Futboll

Një bask me ngjyrë, Injaki Uilliams jep leksion ndaj paragjykimeve

Një leksion i bukur dhe domethënës nga sulmuesi i Atletiko Bilbos, Injaki Uilliams. Jo për ndonjë gol, apo shitje të bujshme, por një leksion jete, kundër paragjykimit për shkak të ngjyrës së lëkurës. Sepse, mund të jesh bask, pavarësisht ngjyrës së lëkurës. Futbollisti i Atletiko Bilbaos, që njihet botërisht për faktin se mban në ekip vetëm futbollistë me origjinë baske, është bërë protagonist i një videoje tashmë virale. Ai dialogon me një djalosh me ngjyrë dhe i jep atij një leksion, që nuk duhet ta harrojë kurrë.

Djaloshi mendon se Injaki është shembulli që duhet ndjekur dhe ndihet krenar për të. Ai e pyet lojtarin e Bilbaos, a është e lehtë të jetosh me idenë e të qenit një njeri me ngjyrë në qytetin e Bilbaos dhe përgjigja e sulmuesit është domethënëse: “Në fakt, është krenari edhe për mua që jeni krenarë për mua. Unë shpresoj që njerëzit t’i hapin horizontet dhe mënyrën e të menduarit. Pse një afrikan nuk mund të luajë me Atletikon e Bilbaos? Pse të jesh me ngjyrë do të thotë se nuk je bask? Kam dëgjuar shpesh njerëzit që thonë: ‘si ka mundësi që një lojtar me ngjyrë të luajë me Bilbaon’? Ja ku po të them që edhe unë jam bask, kam lindur këtu dhe ndihem bask. Kërkoj nga njerëzit që të jenë me mendje të hapur dhe të mos kenë paragjykime kundër atij që punon dhe sakrifikon që të luajë për Atletikon e Bilbaos”.

https://twitter.com/twitter/statuses/1027678177932533760

Injaki Uilliams është 24 vjeç dhe luan për Atletikon që prej vitit 2012, por pavarësisht viteve që ka në Bilbao, sipas të përditshmes “Record”, ndaj tij ka ende komente dhe sulme raciste. Paragjykimet kanë bërë që të ketë shumë diskutime për faktin, nëse mund të luajë një lojtar me ngjyrë në skuadrën baske. Tema është trajtuar në dokumentarin “Six Dreams” të Amazon. Dhe kjo video me protagonist sulmuesin e Bilbaos ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale.

Injaki Uilliams me fanellën e Atletiko Bilbaos

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë