Histori

Nga ‘playboy’ në ‘taleban pa mjekër’, emancipimi i kundërt i kryeministrit të Pakistanit

Kur talebanët hynë në Kabul më 15 gusht dhe presidenti afgan u largua, Imran Khan festoi fitoren me shpejtësinë e lojës së kriketit. "Unë përgëzoj popullin afgan që më në fund kanë thyer zinxhirët e skllavërisë së tyre".

"Zinxhirët" ishin ata të imponuar nga aleati amerikan, "skllavëria" ishte përpjekja për të sjellë demokracinë dhe "urimet" shkuan për një popull që rrezikon të hyjë përsëri në errësirën e fanatizmit. Imran Khan ishte një “playboy”, kampion, president dhe tani është "talebani pa mjekër".

Ai drejton një vend, Pakistanin, i cili ka përafërsisht 210 milionë banorë, një arsenal atomik të aftë për të sulmuar armikun, Indinë dhe një grup të madh islamikësh të armatosur dhe agresivë. Nga ana e tij, ai ka një ego që përzihet me ozonin në stratosferë.

Ai ishte lojtari më i mirë i kriketit në botë, shpiku një gjuajtje që nuk ekzistonte më parë dhe është politikani që ka fituar më shumë nga fitorja e talebanëve në Afganistan.

Karizma e tij josh votuesit, si shoqërueset e nuseve më të mira të aristokracisë londineze dikur, por cilësitë e tij të panumërta, jo domosdoshmërisht e bëjnë botën një vend më të mirë. Përkundrazi.

A është Imran Khan “kukulla” e gjeneralëve të tij, një revolucionar islamik apo një populist i suksesshëm? Ndoshta të tre gjërat së bashku.

Prejardhje e elitës post-koloniale

Prej elitës pak-koloniale pakistaneze, ai zbarkoi në Britaninë e Madhe në vitet 1970. Shkon në atdheun e mëparshëm për të kuptuar se çfarë është e veçantë për britanikët që të jenë në gjendje të nënshtrojnë botën për kaq shumë vjet. Ai është po aq i bukur sa dielli, i gjatë, atletik, simpatik. Në moshën 19 vjeç, nuk është i interesuar për politikën dhe as filozofia e kursit të tij të diplomës. Mendon për vajzat dhe kriketin.

Ai tashmë është një lojtar i mirë, por në Oksford, evoluon, ndryshon qasjen e tij ndaj lëvizjeve, bëhet më i miri në universitet. Në fund të çdo loje, dilte me një femër të ndryshme: aktore, modele, trashëgimtare, aristokrate.

Tabloidi “The Times”, çdo të martë publikonte "bionden" e radhës. Një faqe vetëm për emra të njohur nuk do të ishte e mjaftueshme.

Kriketi dhe vajza e paligjshme

Nga ato vite, si një kampion që nuk përmbahej me femrat, shtypi i ka atribuuar një vajzë të paligjshme dhe ndoshta katër fëmijë të tjerë ë nuk i ka njohur kurrë.

Në moshën 35 vjeç, Khan vendos të lërë sportin, si një kampion i vërtet. Asgjë për të bërë, por e jashtëzakonshmja e ndjek.

Presidenti pakistanez e njofton lajmin në TV si një favor personal dhe kthehet të drejtojë ekipin kombëtar në Kupën e Botës '92 dhe triumfon. Një Khan në një gjendje fantastike e çon Pakistanin në titullin e tij të parë dhe të vetëm botëror.

Ai është 40 vjeç. Rrethi i djalit të ardhur nga ish-kolonitë, është i mbyllur: në finale, Khan mund Anglinë me një shfaqje mjeshtërore. Tre vjet më vonë, ai martohet me Jemima Goldsmith, e bukur, miliardere dhe 22 vjet më e re e ai. Ajo e do atë dhe vjehrri i Imranit është edhe më i pasur se Mbretëresha Elizabeth.

Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, në vitin1992, kur drejtoi ekipin kombëtar pakistanez të kriketit drejt fitores botërore

"Mos hajde në shtëpi tek unë me një grua jo-besimtare", - i kishte thënë nëna e tij. Ai pothuajse bindet. Jemima konvertohet në myslimane dhe bëhet Haika. Martesa është pika kryesore midis Imranit të vjetër të shpërbërë dhe atij të ri: të devotshëm.

Ish-djali i artë nga klubet e natës u godit nga besimi. Në dasmë ka ftuar Henry Kissinger, Elle Macpherson, princeshat mbretërore, të përziera të pasura dhe Imran ngre dolli me një gotë me lëng frutash.

Të porsamartuarit shkojnë të jetojnë në Lahore, qytetin e tij, në një shtëpi që revistat rozë e përshkruajnë si pa shije dhe me divane të ndotura.

Me vdekjen e nënës së tij, ai përdor të gjitha pasuritë e veta, plus atë që mund të marrë nga vjehrri dhe ish-shokët e tij në ndërtimin e një spitali me 250 shtretër.

Është “Shaukat Memorial Trust Hospital”, kushtuar nënës, falas për të gjithë. Imran Khan e paraqet projektin si mënyrën islame të Shtetit të Mirëqenies, në fakt është debutimi i tij në politikë si një kampion i të varfërve.

“Virtytet morale do të na bëjnë të barabartë me vendet më të zhvilluara”, - thotë ai. Spitali është falas vetëm për disa muaj, madje edhe mikesha Lady Diana e viziton, e bukur nën vello, por mesazhi mbetet së bashku me një kuotë shtretërish për nevojtarët.

Imran Khan, gjatë një ndeshjeje kriketi

Ish-beqari i penduar, kampion i të varfërve

Khan tani është një njeri i lirë i penduar. "Unë nuk isha një engjëll në jetën time si beqar. Por tani po dëgjoj Profetin që mëson: ‘vendos shaminë mbi mëkatet e tua, sepse nëse i shfaq ato, i nxit të tjerët t'i bëjnë ato’".

Ai udhëton vazhdimisht për të promovuar spitalin, për të mposhtur korrupsionin e politikanëve dhe aleancën e tyre me Amerikën imperialiste dhe të korruptuar nga lart. Në shtëpinë e Lahores, nusja miliardere e pret me dy fëmijët e saj, ai përsos imazhin e mbrojtësit të tyre.

Nga etnia pashtune, njësoj si talebanët, njësoj si fiset që jetojnë në male në kufirin me Afganistanin, ai shkon gjithnjë e më shumë kundër jetës së tij të vjetër. Gratë? "Më mirë të dalin me vello. Divorcet? "Dashuria nuk është e nevojshme në martesë. Më mirë një dasmë e organizuar”. Menjëherë pas 11 shtatorit 2001, ai bërtet: "Rroftë Osama Bin Laden," krye-terroristi i Al Kaedës.

Imran Khan, i shoqëruar nga studentët e partisë Jamaat-e-Islami, gjatë një vizite në Universitetin e Lahores në vitin 2007

Khan tani po flirton me islamin ekstremist, ashtu si shërbimet sekrete pakistaneze që furnizojnë armë dhe para për talebanët afganë.

Në vitin 2002, në zgjedhjet e para, ai mori më pak se 1% të votave. Ashtu si me kriketin, ka durim edhe në politikë. Gruaja e tij, Jemima-Haiqa, garanton fondet për një parti jo shumë të madhe.

Ai do të donte vota nga qarqet fetare, por e kaluara e tij është e rëndë për t’u tretur me mjekra të gjata. Lundron prej vitesh. Në vitin 2013, fiton 30 vende në Parlament.

Ndërkohë, divorcohet, martohet përsëri, divorcohet përsëri, martohet përsëri. Më në fund me një grua myslimane të devotshme. Bëhet më i sertë, më pak elastik, i mbijetoi dy atentateve, por sërish është tërheqës.

Khan nuk ka lindur me bazën feudale të partive historike pakistaneze, por është i popullarizuar, jashtëzakonisht i popullarizuar. Për këtë, thonë kundërshtarët, Forcat e Armatosura dhe shërbimet sekrete e zgjedhin atë si kandidatin e tyre.

Kryeministri pakistanez gjatë një fjalimi

Ish seks-simboli dhe “bomba” e terroristëve

Vendi është në prag të luftës civile: amerikanët presin që Islamabadi të ndërpresë marrëdhëniet midis fiseve pakistaneze dhe afgane pashtune që mbështesin talebanët.

Ekstremistët reagojnë me një fushatë terroriste në të gjithë Pakistanin. Ushtria dëshiron të dalë nga një konflikt që po i copëton dhe, në vend të një grushti shteti tjetër, ata kërcënojnë konkurrentët e mundshëm, duke i hapur rrugën Imran Khanit në selinë kryeministrore.

Të interesuarit, natyrisht, e mohojnë atë, por, sido që të ndodhë, në vitin 2018, në moshën 65-vjeçare, ish seks-simboli u bë kryeministër i një Pakistani, ku rreziku që bomba bërthamore të përfundonte në ndonjë grup ekstremist, ishte i vërtetë.

Autori i Vargjeve Satanike, Salman Rushdie, e djeg Khanin duke e quajtur "një Gaddafi me pamje të bukur", por është ish-kreu i shërbimeve sekrete, Hamid Gul, i cili i tregon rrugën: "Një ditë historianët do të shkruajnë se Pakistani me paratë amerikane, i përzuri sovjetikët nga Afganistani dhe më pas, me paratë amerikane, përzuri edhe Amerikën”.

Imran Khan me gruan e tij Jemima, fëmijën e tyre të parë dhe Lady Diana më 22 maj 1997, gjatë vizitës së princeshës në Pakistan

Ai është fituesi i vërtetë i Kabulit

Imran Khan ndjek linjën e tij. Ai kundërshton sulmet e dronëve amerikanë në ndjekje të talebanëve. Kina po i afrohet projekteve të mëdha në Rrugën e Mëndafshit. Mbyll konfliktin me fiset pashtune pro-talebanëve. Fjala e përurimit është e denjë për një mulla pa mjekër: "Unë do të ndërtoj një shtet sipas modelit të atij të Profetit".

Dhe e gjithë kjo, pa i prerë plotësisht lidhjet me Uashingtonin. "Çfarë shërbeu për të luftuar 20 vjet dhe për të krijuar gjithnjë e më shumë rebelë, duke mos shkaktuar ‘dëm kolateral’? Siç thoshte Ajnshtajni, është çmenduri të përsërisësh dhe të përsërisësh të njëjtin veprim dhe të presësh një rezultat të ndryshëm”.

Uashingtoni vendos të pajtohet me talebanët për t'u tërhequr edhe për shkak të "mos-bashkëpunimit" të tij. Studentët islamikë, aleatë me shërbimet sekrete pakistaneze, rrëzojnë qeverinë pro-amerikane dhe pushtojnë Kabulin.

Për Imran Khan është një sukses më i rëndësishëm sesa Kupa e Botës. Ndoshta, përballë vështirësive të qeverisjes, edhe ideologjia islamike do të humbasë një pjesë të tërheqjes së saj.

Por ndërkohë, obsesioni i "ushtrisë së tij" me "thellësinë strategjike", është i kënaqur: në rast të një pushtimi indian, tanket dhe artileria pakistaneze do të jenë në gjendje të tërhiqen në territorin miqësor të Afganistanit dhe prej andej të fillojnë ripushtimin. Fituesi i vërtetë i Kabulit është Imran Khan, "Talebani pa mjekër", kampioni i përjetshëm i gjithçkaje që ai bën.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë