organet gjenitale, ishin prerë me thikë, djegur me cigare, madje edhe vrarë. “Gjatë mandatit tim, jam munduar të mos lë gur pa lëvizur”, rrëfente Jahjaga në një intervistë të dhënë disa muaj më parë”. Rreth 20,000 viktima ende nuk kanë gjetur drejtësi.”

Jahjaga insiston që shifra është e bazuar në hulumtimet e bëra nga ekspertë dhe organizatat të specializuara. “Unë besoj fuqishëm që kjo shifër është reale”, tha ajo
Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerëson po ashtu se në Kosovë janë deri në 20,000 gra të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999, por vetëm pak nga këto gra dëshmuan për tmerret e përjetuara përpara Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës. Tribunali i Hagës ka shpallur fajtorë vetëm katër persona të akuzuar, mes tjerash, edhe për dhunime gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sipas Tribunalit të Hagës ata janë fajtorë për krime të dhunës seksuale përmes pjesëmarrjes në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, por asnjë dënim nuk është dhënë për këto akuza. Në 18 vitet e kaluara, gjykatat në Kosovë nuk kanë dënuar asnjë person për dhunimet e kryera gjatë kohës së luftës.

Viktimat kërkojnë drejtësi

Sanije Salihu e kujton një natë gushti të vitit 1998, kur vajza e saj 20 vjeçare nuk u kthye në shtëpi. Ajo ishte marrë nga një veturë policie në qendër të qytetit në Gjakovë, në një kohë kur në shumë pjesë të Kosovës po zhvilloheshin luftime.

Vjollca Salihu ishte mbajtur në një dhomë duke u dhunuar nga policët serbë dhe nga torturat kishte pësuar dëmtim të palcës kurrizore.

“Kishte shkuar ta mbyllë lokalin. Ishte ora 8 e mbrëmjes. Nuk u kthye. E kërkuam gjithkah. Shkuam ta pyesim policinë dhe ata na thanë se nuk dinë gjë për të”, tha Sanije Salihu.
Dy muaj më vonë, një telefonatë nga spitali në Beograd zbuloi vendndodhjen e vajzës së saj.
“Mjekët më treguan që e kishin sjellë nga spitali i Prishtinës dhe që ishte e torturuar. Më thanë që nuk do të jetojë gjatë”, kujton ajo.

“E pashë që i kishin djegur tërë trupin me cigare. Organet gjenitale i kishte të prera dhe plotë djegie. Mjekët më treguan edhe atë që nuk e kisha vërejtur që thonjtë i kishte të shkulur ” thotë ajo. Vajza e saj humbi jetën 3 vite më vonë, por që atëherë Sanija ka lëvizur çdo gur në kërkim të drejtësisë.

Fata, nga ana tjetër, është ndër të paktat që ka vendosur të flasë për tmerret e përjetuara gjatë luftës. Kanë kaluar 18 vjet që kur në një ditë maji ajo u nda nga një kolonë refugjatësh, u dhunua dhe u torturua nga pjesëtarë të njësive ushtarake serbe në një shtëpi private në Mitrovicë. Aty humbi syrin e djathtë. Ishte vetëm 16 vjeç.

“Mbaj mend që na kanë mbajtur tri ditë. Ishim 15 veta në një dhomë. Kur jam përmendur e kam parë që syrin e djathtë e kisha të lidhur dhe nuk mundesha të lëvizja”, kujton ajo.

Që nga ajo ditë, Fata, që është emri i shkurtër, është përfolur, nënçmuar dhe stigmatizuar nga komuniteti përreth.

“Halla më tha që nuk duhet të tregoj çka ka ndodhur” thotë ajo.

Si ajo, mijëra gra të tjera ishin viktima të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Fata tregon se vendi ku u mbajt ishte kthyer në një qendër të dhunimit dhe vrasjeve nga forcat serbe.

“Ditën e parë mbaj mend që dhunimi vazhdoi pa ndërprerë. Ata ndërroheshin ndërsa ne thjesht na fshinin gjakun”, tregon ajo.

Përkundër përjetimeve të llahtarshme, ajo do të aplikojë për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, për shkak të opinionit publik.

“Familja ime nuk dëshiron të më figurojë emri askund. Tani jemi familje e madhe. Kemi martuar djemtë e vajzat dhe kanë bërë shumë lidhje familjare. Nuk duan që dikush ta përmend këtë”, thotë ajo .

Pas vitesh heshtje e stigmatizimi, Parlamenti i Kosovës miratoi në vitin 2014 një ligj që u njeh këtyre grave statusin e viktimave dhe u jep atyre një pension mujor që nuk kalon përtej 220 eurove.

Në fund të muajit prill, qeveria themeloi Komisionin për Verifikim dhe Njohje të statusit të viktimës së dhunës duke kryer procedurat nënligjore që mundësojnë nisjen e procesit.
“Ligji u njeh statusin, por ato nuk kanë benefite të njëjta me viktimat tjera të luftës, ndonëse nevojat e tyre shpesh janë më të mëdha”, thotë Veprore Shehu, anëtare e organizatës “Medica Kosova” në Gjakovë.

Përfitimet kryesore që viktimat e tjera të luftës marrin janë pensione familjare, shërbim shëndetësor falas, përparësi në punësim, si dhe lirim nga taksat gjyqësore, administrative e taksat publike, përfshirë tatimet dhe çmim më të lirë të energjisë elektrike.
Ligji përcakton se të mbijetuarat e dhunimit mund të aplikojnë për statusin me shkrim, pa pasur nevojë që ta dëshmojnë me prani fizike atë që kanë përjetuar. Të mbijetuarat nuk janë të obliguara, por mund të paraqesin dëshmi mjekësore ose policore si provë të dhunimit.

Nën frikën e stigmatizimit dhe përjashtimit, mijëra gra viktima të dhunës seksuale të luftës kanë vazhduar në heshtje të jetojnë me probleme të rënda shëndetësore. Më tepër se vetë ajo, ishte familja e Fatës që kishte përjetuar dhunimin e vajzës si një turp të madh të familjes.

“Nuk munda ta vazhdoja shkollën. Mjekimi ishte i vështirë. Familja vuante sepse shumëkush përreth e dinte që isha dhunuar dhe kishin tentuar të ma nxjerrin syrin”, rrëfen ajo. Kostoja psikologjike ishte edhe më e rëndë. Fata thotë se vuan nga depresioni, migrena dhe ka dhimbje të përditshme koke.
Perceptimet negative të shoqërisë dhe vështirësitë për të marrë trajtim mjekësor në një vend të varfër si Kosova kanë bërë që shumë viktima të kryejnë vetëvrasje.

“Një numër i tyre ka vdekur si pasojë e dhunës në familje, të kryer kundër viktimave, në emër të nderit”, thotë Siobhan Hobbs, eksperte që në vitin 2016 drejtoi një ekip të OKB-së që publikoi një raport rreth gjendjes së vështirë të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Kjo ndodhi për arsye se, në shumë familje sikur ajo e Fatës, dhunimi shihet si njollë në nderin familjar.

“Vendosa të martohem jo pse doja, por për t’iu larguar familjes si barrë. U bë më keq. Familja e burrit kishin dëgjuar që isha e dhunuar dhe isha pa një sy. Na përzunë nga shtëpia”, rrëfen ajo.

Disa të mbijetuara të dhunimit jo vetëm u përjashtuan nga të afërmit, por u braktisën edhe nga burrat e tyre. Të margjinalizuara dhe paragjykuara, ato shpesh kanë mbajtur peshën e fajit për atë u kishte ndodhur.

Një grua tjetër rrëfen se ajo dhe motra e saj u dhunuan në një shtëpi në Deçan.

“Kur burri i saj e mori vesh se çfarë kishte ndodhur, ai e braktisi motrën time me dy fëmijë dhe u martua me një tjetër”, tha ajo.

Frika nga dhuna dhe dëbimi ka bërë që shumë gra të hezitojnë të kërkojnë ndihmë, sidomos për shërbime shëndetësore, punësim dhe trajnime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë