Shendet

Nga mushkëria te veshkat, stuhia që sjell koronavirusi në organizëm

Kompani private dhe shtetërore janë vënë në garë me kohën për të zbuluar kurën kundër koronavirusit të ri, të njohur me emrin shkencor nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si COVID-19.

Mijëra rastet me të infektuar, ku fatkeqësisht një pjesë kanë humbur jetën janë shfrytëzuar nga studiuesit për të kuptuar sesi ndikon virusi në organizmin e një të infektuari. Gjetja e parë që kanë bërë shkencëtarët është ngjashmëria e madhe e koronavirusit me viruset SARS dhe MERS, por me një dallim thelbësor, që COVID-19 shkakton një reaksion zinxhir dhe prek thuajse të gjitha organet e trupit.

Virusi është pjesë e familjes së koronaviruseve, viruseve që godasin organet e frymëmarrjes, pjesë e të cilëve janë klasifikuar edhe viruset SARS dhe MERS në të shkuarën. Por, çfarë ndodh në organizmin e një personi të infektuar me koronavirus? Virusi ka një ngjashmëri të madhe me SARS dhe për këtë disa e kanë pagëzuar me emrin SARS-CoV-2. Kjo do të thotë se duke kombinuar pasojat dhe efektet e viruseve SARS e MERS në të shkuarën mund të përftojmë efektet e koronavirusit.

Mushkëria: Pika zero

Për shumë pacientë, koronavirusi fillon dhe mbyllet tek mushkëritë, sepse ashtu si gripi është një virus që prek organet e frymëmarrjes. Shpërndahet kryesisht kur një person i infektuar kollitet ose tështin, duke shpërndarë në ajër spërkama që mund të transmetojnë virusin përmes rrugëve ajrore tek persona të afërt.

Simptomat janë të ngjashme me gripin, që do të thotë se asnjëherë nuk shfaqen njësoj. Karakteristikë janë ethet dhe kolla e thatë, por janë raportuar edhe raste kur simptomat kanë munguar thuajse plotësisht, megjithëse personat kanë rezultuar pozitivë si të prekur me koronavirus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë është ende në fazën e studimit të virusit dhe mënyrës sesi ndikon e përhapet në organizëm. Por, duke u nisur nga SARS mund të krijohet një ide e përafërt. OBSH tha për SARS se kryesisht sulmonte mushkëritë në tri faza. Faza e parë ishte infektimi dhe më pas riprodhimi i virusit. Faza e dytë hiperaktiviteti i sistemit imunitar dhe faza e tretë shkatërrimi i mushkërive.

Jo të gjithë pacientët i kanë kaluar të gjitha këto faza. Në fakt, vetëm një e katërta e të prekurve me SARS vuajtën probleme madhore në mushkëri, duke përcaktuar shkallën e rrezikshmërisë së virusit. Por, COVID-19, sipas të dhënave të deritanishme shkakton simptoma me rrezikshmëri mesatare, ndërsa pjesa e mbetur, pra 18 për qind kategorizohen si të rënda, ose kritike.

“Nëse shohim me kujdes, koronavirusi i ri duket se po ecën në gjurmët e SARS-it”, thotë profesori i Universitetit Mjekësor të Maryland në SHBA, Matthew B. Frieman, ekspert i koronaviruseve me rrezik të lartë.

Frieman e mbështet ketë pohim në faktin se në ditët e para të infeksionit, koronavirusi i ri sulmon qelizat e mushkërisë. Këto qeliza ndahen në dy grupe; qelizat që përbëjnë mukusin dhe qelizat “qerpikë” të quajtura Cilia.

Mukusi ndihmon mushkërinë në luftën kundër patogjenëve të jashtëm dhe siguron që frymëmarrja jonë të mos jetë e thatë. Gjithashtu, këto qeliza shërbejnë edhe si ‘kapëse’ të ndotjes, viruseve e baktereve që hyjnë në mushkëri përmes frymëmarrjes. Qelizat cilia nga ana tjetër funksionojnë si mekanizma pastrimi të mukusit, duke nxjerrë jashtë në formën e tështimës, ose kollitjes.

Frieman shpjegon se SARS infektonte dhe vriste qelizat cilia, duke bërë që mushkëritë e personave të infektuar të mbusheshin më viruse dhe papastërti të tjera, përfshirë edhe lëngje. Ai beson se të njëjtën gjë po bën edhe koronavirusi. Këtë bindje, Frieman e bazon në faktin që shumica e pacientëve me koronavirus janë prekur nga pneumonia në të dyja pjesët e mushkërisë, të shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje.

Këtu fillon faza e dytë, që përfshin sistemin imunitar. I alarmuar nga prania e një virusi pushtues, trupi ynë vepron dhe për të luftuar sëmundjen “përmbyt” mushkëritë me qeliza imunitare për të pastruar dëmet dhe riparuar organin.

Nëse sistemi imunitar funksionon në rregull, procesi shënjestron vetëm zonat e infektuara të mushkërisë, por ndonjëherë sistemi imunitar shkon përtej duke goditur të gjitha qelizat që i dalin përpara, duke përfshirë edhe qelizat e shëndetshme.

“Pra, në vend që të shërohesh të shkaktohet më shumë dëmtim shëndetësor nga ndërhyrja e sistemit imunitar. Kjo pason më shumë viruse e papastërti në mushkëri dhe pneumonia përkeqësohet”, thotë profesor Frieman.

Në fazën e tretë, dëmet e shkaktuara në mushkëri, që mund të çojnë deri në vdekje, nisin të riparohen. Por, megjithëse i kanë shpëtuar vdekjes, OBSH vuri re se disa pacientë që rezultuan të pastër nga SARS-i, kishin dëmtime të përhershme në mushkëri. Dëmi ishin vrima të vogla nëpër mushkëri, të njëjtat vrima që janë vërejtur edhe tek disa të infektuar me koronavirus në Kinë.

Këto vrima me gjasë janë shkaktuar nga përgjigja “e tepruar” e sistemit imunitar ndaj viruseve. Kur ky sulm i sistemit ndodh, pacientët shpesh duhet të vendosen nën regjimin e frymëmarrjes artificiale. “Në raste të rënda, praktikisht mushkëritë përmbyten me lëngje dhe pacienti e ka të pamundur të marrë frymë. Kjo shkakton vdekjen”, sqaron Frieman.

Stomaku: një rrugëdalje e përbashkët

Gjatë epidemisë së SARS-it dhe MERS-it një e katërta e pacientëve kishin diarre. Për shkencëtarët mbetet ende e paprovuar plotësisht nëse kjo shkaktohej nga virusi, apo jo. Frieman shpjegon se kur një virus hyn në organizëm, ai vihet menjëherë në kërkim të receptorëve të qelizave. Nëse arrin që të gjejë një receptor “të përshtatshëm” atëherë e pushton atë. Disa viruse përzgjedhin, disa të tjerë jo. Për kategorinë e këtyre të dytëve, Ana Suk-Fong Lok, e Universitetit Mjekësor të Michiganit thotë se mund të hyjnë lirisht në të gjitha llojët e qelizave.

Por, koronavirusi nuk kategorizohet tek ky grup. Ai mendohet se është pjesë e grupit të parë të viruseve, që përzgjedhin qelizat që sulmojnë. Frieman vetë mendon se përzgjedhja është ashtu si SARS-i, qelizat e mushkërive.

“Stuhia” e gjakut

Koronaviruset mund të shkaktojnë probleme edhe në organet e tjera të trupit, jo vetëm në mushkëri dhe kjo falë përgjigje joproporcionale që mund t’i japë sistemi imunitar.

Një studim i 2014 arriti në përfundimin se 92 për qind e pacientëve të infektuar me MERS patën gjurmë virusi edhe jashtë mushkërive. Në fakt, në të trija koronaviruset, pra SARS, MERS dhe së fundim edhe COVID-19 shkaktojnë mbiprodhim enzimash nga mëllcia, ulje të numri të qelizave të bardha në gjak dhe ulje të presionit të gjakut. Në disa raste, pacientët kanë vuajtur edhe nga probleme akute në veshka dhe arrest kardiak.

“Por, të gjitha këto shenja nuk do të thonë se virusi vetë është shpërndarë në të gjithë trupin”, thotë Angela Rasmussen, virologe dhe shkencëtare pran Universitetit Kolumbia. Mund të jetë një stuhi citokinash.

Citokinat janë proteina që përdoren nga sistemi ynë imunitar për të dhënë alarmin dhe rekrutuar qelizat imune drejt zonës së infektuar. Qelizat imune veprojnë duke vrarë qelizat e infektuara në përpjekje për të shpëtuar pjesën tjetër të trupit.

Por, në rastet e koronaviruseve, kur sistemi imunitar prodhon citokinat në mushkëri pa “një rregullator”, qelizat imune mund të shkatërrojnë gjithçka që u del përpara. Angela Rasmussen e shpjegon me terma më të thjeshtë.

“Njësoj sikur për të vrarë një person nuk përdor një armë, por hedh një raketë duke vrarë edhe të tjerët rreth tij. Këtu lind problemi. Trupi nuk po shënjestron vetëm qelizat e infektuara, por edhe ato të shëndetshme”, thotë ajo.

Problemet shtrihen më pas përtej mushkërive. Citokinat dobësojnë venat e gjakut në mushkëri, ndërsa efektet zinxhir pasojnë edhe organet e tjera. Në disa raste të COVID-19 citokinat, të kombinuara me aftësinë e reduktuar të organizmit për të furnizuar me oksigjen gjakun dhe organet e tjera të trupit kanë sjellë çrregullime të mëdha, e deri në vdekje. Shkencëtarët nuk janë në gjendje që të përcaktojnë për momentin se përse tek disa pacientë komplikacionet shfaqen jashtë mushkërive, por hamendësojnë se këto mund të lidhen me sëmundje të tjera, si sëmundjet e zemrës, apo diabeti.

“Edhe pse virusi mund të mos prek veshkat, apo mëlçinë, ai mund të ndikojë fort tek puna e tyre”, thotë Frieman.

Mëlçia: dëm anësor

Kur një koronavirus përhapet nga sistemi i frymëmarrjes, mëllcia është një prej organeve të para që preket. Mjekët kanë parë lidhje mes dëmeve në mëllci me viruset SARS, MERS dhe COVID-19, ku në disa raste kritike dëmi në mëlçi ka qenë i pariparueshëm.

“Kur një virus hyn në gjak, noton përmes tij në të gjithë pjesën tjetër të trupit. Mëllcia është një organ i hapur, ndaj virusi mund të hyjë lehtësisht tek ajo. Funksioni i saj është që të pastrojë gjakun që del nga stomaku, duke i hequr toksinat. Mëllcia përmban enzimat që përshpejtojnë reaksionet kimike të trupit”, sqaron Lok.

Në kushte normale, shpjegon Lok, qelizat e mëlçisë vdesin vazhdimisht për të çliruar enzima në gjak. Por, ato rigjeneroheshn shpejt dhe pikërisht falë kësaj vetie, mëlçia është në gjendje që të përballojë shumë dëmtime.

Ajo që është vënë re me SARS, MERC dhe COVID-19 është se mëlçia sforcohet duke prodhuar enzima me tepricë. Kjo është një shenjë paralajmëruese, që në rastet ekstreme mund të çojë deri në vdekje.

Lok thotë se shkencëtarët nuk kanë kuptuar ende sesi sillen viruset respiratore në mëlçi. Janë dy hipoteze, e para që virusi infekton drejpërdrejtë këtë organ dhe u shumuar dhe duke i vrarë qelizat, ose qelizat janë dëm anësor i përgjigjes së sistemit imunitar ndaj virusit në fjalë.

Veshkat: gjithçka e ndërlidhur

Edhe veshkat përfshihen në gjithë këtë rrëmujë. Gjashtë për qind e pacientëve me SARS dhe një e katërta e pacientëve me MERS kaluan probleme akute me veshkën. Studimet e deritanishme sugjerojnë se të njëjtat problematika mund t’i shkaktojë edhe COVID-19.

Ashtu si mëlçia edhe veshkat funksionojnë si një filter për të pastruar gjakun nga papastërtitë. Një studim i 2005 doli në përfundimin se 91.7 për qind e të prekurve nga SARS-it me probleme akute në veshka gjetën vdekjen.

Megjithatë, Kar Neng Lai, profesor në Universitetin e Hong-Kongut dhe udhëheqës i studimit në fjalë thotë se nuk u gjetën prova që virusi shumohej në veshka dhe as që ai ishte shkaktari kryesor i mosfunksionimit të tyre.

Ai rendit si arsye tensionin e ulët të gjakut, përdorimin e drogërave, alkooli si faktorë që kanë ndikuar, ndërsa si faktor që ka dhënë goditjen finale, të paktën sipas pjesës më të madhe të rasteve të analizuara në studimin e 2005 janë citokinat.

Burimi: National Geographic


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë