Rend dhe Ligj

Nigeriani mashtron biznesmenin shqiptar dhe i merr 25 mijë euro me një e-mail të rremë

Gazeta Si - Një shtetas nga Nigeria është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet se përmes mashtrimit ka arritur t’i marrë një biznesmeni me banim në Tiranë nëpërmjet një e-maili të rremë një shumë prej 25 mijë eurosh.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest me burg” në mungesë për nigerianin, i cili përmes një skeme të tillë ka përvetësuar një shumë jo të vogël.

Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se biznesmeni shqiptar me ininciale E.B., i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij në import detergjentësh kryesisht nga Italia, ra pre e mashtrimit nga shtetasi nigerian, i identifikuar si Sabastian Victor Negbenedor.

Ky i fundit i dërgoi biznesmenit një email, ku i kërkoi shumën prej 25.000 eurove në llogari të kompanisë që biznesmeni merrte detergjentë.

Gjatë aktivitetit të tij ndër vite, ai komunikonte me palën italiane nëpërmjet e-mailit me qendër në Bolonja, Itali ku dhe bënte transferta për mallin që merrte në Shqipëri..

"Në datën 07 shtator 2020, i vjen një e-mail, ku i kërkohej të dërgonte shumën prej 25.000 eurosh në llogari të kompanisë, po tashmë jo në Itali, por në Gjermani. Kallëzuesi nuk e konstatoi që trasferta e eurove nga Italia duhet të dërgohej në Gjermani, duke kryer pagesën dhe vetëm kur pala italiane kërkoi pagesën, kuptoi mashtrimin", sqarohet në njoftimin e prokurorisë.

Me mbërritjen e letërporosive, u identifikua se autori i mashtrimit dhe përfituesi i 25.000 eurove, ishte shtetasi nigerian Negbenedor, i lindur në Warri, Nigeri dhe banues në Dublin, Irlandë.

Hetimet provuan se ky shtetas ka kryer aktivitetin kriminal të “Mashtrimi kompjuterik, ndaj u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ në mungesë, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë