Politike

Negociatat, Presidentja e KE: Edhe para majit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen foli e bindur se metodologjia e re e zgjerimit i hap rrugën çeljes së negociatave të anëtarësimit mes Bashkimit Europian nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër.

"Kjo metodologji duhet të krijojë dhe rifitojë besimin e ndërsjellë te procesi dhe gjithashtu i hap rrugën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur negociatat për anëtarësim në BE edhe para Samitit të Zagrebit”, thotë ajo.

Deklarata e Presidentes së KE-së u bë në takimin jozyrtar të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të diele mes drejtuesve të BE-së dhe udhëheqësve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Von der Leyen tha gjithashtu se në kuadër të metodologjisë së re, që përcakton më shumë fonde për vendet kandidate për anëtarësi, Komisioni do të paraqesë në maj paketën e re të investimeve, paketë që duhet të miratohet nga Këshilli.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama tha se ka marrë një sinjal se rrugëtimi deri në anëtarësim me metodologjinë e re të zgjerimit nuk do të jetë i lehtë.

"Të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është njëlloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë. Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të shohim e të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj që do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare", deklaroi ai.

Të hënën, në Bruksel zhvillohet Konferenca e Donatorëve e thirrur nga BE për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të 2019, dëmet e të cilit Qeveria i ka përllogaritur në rreth 1 miliard euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë