Politike

Plotësimi i Kushtetueses, Meta letër KED: Ndalni procesin derisa të zgjedhë Kuvendi

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që të pezullojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se as ky institucion dhe as Kuvendi nuk kanë respektuar afatet dhe përcaktimet kushtetuese për zgjedhjen e këtyre anëtarëve.

“Në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi, apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit”, thuhet në letrën që Presidenti i ka dërguar KED-së.

Meta thotë se ky vendim administrativ i KED-së shkel përcaktimin kushtetutes të kronologjisë President-Kuvend të plotësimit të vakancave në Kushtetuese, duke i lënë plotësimin e dy vakancave radhazi nga Presidenca dhe asnjë nga Kuvendi.

“Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, thotë Presidenti.

Për këto arsye, Presidenti kërkon që të pezullohet procesi i zgjedhjes së vakancës së dytë prej tij dhe të pritet zgjedhja e anëtarit të parë nga ana e Kuvendit të Republikës.

Për më tepër, Presidenti thotë se zgjedhja e një anëtari prej tij do të ndikojë drejtpërdrejtë në listën e dorëzuar nga KED për dy vakanca në Kuvend. Lista është e njëjtë. Ajo kryesohet nga Arta Vorpsi, ndjekur nga Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Nëse Presidenti zgjedh njërën prej këtyre kandidaturave, atëherë Kuvendi do të duhej të zgjidhte njërën mes dy kandidaturave që mbeten dhe kjo, sipas Presidencës shkel përcaktimin që kushtëzon listën me tre emra.

Megjithatë, Presidenti nuk ka fuqi të bllokojë procesin. Nëse deri në mesnatë ai nuk zgjedh asnjë kandidaturë, Arta Vorpsi, si e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të pasojë Besnik Muçin duke u emëruar gjyqtarja e dytë e Gjykatës Kushtetuese sipas reformës në drejtësi.

Kjo do të thotë se Kuvendit, në seancën e 11 nëntorit do t’i duhet të zgjedhë njërën mes Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit. Të trija këto kandidatura dolën para Komisionit të Ligjeve në fillim të kësaj jave, ku doli në pah edhe rezultati i marrë prej tyre në testin e organizuar nga Shkolla e Magjistraturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë