Futboll

Nga Deshamps te Mbape, këta janë rekordmenët e Francës kampione bote

Është Franca fituesja e 21 e Kupës së Botës në futboll. Skuadra e “gjelave” është shpallur triumfatore me rezultatin 4-2 përballë Kroacisë, që shkonte për herë të parë në një finale Kupe Bote.

Kombëtarja franceze u ngjit në majën e botës për herë të dytë, por bashkë me këtë ka thyer dhe vendosur disa rekorde.

Rekordmeni i parë tek Franca, quhet Didier Deshamps. Bashkë me Bekenbauer dhe Zagallo, tekniku francez futet në histori si një nga tre njerëzit që e kanë fituar Kupën e Botës si lojtarë dhe si trajnerë. Në vitin 1998, kur Deshamps ishte në fushën e lojës, ai e ngriti Kupën e Botës me shiritin e kapitenit në krah. Ndërsa 20 vite më vonë si një strateg i vërtetë, tekniku francez krijoi një grup yjesh që kishte një synim të vetëm, të fitonte këtë Kupë Bote në Rusi.

Rekordmeni i dytë i kësaj France, ndryshe mund ta quani edhe “fenomeni i ri”. Kilian Mbape, fitoi çmimin si lojtari i ri më i mirë i eventit të Rusisë, një trofe individual mëse i merituar për talentin 19-vjeçar. Mbape me golat e shënuar në Rusi bëhet lojtari i dytë në histori pas Pele që fiton një Kupë Bote duke shënuar gol në një finale nën moshën 20 vjeç.

Por një tjetër rekordmen që mori medaljen e artë mbrëmjen e 15 korrikut në “Luzhniki Stadium”, është Rafael Varene. Mbrojtësi i Real Madrid është vetëm 25 vjeç, por në koleksionin e tij janë shumë të paktë trofet që ende nuk janë fituar. Varane ka fituar 2 La Liga, 4 Liga Kampionesh, 3 Kupa Bote për Klube, 2 Superkupa Spanje, 3 Superkupa Europe dhe 1 Kupë Bote për kombëtare. Në koleksionin e tij momentalisht mungojnë vetëm dy trofe me kombëtaren, ai Europian dhe kupa e konfederatave. Ndërsa në nivel klubesh i ka fituar të gjithë trofetë, në kompeticionet ku ka luajtur.

Rekordmeni tjetër në skuadrën kampione e botës, është Oliver Zhiru, por këtë herë me arritje negative. Sulmuesi i Arsenal ishte pika referimit për skuadrën franceze, por në të gjitha ndeshjet ai nuk arriti të regjistrojë një gjuajtje të vetme brenda kuadratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë