Mendim

Nis “lufta” mes qiradhënësve dhe qiramarrësve!

Nga Denisa Daka - Strategjia e përdorur nga ana e KM-së, për të strukturuar në një formë të  pazakontë një marrëdhënie të posaçme mes qiradhënësit e qeramarrësit, përveçse e paqartë dhe konfuze rezulton e paprinciptë nga ana ligjore posaçërisht.

Dhe e gjitha kjo përveçse krijon një impakt jo të mirë në marrëdhënien mes tyre, nuk zgjidh punë kurrsesi.

Si çdo fillim muaji ndodh, qiradhënësit kanë nisur odisenë e tyre për të kërkuar me plot të drejtë qiratë respektive, rit i zakonshëm ky në marrëdhënien mes tyre!

Konfuz e të paqartë, duke mos qenë dakort absolutisht ç'ka kundra tyre është vendosur, përmes një akti që cenon thelbin e të drejtave të tyre kushtetuese, qiradhënësit orvaten orë pas ore, të kërkojnë ç'ka me ligj u takon.

Për të zyrtarizuar marrëdhënien mes tyre, për të qenë të mbrojtur nga çdo rrezik eventual posaçërisht, shumë syresh kanë lidhur një kontratë qiradhënie mes tyre, përmes së cilës kanë caktuar me vullnet të lirë dhe modalitetet mes tyre!

Telefonata, e-mail e mesazhe, përplasen nga të katër anët te qiramarrësit tashmë, një mënyrë kjo për të vjelur detyrimin përkatës.

E “lufta” mes tyre siç pritej të ndodhte, ka nisur tashmë.

Pjesa dërrmuese e qiradhënësve, këtë kuotë mujore e kanë të vetmen mundësi për të jetuar, pasi dikush e përdor për këstin e kredisë, dikush për të suportuar fëmijën në shkollë a dikush dhe për t'u mjekuar.

Ndërkaq jo pak qiramarrës kanë nisur të dërgojnë njoftime në adresë të qiradhënësve, për të lënë ambientet e marra me qira për arsye ekonomike ndërsa prej detyrimeve perkatëse, caktuar me një akt të shkruar, askush nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia, për t'i shlyer në kohën e duhur posaçërisht.

Përpos kësaj, veç qiradhënësit në cilësinë e pronarëve të sendit, kanë tagrin apo mund të posedojnë mbi të drejtat e tyre.

Akti normativ i KM-së, Nr.12 datë 02.04.2020, “Për shtyrjen e pagesës së qirasë”, bie ndesh me Kushtetutën dhe dispozitat e Kodit Civil, me nenin 259 posaçërisht, në të cilën përcaktohet në mënyrë eksplicide rregullimi i Insitutit të qirasë.

Për këtë shkak ky i fundit është nul e nuk mund të prodhojë pasoja jurike, pasi KM nuk ka asnjë tagër të përfshihet në një marrëdhënie të posaçme, ndryshe e gjitha do të ish një absurd i madh e çdo hamendësim apo orvatje për të lënë pa fuqi këto dispozita, do të çonte palët në një udhë pa krye.

Veç palët kanë tagrin apo mundësinë të negociojnë mes tyre në çdo rast për të përdorur klauzolën “forcë madhore”, por njerëzisht ama, pasi në rast të kundërt konflikti mes tyre mund të ish i fortë dhe i mprehtë, deri në kufijtë e të pabesueshmes.

Mijëra biznese rrezikojnë të jenë insolvabel për shkak të situatës së krijuar dhe e gjitha kjo pritet të fusë së vështirësi reale e të forta dhe këtë kategori në radhë me të tjerat.

E mesa shihet e pritet, konfliktin për shkak të shtyrjes së pagesave posaçërisht, do të duhet ta zgjidhë gjykata, ndërsa kostot për përballimin e proceseve në radhë nuk do t'i ndalte asnjë akt normativ paskësaj!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë