Futboll

Juve mban lart nderin e italianëve

Jemi në kohë pushimesh, por futbolli dhe sidomos ai europian nuk ka ndërmend të ndalet. Në mungesë të kampionateve europiane, pjesa më e madhe të cilave startojnë duke filluar që nga muaji gusht, angazhimi kryesor i skuadrave të më të rëndësishme në Europë janë turnetë në ShBA dhe Azi. Një nga më të rëndësishmit në këtë drejtim është turneu “Intrenational Champions Cup”. Skuadrat më të forta europiane marrin pjesë në këtë turne dhe testojnë forcat e tyre, por njëkohësisht edhe blerjet e reja në merkato.

Seritë e përballjeve kanë filluar me Borusia Dortmund-Mançester Siti, sfidë e fituar nga gjermanët, që treguan se janë më përpara me përgatitjet në aspektin fizik. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Bajern Mynih, që mundi kampionët e Francës, PSG në shifrat 3-1. Por edhe triumfi sërish 3-1 i Dortmund me Liverpulin një ditë më vonë tregoi se gjermanët, përveçse janë për përpara me përgatitjet, e kanë marrë më seriozisht këtë kompeticion.

Sakaq mbrëmjen e së mërkurës në “Internacional Champions Cup” kanë zbritur tre skuadrat e para italiane. Juventus, Milan dhe Roma kanë luajtur ndeshjet e tyre të para në këtë turne, por ajo që “nderoi” Italinë është ekipi torinez. Skuadra bardhë e zi ka mposhtur me rezultatin 2-0 Bajernin e Mynihut, ndërsa milanezët janë mundur vetëm me penallti nga Mançester Junajtid. Me formën e treguar në ndeshjen me bavarezët, skuadra e Alegrit ka treguar se këtë vit do të jetë një nga pretendentet kryesore për të triumfuar në Ligën e Kampionëve. Sakaq Roma e shpenzimeve të mëdha këtë verë është shpërfytyruar nga Totenham duke u mundur me rezultatin e thellë 1-4.  Ndeshja tjetër e mbrëmjes së shkuar mes Benfikës dhe Dortumund është mbyllur në baarzim 2-2, por ka dhuruar spektakël.

Liverpuli nga ana tjetër ka fituar duelin e parë me kampionët në fuqi të Premier League, Mancester Siti. Skuadra e Klop ka zhvilluar një lojë të mirë dhe dëshmon edhe një herë se do të jetë një pretendente e denjë për ta fituar kampionatin anglez. 

Oraret e vështira për t’u ndjekur

Në këto ndeshje në fushë zbresin disa nga lojtarët më të mirë në botë. Por në Europë është shumë e vështirë që të ndiqen për shkak të orareve të papërshtatshme. Një tifozi italian apo anglez do i duhej të qëndronte gjithë natën zgjuar për të parë skuadrën e tij të zemrës teksa luan në orën 1 apo 3 të mëngjesit. Por, për vendin tonë kësaj problematike me oraret i shtohet edhe një tjetër çështje. Ka të bëjë me transmetimin televiziv të këtij kompeticioni, të drejtat e të cilit nuk janë blerë nga asnjë platformë televizive dhe shqiptarët janë të detyruar të gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për të parë idhujt e tyre teksa luajnë në ndeshjet e para sezonale. Por sigurisht shikueshmëria në Europë e këtyre ndeshjeve për këto klube shumë pak rëndësi ka, kur në lojë janë milionat që vijnë nga marketingu nga Azia dhe ShBA, atëherë edhe zgjidhja është më e kuptueshme.

Turneu do të zgjasë edhe dy javët e ardhshme dhe do të mbyllet me sfidën mes Inter dhe Atletiko Madrid më datë 11 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë