Ne rrjet

Nis java e OKB-së, me Zelenskin dhe Lavrovin ndoshta të pranishëm në një sallë (sfidat dhe objektivat)

Vendeve në zhvillim u kërkohet të trajtojnë problemet e varfërisë, pabarazisë dhe ndryshimeve klimatike. Por në Asamble do të ketë mungesa të rëndësishme liderësh botërorë në Pallatin e Qelqtë

Gazeta Si - Ukraina dhe presidenti i saj Zekenski, do të jenë në qendër të Asamblesë së Përgjithshme të martë në 19 shtator në Nju Jork dhe të Këshillit të Sigurimit të së mërkurës, i cili do të përqendrohet në parimet e Kartës së OKB-së, të cilat kërkojnë që çdo vend të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e të tjerëve.

Një ngjarje që mund të shohë presidentin ukrainas dhe ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në të njëjtën sallë.

Në një intervistë për CBS TV, Zelenski tha dje se të ndihmosh Ukrainën, do të thotë të ndihmosh të gjithë Evropën dhe të shmangësh Luftën e Tretë Botërore, sepse "Putini është një Hitler i dytë" dhe "ai nuk do të ndalet".

“Tani Putini shpreson se zgjedhjet do ta bëjnë Amerikën më pak të qëndrueshme”, shtoi Zelenski, i cili përfundoi duke shpjeguar se ai nuk mund t'ua dorëzojë Krimenë rusëve, ndërsa Ukraina duhet të kthehet e  paprekur: familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe humbën gjithçka nuk mund të japin "asgjë, përveç fitores”.

Por jugu global dëshiron një zgjidhje për luftën dhe kërkon që të adresohen edhe prioritetet e tjera: varfëria dhe pabarazia janë gjithashtu probleme urgjente, thonë vendet në zhvillim, dhe kjo është arsyeja pse vëmendja e tyre është përqendruar në një samit dyditor, të martën dhe të mërkurën, që do t’i përballë Kombet e Bashkuara me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, për të cilat bota është shumë prapa nëse dëshiron vërtet t'i arrijë ato deri në vitin 2030.

Përveç përfundimit të varfërisë ekstreme dhe urisë, synimet përfshijnë sigurimin e arsimit të mesëm cilësor për të gjithë fëmijët , të arrijë barazinë gjinore dhe të ndërmarrë veprime urgjente kundër ndryshimeve klimatike. Me këtë ritëm, asnjë nga këto synime nuk do të arrihet.

Klima do të jetë gjithashtu në qendër të një samiti të klimës të planifikuar për të mërkurën dhe ngjarjet mbi këtë temë do të mbahen gjatë gjithë javës; dje një demonstrim i dhjetëra mijëra njerëzve - përfshirë kongresmenen Alexandria Ocasio Cortez dhe aktoren Susan Sarandon - kaluan Manhattanin, duke i kërkuar Bidenit të ndalonte miratimin e projekteve të reja në lidhje me lëndët djegëse fosile.

Kur Asambleja e Përgjithshme të hapet nesër, presidentët, kryeministrat dhe monarkët e 145 vendeve do të flasin me radhë për ditë të tëra, por për herë të parë në vite, Joe Biden do të jetë i vetmi lider i pranishëm midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Xi Jinping dhe Vladimir Putin nuk nuk do të jenë (po ashtu mungojnë në G20), por mungojnë edhe britaniku Rishi Sunak dhe francezi Emmanuel Macron (njëri sepse ka probleme të brendshme për t'u marrë, tjetri ka mbretin Charles që viziton Parisin).

Gjithashtu mungon indiani Narendra Modi, i cili priti G20-ën ditët e fundit. Këto mungesa i bëjnë vendet në zhvillim të mendojnë se liderët e veriut të botës nuk u interesojnë të vijnë dhe t'i dëgjojnë.

Ndarjet midis fuqive të mëdha, të rënduara nga lufta në Ukrainë dhe konkurrenca SHBA-Kinë në një botë shumëpolare, po e bëjnë më të vështirë gjetjen e marrëveshjes së nevojshme për të adresuar problemet e mëdha globale.

Përpjekja e Guterresit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, është të mbajë në qendër të vëmendjes jo vetëm Ukrainën, por krizat e shumta.

Në fjalën e tij hapëse në Asamblenë e Përgjithshme, Guterres do të thotë nesër se nuk është koha për indiferencë dhe pavendosmëri, por për "vendime reale dhe praktike".

Ai do të nënvizojë gjithashtu se institucionet shumëpalëshe të konceptuara pas Luftës së Dytë Botërore si OKB-ja, Këshilli i Sigurimit, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë nevojë për reforma për t'i “i bërë ato më të drejta dhe më përfaqësuese të botës ë sotme”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë