Analize

Nga ekonomia, te politika e media. Ndikimi kinez në Shqipëri, 4 fazat e një strategjie afatgjatë

Nga Gazeta 'SI' - Kina kërkon lidhje më të ngushta me Shqipërinë si pjesë e projektit gjigand të Partisë Komuniste të Kinës për të zgjeruar ndikimin e Pekinit dhe për tu bërë një aktor kryesor në Ballkanin Perëndimor dhe Europë. Për këtë Pekini po ndjek një strategji afatgjatë në Shqipëri, që kalon në katër faza të mbivendosura.

Në fazën e parë, Partia Komuniste po mundohet të konsolidojë prezencën e saj në ekonominë lokale, duke rritur eksportet dhe investimet. Qëllimi është që ekonomia shqiptare të bëhet më shumë e varur nga Kina, sidomos në industritë e dobëta dhe duke e lejuar Pekinin të ndikojë dhe në politikë.

Në fazën e dytë, “aktorët” nga Kina do të fokusohen në ndërtimin e disa fondacioneve të nevojshme  që do të rrisë ndikimin kinez në biznes dhe politikë.  Edhe pse qasja kineze ndaj Shqipërisë fillimisht u përqendrua te ekonomia, përpjekjet e Pekinit për të kaluar në një fazë të re të angazhimit me Tiranën janë ato të dimensionit politik dhe objektivin e saj për t'i bërë politikat shqiptare në përputhje me interesat e Pekinit.

Faza e tretë e strategjisë kineze është të prekë gjerësisht shoqërinë shqiptare, nga të pasurit tek të varfërit. Qëllimi i kësaj faze është përhapja e një imazhi pozitiv për Kinën në komunitetet shqiptare dhe t’i përgatisë ato për lidhjet Tiranë-Pekin.

Faza e katërt, finalja, fokusohet në tentativën e autoriteteve kineze për të rritur imazhin e tyre në media dhe publik, me përmbajtje të re dhe të ndikojë në qasjen e gjerë të shqiptarëve.

Metodat, mjetet dhe taktikat e PKK-së për të përhapur influencën e rrezikshme

Kina e ka futur veten në ekonominë dhe politikën shqiptare me anë të investimeve të mëdha në transportin ajror, energji, agrikulturë dhe miniera, si rrugë për të maksimizuar ndikimin e saj.

Ndikimi ekonomik i Pekinit në Shqipëri rrjedh nga kreditimi, investimet dhe tregtia, duke përfshirë bashkëpunime me lojtarët dhe rrjetet kryesore ekonomike. Këto lidhje krijojnë varësi dhe Kina përfiton ndikim sistematik.

Sipas Bakës së Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë 2.27%, shumë pakr krahasuar me Serbinë 15.7% dhe Maqedoninë  e Veriut me 3.37%. Në vitin 2020, Kina ishte importuesi i tretë më i madh për Shqipërinë. Në nëntor 2021, eksportoi 47.5 mln dollar dhe importoi 13.1 mln dollarë

Pekini ndjek gjithashtu një strategji të integruar kulturore nëpërmjet kurseve të përqendruara gjuhësore në Institutin Konfuci të Universitetit të Tiranës dhe një qendër kulturore kineze të planifikuar në kryeqytetin e Shqipërisë. Qendra do të ketë një ofertë shumë më të gjerë aktivitetesh dhe do të fokusohet në ndërveprimin kulturor, duke e bërë atë një mjet të shkëlqyer për autoritetet kineze për të krijuar lidhje me grupet kulturore dhe të shoqërisë civile. Kina gjithashtu organizon udhëtime studimore, shkëmbime akademike dhe ngjarje kulturore për të kultivuar marrëdhënie me individë dhe institucione të veçanta.

Kina ka krijuar gradualisht një kornizë për ndërveprimin dhe bashkëpunimin mediatik për përhapjen e  narrativave të Pekinit përmes mediave tradicionale dhe sociale. Në vitin 2019, kompanitë shtetërore të radios dhe televizionit kinez e shqiptar arritën një marrëveshje që lejonte televizionin publik shqiptar të transmetonte disa programe kineze pa pagesë. Më shumë bashkëpunim informal ndodh nëpërmjet udhëtimeve, trajnimeve, programeve të shkëmbimit dhe donacioneve për profesionistët e medias shqiptare të financuara nga Kina.

Në kuadër të qasjes  me shumë qëllime të Pekinit në Shqipëri, aktorët shtetërorë kinezë po zgjerojnë gjithashtu bashkëpunimin e tyre formal dhe informal me bashkitë në të gjithë vendin, kryesisht nëpërmjet një projekti binjakëzimi. Tirana dhe Pekini janë “binjakëzuar” që nga viti 2016, me pesë qytete të tjera në Shqipëri që zhvillojnë lidhje të tilla. Sipas kësaj politike, Pekini përdor lidhjet e qyteteve motra dhe autoritetet lokale për të ndikuar në qeverinë qendrore.

Arritjet e taktikave të PKK-së

Ndërkohë që përqafimi i investimeve kineze e ka bërë Kinën partnerin e tretë tregtar të Shqipërisë, duke i dhënë Pekinit pushtet në tregun shqiptar dhe kontroll mbi burimet që japin një avantazh konkurrues, Shqipëria ka rezistuar të bëhet një qendër ekonomike e Kinës në rajon.

Qeveria shqiptare e përjashtoi Kinën nga plani i investimit në Portin e Durrësit dhe në atë të rrjetit 5G. Në fakt, tentativat e Kinës për të ndikuar në Shqipëri përballen herë pas here me pengesa sepse Shqipëria është e ankoruar në mes të politikave tradicionale Perëndimore.

Ndonëse diplomacia kulturore ka qenë dytësore pas asaj ekonomike, Kina e ka armë të fortë. Ky ndryshim ka dhënë fryte; Interesi për historinë dhe kulturën e Kinës, veçanërisht për gjuhën kineze, është rritur tek të rinjtë shqiptarë që po mësojnë gjuhën kineze në Institutin Konfuci.

Politika mediatike e Kinës që synon të rrisë mbulimin për Kinën dhe prodhimin e përmbajtjeve pozitive po korr sukses në shumë të rinj shqiptarë.

Një studim në vitin 2020 numëroi më shumë se 1000 artikuj të lidhur me Kinën të botuar në Shqipëri gjatë pesë viteve. Gati gjysma, 47%, e portretizuan Kinën në një dritë pozitive, 38% ishin më negative dhe 15% u konsideruan neutrale.  Kjo rritje në përmbajtjen e lidhur me Kinën është falë strategjisë së Pekinit për të bashkëpunuar me analistët dhe kolumnistët vendas. Po kështu është edhe ndryshimi në fokus: Artikujt që vlerësojnë modelin politik dhe ekonomik të Kinës dhe menaxhimin e saj të pandemisë Covid-19 kanë zëvendësuar artikujt për shtypjen kineze të myslimanëve ujgurë, një çështje e ndjeshme për një vend me shumicë myslimane si Shqipëria. Kur Kina investon në mediat dhe analistët vendas, raportet neutrale ose negative zhduken.

Një seri sondazhesh të rregullta të opinionit publik sugjeron se investimet e Kinës në ndërtimin e imazhit janë paguar shumë. Nga viti 2019 deri në vitin 2020, pjesa e të anketuarve në sondazhin kombëtar të Barometrit të Sigurisë Shqiptare të cilët thanë se Kina kishte një ndikim pozitiv në sigurinë e Shqipërisë u dyfishua, nga 23.5% në 54.9%. Në vitin 2022, me pyetjen disi të ndryshuar, 76.6% thanë se ata nuk mendonin se Kina përfaqësonte një kërcënim për sigurinë e Shqipërisë, krahasuar me 19% që thanë se po.

Audienca e targetuar dhe popullsia

Përpjekjet e autoriteteve kineze për të ndikuar në elitën politike dhe të biznesit të Shqipërisë për të çuar përpara objektivat e politikës së jashtme të Pekinit ndjekin një model të përbashkët dhe të parashikueshëm.

Përpjekjet e buta të Kinës drejtohen kryesisht nga liderët kryesorë në biznes, politikë, qeveri, akademi, media dhe organizata joqeveritare. Më të cenuarit ndaj narrativave të Kinës janë intelektualët më të vjetër shqiptarë, të cilët kishin shumë kontakte me Pekinin në vitet e Mao-Hoxhës. Kujtimet dhe trashëgimia e kësaj periudhe e predispozojnë këtë grup të mirëpresë praninë e Kinës në Shqipëri dhe të ndihmojë në krijimin e një brezi të vjetër pro Kinës. Edhe pse ky grup nuk ndikon në vendimet politike, ndikimi i tij në pjesë të veçanta të shoqërisë shqiptare, përfshirë akademinë, i jep fuqinë për të çuar përpara bashkëpunimin Tiranë-Pekin. Edukimi dhe trajnimi i liderëve shqiptarë të pas vitit 1999 në institucionet perëndimore i bën ata më pak të prekshëm ndaj manipulimit kinez, megjithëse kjo mund të ndryshojë.

Disa politikanë të njohur në Shqipëri kanë sharë edhe Perëndimin dhe i janë drejtuar Kinës. Konkretisht, presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë kryer sulme politike, diplomatike dhe personale ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë. Të dy burrat kanë ndikim mbi një bazë të gjerë mbështetësish. Personalitetet vendase shqiptare që i shohin interesat e tyre politike në një aleancë me Pekinin në vend të Perëndimit, mund të funksionojnë si zëdhënës lokalë për interesat kineze.

Autoritetet kineze kanë punuar gjithashtu për të identifikuar qytetarët që do të ishin më të cenueshëm ndaj narrativave të Partisë Komuniste Kineze që qarkullojnë në mediat shqiptare. Në mënyrë të veçantë, ata kërkojnë ata që kanë humbur në mes të zhvillimit të pabarabartë ekonomik dhe modernizimit, janë të zhgënjyer nga politika lokale, ose janë të frustruar me rezultatet e përziera të integrimit me Perëndimin. Në përgjithësi, megjithatë, pjesa më e madhe e publikut nuk duket e cenueshme, edhe nëse sondazhet regjistrojnë njëfarë suksesi për operacionet e ndikimit të Kinës.

Përfundimi

Në përgjithësi, nuk ka dyshim se strategjia e strukturuar e Kinës në kontekstin e nismës 16/17+1 ka luajtur një rol qendror në ndërtimin e kontakteve më të ngushta midis Tiranës dhe Pekinit. Ajo ka bërë përparim midis grupeve të veçanta shoqërore në Shqipëri, duke ofruar versione alternative të realiteteve politike, ekonomike dhe gjeopolitike. Megjithatë, Kina ende shet më mirë në vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, sesa në Shqipëri. Shqipëria mbetet e ankoruar në orientimin e saj tradicional properëndimor, duke u përpjekur të shmangë çdo lloj depërtimi politik që mund të çojë në mbështetje të tepruar nga Pekini.

*Materiali është marrë nga raporti i Qendrës për Analizë të Politikave Europiane, CEPA, mbi ndikimin dhe veprimin e Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore. Përkthyer nga: Gazeta "SI"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë