Politike

Nga lotët e Agim Qirjaqit te ruajtja e Teatrit, Majko rrëfen të vërtetat e tij

Pandeli Majko është ndoshta socialisti i vetëm që nuk ka ndryshuar pozicion për mos shembjen e Teatrit Kombëtar. Qëndrimi i tij daton prej vitit 1998 dhe vijon të jenë në koherencë edhe sot.    

“Nuk dua të futem në debatin tejet të politizuar tashmë për godinën e Teatrit Kombëtar. Qëndrimi im nuk ka nevojë të diskutohet pasi ai është më i ‘vjetër’ se sa qeveria ku bëj pjesë. Kushdo që më njeh brenda Partisë Socialiste thjesht e ka respektuar dhe zëri im nuk bëhet pjesë e asnjë komedie politike…”, thotë Majko për Gazetën “Si”.

LEXO EDHE:
-Dy dekadat Rama-Majko për Teatrin, nga kapja për krahu e deri te debati në Kuvend

- Letra e artistëve: Mos na bëni pjesë të çorbës, meritojmë Teatër dinjitoz
- Nga protestat te brekët e Violeta Manushit dhe peticioni pro shembjes
- Të shembet, a të mos shembet…

Ai kujton se, “në vitin 1998 në vizitën zyrtare si kryeministër në Greqinë fqinje, në vendin ku “lindi” teatri, kërkoi ndihmë për të ndërtuar një Teatër”.

“Zyrtarët grekë e pritën mjaft mirë dhe nënshkruam një marrëveshje me kryeministrin e kohës Micotaqis. Pjesa e parë e grantit që erdhi si ndihmë nga pala greke mbeti e pashpenzuar në vite me debate se ku dhe si do të bëhej nga qeveritë e radhës”, shton ai.

Debati rifillon kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Edi Rama dhe Pandeli Majko

“Në 2002 kam pasur debatin e vjetër me mikun tim, Edi Ramën për prishjen ose jo të Teatrit. Kjo solli largimin e drejtorit të Teatrit, që kishte rënë dakord për prishjen e tij. Aty u vendos Agim Qirjaqi, një artist, më shumë se sa një drejtor i mirëfilltë, pasi ai nuk e donte këtë post", thotë Majko për Gazetën "Si".

Qirjaqi qëndroi vetëm disa muaj me kushtin që i kishte vendosur Majko: Për ta ndjekur vetë rikonstruksionin e godinës së Teatrit Kombëtar.

"U dha një ‘grant’ me një vendim të poscëm të qeverisë, i cili sigurisht që u bë realitet. Kur rikonstruksioni mbaroi unë nuk isha më në zyrën e kryeministrit, por në atë të Ministrit të Mbrojtjes. Artistët siç kanë artin, kanë edhe kujtesën. Ata më ftuan në inagurimin e rikonstruksionit të pjesshëm të godinës. Inagurimi ishte një takim që nuk shpjegohet vec jetohet. Agim Qirjaqi pas kësaj dha dorëheqjen. Ai sot nuk jeton më, por lotët e tij dhe emocionet e asaj nate me artistët e Teatrit Kombëtar më detyrojnë ti shkruaj këto rreshta…”, thotë Majko për Gazetën "Si".

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë