Politike

Ambicia e PS: Kushtetuesja në pranverë, zgjedhorja për Krishtlindje dhe KÇK-ja brenda muajit

Partia Socialiste i ka vendosur vetes pranverën e 2020 si afat për ngritjen dhe rikthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe Krishtlindjen si afatin fundor për përmbylljen e reformës zgjedhore, që janë pjesë të kushteve të vendosura nga Gjermania për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në fjalën e mbajtur në takimin ku u prezantuan kandidatët për zgjedhjet brenda partisë, Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve, Taulant Balla u shpreh optimist për këtë.

“Ditën e hënë përmbyllim fazën e parë të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e Kushtetueses të hënën, për të mundësuar që deri në fund të janarit Kuvendi të ketë zgjedhur edhe anëtarin e tretë, që i takon Kuvendit të Shqipërisë. Ky është hap i rëndësishëm për të mundësuar që brenda pranverës Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale”, tha Balla.

Mazhoranca thotë se përcaktimi kronologjik President-Kuvend-Gjykatë e Lartë i zgjedhjes së anëtarëve nuk mund zbatohet përsa kohë Gjykata e Lartë është jashtë funksionit.

Por, Presidenti Ilir Meta ka qortuar procedurën e ndjekur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Meta mori dy listat për dy vakancat e shpallura prej tij në 8 tetor, ndërsa Kuvendi më 14 tetor. Në një reagim për gazetën “Si”, KED tha se diferenca kohore e dorëzimit të listave nuk lidhej me asnjë motivim ligjor, por vetëm me volumin e punës dhe burimet njerëzore të kufizuara në këtë proces.

Për vakancën e parë, Presidenti zgjodhi Besnik Muçin, që nuk ka kaluar ende vettingun, ndërsa nuk zgjodhi asnjë kandidat në listën e dytë brenda 30 ditëve. Kushtetuta përcakton që nëse Presidenti nuk zgjedh një nga tre emrat e parë në listë, atëherë kandidati i renditur i parë në listën e KED-së zgjidhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë rast, sipas këtij përcaktimi, Arta Vorpsin e ndan vetëm betimi nga marrja e detyrës si gjyqtare kushtetuese. Betimi duhet të ndodhë para Presidentit. Por, Presidenti e kundërshton procesin duke u mbështetur në faktin se Kushtetuta nuk ja cakton atij plotësimin e vakancës së dytë në Gjykatën Kushtetuese, por Kuvendit. Për këtë arsye, ai i kërkoi KED-së përmes një letre që të pezullojë procedurat të paktën për kandidatët që duhet të zgjedhë Presidenti.

Sa i takon reformës zgjedhore, Balla dha si afat Krishtlindjet.

“Do të përmbyllim brenda Krishtilindjeve edhe reformën zgjedhore me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe do t’i kalojmë në Kuvend për të qenë gati zbatimi i tyre për zgjedhjet e 2021”, tha Balla.

Mes ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, Sekretari i Përgjitshëm i socialistëve përmendi rregullat për financimin e partive politike, por jo sipas një propozimi të Partisë Demokratike, që kërkon financim vetëm nga buxheti i shtetit dhe jo nga subjektet private. Marrë shkas nga akuza e prokurorisë ndaj Lulzim Bashës dhe zyrtarëve të tjerë të Balla foli për forcim të rregullave.

“Duhet të ndryshojmë rregullat për financimin e partive politike. Drejtësia sapo vërtetoi që një parti politike ka falsifikuar deklarimet përsa i përket financimit. Ky është një akt i rëndë që tregon se rregulluat duhen forcuar që të mos lejojmë asnjë financim të huaj”, tha Balla.

Kjo nënkupton se socialistët do të vazhdojnë përpara me reformën në Komisionin e Posaçëm të ngritur në Parlament, duke përjashtuar propozimin e Partisë Demokratike që reforma të hartohet nga një strukturë ekstraparlamentare me përfshirjen e ndërkombëtarëve.

Në këtë takim ra në sy fakti që Kryeministri Edi Rama nuk foli. Vetë kryesocialisti reagoi në Tëitter, ku njoftoi hedhjen në letër të dy nismave të artikuluara prej tij pas atenatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

https://twitter.com/ediramaal/status/1193115922065739777

“Kur dal përditë, pse del përditë, pse del përditë?! Kur s’dal ca ditë, çfarë ka që s’del përditë. Historia e vjetër hip se të vrava, zbrit se të vrava. Sot e kam nisur ditën me grupin e punës për ligjin special për krimin e organizuar dhe masat kundër KÇK, që po finalizohen në letër”, deklaroi ai.

Ashtu si Balla dha afate për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe reformën zgjedhore, edhe Rama jep afate për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe masat kundër “KÇK”-së.

“Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK-së”, shkruan Rama, duke njoftuar më pas se është nisur për në Ohër në kuadër të takimit të radhës për të ashtuquajturin “Shengeni Ballkanik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë