Menaxhim

Nga kapitali minimal te qartësimi i rrezikut për klientët, projekt-rregullorja e BSH për paranë elektronike

Nga Gazeta "SI" - Nga data 1 tetor, institucionet e licensuara për ushtrimin e veprimtarisë së parasë elektronike, do të operojnë sipas rregullave të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, lidhur me administrimin e rreziqeve që lidhen me aktivitetin.

Projektrregullorja përcakton se institucionet që do të merren me paranë elektronike, duhet të kenë minimalisht 45 mln lekë kapital fillestar dhe nuk duhet të bjerë asnjëherë.

Nëse institucioni i parasë elektronike ushtron vetëm veprimtarinë e emetimit të parasë elektronike, kërkesa për kapital rregullator do të jetë në çdo kohë të paktën sa 2% e tepricës mesatare të parasë elektronike. Për veprimtari të tjera, veç emetimit të parasë elektronike, do të kërkohet kapital rregullator shtesë. (“tepricë mesatare e parasë elektronike” – është shuma totale mesatare e detyrimeve financiare të lidhura me paranë elektronike të emetuar, në fund të çdo dite kalendarike përgjatë gjashtëmujorit paraardhës.)

Institucionet e parasë elektronike duhet të krijojnë edhe sistemin e administrimit të rrezikut të likuiditetit, që përfshin minimalisht strategjinë dhe politikat për administrimin e rrezikut të likuiditetit, strukturën organizative të krijuar për administrimin e rrezikut të likuiditetit, sistemin e kontrollit të brendshëm, sistemin e administrimit të informacionit, etj.

Këto subjekte duhet ta qartësojnë profilin e rrezikut të tij (institucionit të parasë elektronike), duke përcaktuar/miratuar paraprakisht një kapital që mund të mbulojë rrezikun.

“Organet drejtuese, nëpërmjet mënyrës së drejtimit, nxisin (stimulojnë) një kulturë të përshtatshme drejtimi, e cila ka si përparësi ndershmërinë dhe krijimin e marrëdhënieve korrekte ndërmjet nëpunësve, të bazuar në standarde të larta profesionale dhe vlera të larta etike”,-thuhet në projekt rregullore.

Institucioni i parasë elektronike duhet të sigurojë që fondet e pranuara në këmbim të emetimit të parasë elektronike dhe fondet e përdoruesve të shërbimeve të pagesave, të jenë të ndara në llogari kontabël të veçanta, të ndara nga llogaritë e tjera të institucionit që nuk lidhen me shërbimet e parasë elektronike dhe me shërbimet e pagesave.

Ato duhet të jenë veçmas nga vetë fondet e institucionit, të paaksesueshme nga palë të treta fizike apo juridike dhe grupe të tjera bankare.

Në rastin kur fondet investohen, institucionet e parasë elektronike nuk mund të investojnë më shumë se 25% të fondeve të klientëve në një palë apo emetues të vetëm.

 Këtu përfshihen të gjitha institucionet që BSH ka licencuar për paranë elektrike, bankat tregtare si edhe Postën Shqiptare. Ndër institucionet që ka licencuar Banka për këtë shërbim përfshihet “Rubicon sha” dhe “Iute Credit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë