Politike

“E ka kush e ka” – Loja me emërimet në Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u akuzua nga Presidenti Ilir Meta se nuk ka marrë parasysh përcaktimin kushtetues të kronologjisë së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke e vënë Presidencën në vështirësi dhe përpara faktit për t’u shprehur brenda 30 ditëve për plotësimin e vakancës së dytë në Kushtetuese, në një kohë që Kushtetuta, sipas Presidencës, përcakton se vakanca e dytë duhet të plotësohet nga Kuvendi.

E gjithë përplasja lidhet me momentin e dorëzimit të listës përfundimtare të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Në Presidencë, dy listat u dorëzuan në datë 8 tetor, ndërsa në Kuvend në datë 14 tetor, pavarësisht se të katër listat u miratuan në të njëjtën ditë, më 21 shtator 2019.

Kontaktuar nga Gazeta “Si”, KED thotë se diferenca kohore prej një javë distancë mes listave të dorëzuar tek Presidenti dhe atyre të dorëzuar në Kuvend nuk lidhet me asnjë motiv ligjor, por vetëm me volumin e madh të punës.

“Dërgimi i listave përfundimtare të renditjes së kandidatëve, si edhe i materialeve të tjera, me diference ditore nga njera-tjetra nuk ka ndodhur për ndonjë motiv të caktuar ligjor, por ka lidhje vetem me punën voluminoze që kërkohej nga pikpamja administrative për përgatitjen e të gjithë dokumentacionit për të katër vendet vakante që u dërgoheshin të dy organeve të emërtesës”, deklaroi për Gazetën “Si”, zëdhënësja e KED, Ida Vodica.

“KED nuk ka vlerësuar që koha e dërgimit të akteve pranë secilit organ emërtese ka ndonjë lidhje me radhën e vendimarrjes për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentit dhe e Kuvendit”, vijon deklarata.

Në të njëjtin reagim, KED kujton se për secilin vend vakant përgatit kopje të plota të vendimeve të marra prej këtij institucioni, por edhe të dokumentacionit të administruar gjatë procedurave të verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve, për çdo rast që Presidenti, ose Kuvendi mund t’i kërkojnë. KED thotë se për të gjithë këtë punë voluminoze ka mungesë stafi.

“Këshilli mbështetet dhe përdor vetëm personelin administrativ të Gjykatës së Lartë, personel i cili, jo vetëm që është i kufizuar në numër, por njëkohësisht duhet të përmbushë edhe veprimtarinë e zakonshme dhe shumë të ngarkuar të përpunimit të dokumentacionit dhe dosjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë.

Radha e plotësimit të vakancave që duhej ndjekur. Gazeta Si, 8 nëntor 2019

Pra, KED thotë se procesi është tërësisht i rregullt dhe se Arta Vorpsin, e renditur e para në listën që KED i dorëzoi Presidentit më 8 tetor, e ndan vetëm betimi nga marrja zyrtarisht e detyrës. Edhe nga Kuvendi “shpërfillet” pjesa e kronologjisë së përcaktuar në Kushtetutë. Përfaqësues të mazhorancës kanë nënkuptuar se kriteri kronologjik President-Kuvend-Gjykata e Lartë nuk mund të zbatohet përsa kohë Gjykata e Lartë është jashtë funksionit.

“Gjykata Kushtetuese ka në përbërje 9 anëtarë, që sipas formulës kushtetuese, 3 i takojnë Kuvendit, 3 Presidentit dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Aktualisht Kuvendi do të përmbushë detyrimin për dy vakancat që janë në proces, ndërsa për vakancën e tretë është mbyllur lista e aplikimeve dhe KED po vijon punën për të shqyrtuar kushtet dhe kriteret ligjore dhe për kandidatët e tjerë, që i takon njëri Kuvendit dhe tjetri Presidentit të Republikës. E thënë më qartë, janë të gjitha premisat e duhura kushtetuese dhe ligjore që për tre vendet që i takojnë Kuvendit dhe Presidentit të plotësohen me numrin e anëtarëve të saj”, thotë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Ndërkohë, burime nga Presidenca konfirmojnë për Gazetën “Si” qëndrimin se i takon Kuvendit që të zgjedhë anëtarin e dytë të Kushtetueses, duke plotësuar kështu edhe radhën e emërimeve. “Pra, anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjedh Presidenti, por Kuvendi, ndaj dhe Presidenti ka nxjerrë vendimin për pezullimin”, deklarojnë burimet.

Në lidhje me këtë përplasje, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një reagim për Gazeta “Si” shprehet se “nuk ka një përgjigje të qartë ligjore në një situatë që është e gjitha e paligjshme”. “Do të mbarojë edhe kjo lojë dhe do të hanë atë që kanë gatuar vetë”, thekson Manjani.

Parlamenti ka vendosur që të hënën, më 11 nëntor të votojë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Në listën e dërguar nga KED është edhe Besnik Muçi, por ai është dekretuar nga Presidenti Meta, si anëtar i Gjykatës. Ndërsa në këtë seancë emri i tij pritet të hiqet dhe në garë të jenë vetëm dy kandidatë Arta Vorpsi, Elsa Toska, ndërsa në listën e dytë Arta Vorpsi, Fjona Papajorgji dhe Elsa Tosku. Mbi bazën këtij përcaktimi, do të ketë votim për dy kandidatë, pasi në votimin e parë nëse nuk arrihen 84 votat, atëherë Arta Vorpsi, si e renditura e para shpallet automatikisht anëtare e Gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë