Ngrihet Komisioni i Pavarur që do të realizojë procesin e monitorimit të Reformës në Drejtësisë, si dhe mënyrën se si do të zbatohet ligji për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi në fjalën e tij përpara komisionit tha se ngritja e kësaj strukture duhet të ishte realizuar më parë, duke fajësuar opozitën për bojkotin parlamentar, pasi kjo ndikoi në ngritjen e kësaj strukture të posaçme.
“Deri më tani ka pasur dhe vonesa dhe pengesa, por tashmë reforma ka hyrë në rrugën e zbatimit dhe është pa kthim pas. Ky komision duhej të ngritur më parë, por për shkak të bojkotit të opozitës ky komision nuk u ngrit në kohën e duhur. Me fillimin e legjislaturës së re, Kuvendi priti kthimin e opozitës, por për aq kohë sa opozita vazhdon të jetë jashtë Kuvendit, sigurisht që Kuvendi nuk mund të presë. Prandaj në zbatim të këtij detyrimi ligjor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vendimin për ngritjen e Komisionit për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.-tha Ruçi.
Siç dihet, tha kryeparlamentari, komisioni përbëhet nga pesë anëtarë përgjegjësit që ligji u ka dhënë janë thelbësore për zbatim me sukses të reformës në drejtësi.
“Ligji ju kërkon me përgjegjësi për zbatimin e kësaj reformë si për monitorimin e përzgjedhjes së kandidatëve si dhe zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, siç janë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë si dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Së dyti është detyrimi ligjorë që ky komision bënë koordinimin e punës ndërmjet organeve që zbatojnë ligjin dhe ndjek ecurinë e zbatimit të ligjit nga institucionet respektive brenda afateve ligjore të përcaktuara me ligj”, tha kryetari i Kuvendit.
Më tej, Ruçi vendosi theksin te përmbushja e detyrimit ligjor të Kuvendit të Shqipërisë për reformën në drejtësi.
“Institucioni i Kuvendit vazhdon të përmbushë me përgjegjësi detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore që burojnë nga reforma në drejtësi. Kështu miratimi i ligjeve pjesë e paketës së reformës në drejtësi, ngritja e anëtarëve të Vettingut, miratimi i organikave dhe buxheteve për to, zgjedhja e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokuror për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, janë disa nga drejtimet themelore dhe detyrimet që ka pasur Kuvendi të cilat i ka përmbushur deri më tani”, tha ai.
Në fund, komisioni me vota të hapura zgjodhi kryetarin e Komisionit të Pavarur të Monitorimit zgjedh kryetar Artan Spahiu, ndërsa si sekretare e komisionit, Lindita Rusmali. Sekretarja e komisionit është bashkëshortja e ish-deputetit të PD-së, Ilir Rusmali.
Komisioni ka pesë anëtarë, ata janë: Artan Spahiu; Irena Nino; Lindita Rusmali; Saimir Vishaj dhe Petrit Plloçi (ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese).
Ky konstituim u realizua në prezencën e organizmave ndërkombëtare si OSBE, OPDAT, EURALIUS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.