Irena Beqiraj

Udhëtimi i një Presidenti!


Në rrjetet sociale u shfaq kjo listë e cila përcakton grupin që do të shoqërojë Presidentin e Republikës më të varfër të Europës në mbledhjen e OKB-së.

Lista (që uroj të mos jetë e vërtetë me shoqëruese edhe parukiere, me drejtorë e këshilltarë lloj e soj,) përveçse më krijoi ndjesi të cilat për shkak të maturisë nuk po i ndaj, më kujtoi poezinë e veçantë të Faik Konicës, dedikuar asokohe “një diplomati që i trajtonte gjërat më të vogla me shqetësimin më të madh”.

"Burri ceremonial"

“Ceremoniali ishte kënaqësia e tij e vetme.

Ai kujdesej seriozisht për epërsinë dhe

rangun,

Duke lëvizur, si një robot me fytyrën e tij të zbrazët,

I ngurtë me stoli ari dhe

medalje të shndritshme.

Dhe pastaj ai vdiq nga ndriçimi

I butë i ditës,

U varros me gjithë madhështinë e duhur.

Por kur jehoi

Zhurma e arkivolit të blinduar, një shaka e djallit

Nga vdekja e rreme e zgjoi

në natën e kobshme.

Rregullat e rrepta të mirësjelljes e ndalonin atë të shfaqte

frikë

Ndërsa krimbat po mblidheshin, pa

nxitim dhe shikim,

Për të planifikuar banketin dhe për të thirrur listën.

Ai vdiq në paqe, fytyra e tij e zymtë u ndez nga

gëzimi,

Teksa pa kolonën solemne të krimbave

Që përparonte sipas protokollit.”

Sipas Konicës Shqipëria e asaj kohe "kishte përfaqësues të tipit bizantin, të korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, të gatshëm për të gjitha kompromiset"!

Uroj që Presidenti Shqiptar i shekullit të 21 të përgenjeshtrojë këtë listë turpi e cila e barazon atë as më shumë e as me pak me përfaqësuesit e Shqipërisë së Konicës.


Copyright © Gazeta “Si”