Njerez

Nelson Mandela, rilindja pas burgut e ‘afrikanit të madh’

Lirimi i Nelson Mandelës nga burgu Victor Verster në Cape Town më 11 shkurt 1990 ishte simboli më i fuqishëm i përfundimit të aparteidit në Afrikën e Jugut. Ecja e tij dramatike nga portat e burgut, dorë për dore me gruan e tij Winnie, ishte një moment që shtangu botën.  

Mandela kishte qenë i burgosur për 27 vjet, i arrestuar në vitin 1962 dhe i dënuar në 1964 për komplot ndaj shtetit. Për 18 vite, Mandela duroi kushtet e ashpra të ishullit Robben. Nga fundi i viteve 1970, ky i burgosur pothuajse i padukshëm ishte shndërruar në një simbol të shtypjes në Afrikën e Jugut. Gjatë viteve 1980, fushata “Lironi Nelson Mandelën” u bë një lëvizje globale.

Lirimi i tij ishte një akt guximi politik nga presidenti i ri i Afrikës së Jugut, FW de Klerk. Por vendimi i de Klerk dhe momenti i tij ishin kulmimi i dekadave të ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore që kishin çuar aparteidin drejt shkatërrimit.

Mandela duke dalë nga burgu me bashkëshorten Winnie

Një sistem i falimentuar

Sistemi i aparteidit u krijua nga Partia Kombëtare, e dominuar nga afrikanët e bardhë, pas fitores së saj zgjedhore në vitin 1948. Ky sistem synonte të impononte ‘zhvillimin e ndarë’ të popullsive në Afrikën e Jugut, duke përdorur një sërë ligjesh të ashpra, rregullash kufizuese dhe një sistem arsimor me cilësi të ulët për fëmijët zezakë.

Në vitet 1960, afrikano-jugorët e zinj u privuan nga shtetësia dhe u detyruan të jetonin në lagjet rurale dhe të varfra. Ata nuk kishin të drejtë të vendoseshin përgjithmonë në qytete apo pranë minierave, ku punonin shumica e tyre. Megjithatë, pasuria e Afrikës së Jugut varej pikërisht nga këta punëtorë, të cilët po bëheshin gjithnjë e më të zëshëm në kërkesat e tyre për paga dhe kushte më të mira pune. Aparteidi po fillonte të shembej nën peshën e kontradiktave të veta.

Rezistenca e zezë

E themeluar në vitin 1912, Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) konsiderohej si lëvizje e vjetëruar. Si përgjigje ndaj aparteidit, një brez i ri aktivistësh, mes tyre edhe Nelson Mandela, organizuan një sërë grevash dhe bojkotesh paqësore. Këto greva u shtypën me arrestime dhe ndalimin e ANC-së dhe Partisë Komuniste të Afrikës së Jugut (SACP).

Pas Masakrës së “Sharpeville” në vitin 1960, ANC hoqi dorë nga politika e saj paqësore dhe nisi një fushatë sabotimi, që çoi në arrestimin e Mandelës.

Një valë e re protestash të dhunshme shpërtheu në lagjet e varfra në vitin 1984. Kjo provokoi dërgimin e mijëra trupave dhe përdorimin masiv të taktikave të terrorit si nga qeveria, ashtu edhe nga kundërshtarët e saj.

Ndërkohë, ANC intensifikoi sabotimet dhe sulmet e armatosura nga bazat e saj në shtetet fqinje. Afrika e Jugut po bëhej e paqeverisshme.

Komonuelthi

Afrika e Jugut u përjashtua nga Komonuelthi në vitin 1961, por anëtarët e tij u treguan gjithnjë e më të vendosur për të ndalur aparteidin. Sir Sonny Ramphal, Sekretari i Përgjithshëm i Komonuelthit nga 1975 deri në 1990, luajti një rol kyç në mbajtjen e presionit ndaj Afrikës së Jugut.

Në vitin 1977, Komonuelthi ra dakord të ndalonte kontaktet sportive me Afrikën e Jugut në Gleneagles. Në vitin 1985, në takimin e liderëve të qeverive në Nassau, u miratuan disa sanksione ekonomike, pavarësisht kundërshtimeve të kryeministres britanike Margaret Thatcher. Në vitin 1986, një grup i përbërë nga personalitete të shquara vizitoi Afrikën e Jugut dhe dha rekomandime, të cilat fillimisht u refuzuan, por më vonë u bënë bazë për kompromisin e arritur pas vitit 1989.

Qeveria e Afrikës së Jugut

Në mënyrë të papritur, disa anëtarë të qeverisë afrikano-jugore e kuptuan qysh në fund të viteve 1970 se aparteidi duhej reformuar për të mbijetuar. Reforma të vogla nisën nën ish-ministrin e mbrojtjes PW Botha (kryeministër 1978–1984, president 1984–1989), por këto vetëm sa provokuan një opozitë edhe më të ashpër.

Ndryshimet radikale erdhën vetëm kur FW de Klerk u bë president i shtetit në vitin 1989. Ashtu si Gorbaçovi në Bashkimin Sovjetik, edhe De Klerk ishte një reformator i dalë nga vetë sistemi. Një ish-lider me qëndrime të ashpra, de Klerk e kuptoi se aparteidi ishte politikisht, ekonomikisht dhe moralisht i paqëndrueshëm. Megjithatë, ai shpresonte ta reformonte sistemin, jo ta shkatërronte atë.

Një nga veprimet e tij të para ishte urdhërimi i lirimit të Nelson Mandelës. Midis viteve 1989 dhe 1994, ai negocioi me Mandelën dhe ANC-në për një zgjidhje që do të ruante të drejta të veçanta për popullsinë e bardhë, por në fund ai u tejkalua nga procesi politik.

Mandela President

Më 10 maj 1994, Nelson Mandela u inagurua si Presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht i Afrikës së Jugut. Më 1998, në ditëlindjen e tij të 80, ai u martua me Graça Machel, gruan e tij të tretë.

Sipas premtimit të tij, Mandela u tërhoq nga posti i Presidentit në vitin 1999 pas një mandati të vetëm. Ai vazhdoi të punonte me Fondacionin për Fëmijët “Nelson Mandela”, të cilin e krijoi në vitin 1995.

Nelson Mandela kurrë nuk hezitoi në devotshmërinë e tij për demokracinë, barazinë dhe mësimin. Pavarësisht provokimeve të tmerrshme, ai nuk iu përgjigj racizmit me racizëm. Jeta e tij është një frymëzim për të gjithë ata që janë të shtypur dhe të privuar, dhe për të gjithë ata që janë kundër shtypjes dhe privimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë