Futboll

Ngjarje e rëndë në Europa League, gjakoset arbitri në Austri

Ndeshjet e para të turit të tretë eliminator të Europa League kanë dhuruar emocione, gola pa fund, humbje të paparashikuara të skuadrave të mëdha, por mbi të gjitha një episod shumë të shëmtuar: gjakosjen e një arbitri anësor në Austri. Gjatë ndeshjes mes Shturmit të Gracit dhe qipriotëve të AEK Larnakës, një goditje perfekte me një kanaçe birrë nga shkallët e stadiumit nga një tifoz ka bërë që arbitri anësor nga Suedia, Fredrik Kliver, të rrëzohet në fushë i gjakosur. Menjëherë janë thirrur mjekët për ndihmën e shpejtë, për të pushuar hemoragjinë në kokën e çarë të arbitrit. Loja u ndërpre për disa minuta dhe arbitri, me kokën e fashuar, u fut ë ambientet e brendshme të stadiumit. Ishte minuta e 79-të dhe arbitri kryesor, Al Hakim, urdhëroi që të dyja skuadrat të futeshin në dhomat e zhveshjes dhe më pas ato u kthyen në fushë për të luajtur minutat e mbetura.

Një ngjarje e rëndë, që patjetër do të ketë pasoja për skuadrën austriake nga UEFA, që në të tilla raste nuk fal dhe nuk bëhet fjalë vetëm për gjobë. Ajo që habit lidhet me faktin që ndodh në një vend si Austria, që më parë nuk ka pasur probleme të kësaj natyre, përleshje tifozësh dhe aq më tepër sulme ndaj arbitrave të ndeshjes. Klubi i Shturmit i ka kërkuar ndjesë publike arbitrit suedez, ndërkohë që tifozi që lëshoi kanaçen e birrës është shoqëruar nga policia. Gjithçka shkoi keq për austrikaët në këtë ndeshje, ku AEK Larnaka fitoi me rezultatin 0-2, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Ishte pikërisht momenti i golit të dytë të ekipit mik që solli edhe reagimin e tifozit të Shturmit.

https://www.youtube.com/watch?v=dGkgn5J1074
Momentet kryesore të ndeshjes Shturm-AEK Larnaka, mes tyre dhe gjakosja e arbitrit

Surprizat ishin të shumta mbrëmjen e së enjtes, kur skuadra të mëdha në arenën ndërkombëtare janë mundur thellë. Zeniti u mund 4-0 nga Dinamo e Minskut në Bjellorusi, ashtu si dhe Fejnordi që pati të njëjtin në fat në Sllovaki, ku u mund nga Trencin. Lajpcigu mposhti bindshëm 3-1 Universitatean e Kraiovës, ndërsa Bordo triumfoi po me këtë rezultat në fushën e ukrainasve të Mariupol. Beshiktashi dhe Bazeli fituan ngushtë, 1-0, përkatësisht ndaj Laskut dhe Viteses.

Olimpiakosi konfirmoi mentalitetin europian, duke mundur 4-0 Lucernën, ndërkohë që Gllasgou Rejnxher i trajnerit Stiven Xherard fitoi 3-1 me Mariborin, skuadrën sllovene që në turin e parë eliminoi Partizanin. Sevilja u mjaftua me një gol të argjentinasit Ever Banega ndaj Zalgiris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë