Mendim

Ngërçi për Kushtetuesen, Hazizaj: Qesharak! KED shkeli Kushtetutën

Nga Bledar Hoti - Në një koment dhënë për gazetën “Si”, konstitucionalisti, Sokol Hazizaj e vlerëson si të stisur, qesharake dhe të pakuptimtë përplasjen e re mes Presidentit Ilir Meta dhe Kuvendit sa u takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo është një betejë idiote, e stisur dhe pa sens. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese realizohet si pasojë e urdhërimit kushtetues që është shumë i qartë në nenin 129 të Kushtetutës, ku thuhet se “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit”, thotë Hazizaj.

Juristi i njohur kujton përcaktimet Kushtetuese për zgjedhjen e anëtareve të gjykatës dhe nënkupton se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shkelur Kushtetutën duke mos plotësuar detyrimin administrativ, që lidhet me afatet e dorëzimit të listave në Presidencë dhe Kuvend.

“Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”. Nisur nga ky kuptim çdo përpjekje për të lëvizur nga drejtëza ku tre organet prodhojnë tre kandidatura sipas radhës së sipërcituar në Kushtetutë është jo normale. KED, në vështrimin administrativ ka vetëm një detyrim, i cili vjen për pasojë të vakancës/kërkesës së organit që ka të drejtën të zgjedhë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Mosplotësimi këtij deryrimi është jokushtetues”, thotë ai.

Këtë fakt e nënvizoi edhe Presidenti Ilir Meta në kërkesën që i ka dorëzuar më 5 nëntor Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ku i kërkon që të ndërpresë procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të paktën për vakancat që i takojnë Presidentit. Megjithatë, Hazizaj mendon se ka një rrugëdalje nga ky ngërç, megjithëse e vlerëson si të sforcuar.

“Nga ana e tij, (Presidenti) mundet që të lëvizë në zgjidhje të situatës jo normale, duke plotësuar nga vendet që i takojnë dhe kjo e fundit është e sforcuar, por nisur nga karakteri jo normal i kohës që enden organet kushtetuese, mund të vihet në lëvizje pasi mbarojnë afatet e organeve të tjera”, deklaron Hazizaj.

Në fund, Sokol Hazizaj thotë se më shumë sesa ligjor, ngërçi është pasojë e përplasjes së aktorëve politikë.

“Gjithësesi, kuptohet qartë se aktorët politikë, edhe kësaj radhe si gjithmonë, në mënyrë qesharake vendosin organet në ngërç kushtetues dhe ligjor, deri sa të gjejnë kompromisin me njëri-tjetrin në kurriz të shërbimit ndaj drejtësisë. Çdo interpretim tjetër, ku prevalon afati mbi mënyrën se si zgjidhet organi është qesharak”, përfundon Hazizaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë