Treg

Një birrari në Tiranë po gumëzhin nga italianët

Një birrari në Rrugën e Kavajës në kryeqytet ka nisur të gëlojë nga italianët.
“Ne na frekuentojnë shumë të huaj, por ajo që kemi vënë re pasi koronavirusi ka shpërthyer në Itali, kemi një prezencë të jashtëzakonshme çdo natë të shtetasve italianë në restorantin tonë. Teksa më parë kishim një, dy tavolina, prej disa ditësh kemi mbi 50 italianë (8-9 tavolina) çdo darkë”- tregon një nga kamerierët e restorantit, i cili mendon se ata ( italianët) të frikësuar nga infektimi i koronavirusit, kanë ardhur të qëndrojnë në Tiranë.

Gazeta “Si” shkoi ta vërtetonte fenomenin tek ky restorant, por italianët që po darkonin atë ditë nuk preferuan të prononcoheshin gjatë. Ata u shprehën se arsyeja e ardhjes së tyre këto ditë është për “bërjen e dhëmbëve sepse në Shqipëri kushtojnë lirë”.
Ajo që vuri re Gazeta “Si” ku qëndroi në restorant mbi dy orë, është se shtetasit italianë ishin të moshave të ndryshme; fëmijë, adoleshentë dhe të rritur.

Në fakt në restorant kishte edhe shtetas italianë të shoqëruar me shqiptarë apo edhe me shtetas të kombësive të tjerë të cilët flisnin për biznes.

Sipas agjencive turistike në Tiranë, të pyetura nga Gazeta “Si”, udhëtimet drejt dhe nga Italia po funksionojnë normalisht.

“Zgjedhjet janë individuale, jo në grup. Në agjencinë time ka vetëm dy anulime drejt Italisë; një në Milano dhe tjetri në Romë. Ishin udhëtarë shqiptarë të cilët janë trembur nga përhapja e koronavirusit. Gjithçka tjetër është si më parë”, thotë Eva Rama nga Explorer Travel & Tours.

Edhe Edlira e cila ka agjencinë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” thotë për Gazetën “Si” se nuk ka vënë këto ditë ndonjë fenomen të ri të sjelljes së udhëtarëve.
“Kemi pasur vetëm një anulim bilete për në Milano, shtetas shqiptar. Gjithçka është si më parë. Aeroporti është i populluar si përherë. Shikohen njerëz me maska, por kaq”, shprehet Edlira.

Ekspertët e sektorit të turizmit thonë se është shpejtë të flasësh për efektet e koronavirusit tek turizmi shqiptar.

Sipas tyre njerëzit janë më vigjilentë dhe të kujdesshëm, por nuk e shfaqin me sjellje ekstreme.

“Jemi akoma në pritje, nuk vlen të thuash diçka në këtë kohë ende”, shprehet Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve).

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Besnik Vathi nga ATHS.

“Perceptohet frikë ndër njerëz, pra psikologjikisht sjellja e njerëzve ka ndryshuar, por pa statistika nuk mund të flasim për një fenomen se si po ndikon përhapja e koronavirusit në Itali në turizëm apo në transportin e njerëzve jashtë kufirit dhe nga jashtë brenda kufirit. Por në aspektin e turizmit është shpejt të flitet sepse nuk kemi ndonjë fluks turizmi me Italinë dhe Kinën, kryesisht lëvizim në rajon dhe Europë”, shprehet Besnik Vathi.

Të tjera agjenci ankohen se nëse paniku shtohet, do të dëmtojë bizneset e udhëtimit më kot.

“Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim negativ apo anulim. Por do t’ju sugjeroja ta trajtoni me shumë kujdes se kjo është bërë krye tema e ditës kudo në botw dhe do të ndikojë shumë negativisht dhe te ne e bizneset tona, ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë rast me koronavirus”, thotë Migen Xhelo nga Travel Club Albania.

Sipas INSTAT, në muajin janar kanë hyrë në Shqipëri 21 mijë e 67 shtetas italianë ose 9% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin janar 2020, janë 693 mijë e 956 ose 20,9 % më shumë se në janar 2019.

Aktualisht sipas Aeroprotit Ndërkombëtar Nënë Tereza nuk ka asnjë anulim fluturimesh nga Italia në Shqipëri apo anasjelltas.

Pjesa më e madhe, kryesisht njerëzit që lëvizin për biznes drejt Italisë e konsiderojnë një grip atipik dhe asgjë më shumë.

Daniela nga Tirana që ka udhëtuar një ditë më parë drejt Milanos për çështje pune shprehet se “Kjo është një frikë e kotë. Për një grip atipik që prek njerëzit me imunitet të ulët, nuk mund të ndërpritet jeta”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë