Trashëgimi

Biznesi me Parkun e Butrintit, pse shteti po i fal fitimet një fondacioni të huaj?

foto e parkut

Nga Gazeta Si - Ndonëse të gjithë ekspertët e fushës së trashëgimisë kulturore dhe nga radhët e opozitës janë ngritur kundër dhënies së Parkut të Butrintit një fondacioni privat për menaxhimin e tij për 10 vite, qeveria  shqiptare e cilëson këtë mënyrë menaxhimi si një arritje për të gjeneruar më shumë të ardhura nga trashëgimia kulturore.

Në Kuvendin e Shqipërisë, Ministria e Kulturës depozitoi marrëveshjen e plotë me këtë fondacion të shoqëruar bashkë me aktin e themelimit të tij.

Kontrata midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit parashikon zhvillimin e parkut kombëtar për shërbime turistike, duke investuar në restorante dhe një shërbim vozitje me varka, si dhe sigurimin e të ardhurave nga shitja e biletave, e ushqimeve dhe pijeve përreth parkut arkeologjik. Por, mes dokumenteve të dorëzuara mungon plani i biznesit.

Plani i biznesit është përgatitur nga një kompani angleze në vitin 2019, kompani që është kontraktuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan.

Sipas ministres Margariti kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik (AADF) është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Gazeta Si u interesua pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për të mësuar se si është përzgjedhur fondacioni privat; cilat kanë qenë kriteret, procedurat, a ka eksperiencë ky fondacion në administrimin dhe pse duhet t’i marrë një fondacion të ardhurat kur mund t’i merrte shteti shqiptar. Por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Instituti nuk dha një përgjigje.  

Ndërkohë marrëveshja në një prej pikave të themelimit të fondacionit, mes objektivave parashikon edhe shërbime të informimit dhe shoqërimit, duke përfshirë audio-guidë, guidë turistike, qendër vizitorësh me shërbime ndihmës, përfshirë shfaqje të ndryshme kulturore, sociale, teatër, kinema dhe çdo aktivitet tjetër argëtues.

Aktet e fondacionit

Gjithashtu, fondacioni mund të ngrejë kafene, restorante, librari dhe qendër shitjeje, të sigurojë të ardhura nga e drejta e autorit dhe e marketingut e reklamat. Kohëzgjatja e funksionimit të këtij fondacioni është me afat të pacaktuar.

Organet drejtuese të fondacionit janë dy, bordi i drejtorëve dhe drejtori ekzekutiv. Në bordin e Drejtorëve janë anëtarë Elva Margariti, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli, Flonja Boriçi dhe Richard Hodges. Ndërsa drejtori ekzekutiv është arkeologu Lorenc Bejko, i cili ka qenë drejtori i Institutit i Monumenteve të Kulturës për 5 vite.

Sipas marrëveshjes të gjithë anëtarët e këtij bordi janë të barabartë dhe asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë vetoje, ndërsa vendimet merren me shumicë votash.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama të enjten në sallën e Kuvendit nuk dha një përgjigje të shteruar se si do të funksionojë kjo mënyrë e re menaxhimi e siteve, por në fjalën e tij u mjaftua me ofendimet ndaj opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë