Analize

KE nuk ndryshon asnjë presje: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Mentor Kasa - Komisioni Europian nuk do t’i heqë asnjë presje qëndrimit të mbajtur në majin e vitit të kaluar kur rekomandonte hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke hedhur poshtë çdo pretendim të eurodeputetëve skeptikë, që e akuzojnë këtë institucion për raporte joobjektive në lidhje me progresin real të të dyja vendeve.

Njëri prej këtyre eurodeputetëve është francezi Jerome Riviere, pjesë e Frontit Kombëtar të Marine Le Pen. Ai e pyet Komisionin nëse do të këmbëngulë në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas shqetësimeve që ngriti Franca, Holanda dhe Danimarka në samitin e tetorit të Këshillit Europian.

“Në samitin e Këshillit Europian në 18 dhe 19 tetor të 2019-ës, Franca, Holanda dhe Danimarka bllokuan hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. A ka ndërmend Komisioni që të prezantojë sërish një raport favorizues në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian, pavarësisht situatës shqetësuese në këto dy vende?”, pyet eurodeputeti francez, Riviere.

Pyetja i është adresuar Komisionit nga eurodeputeti francez që ka marrë shkas nga ndryshimi i përbërjes së Komisionit Europian, nisur nga fakti që raporti pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u hartua nga Komisioni i Zgjerimit, që para zgjedhjeve për Parlamentin Europian të 2019 drejtohej nga Johannes Hahn.

Eurodeputetit francez i është përgjigjur Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi në emër të Komisionit Europian. Në përgjigjen e dhënë dhe të siguruar edhe nga Gazeta “Si”, Komisioni i qëndron rekomandimit të majit të vitit të kaluar.

Përgjigjia që Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi i ka kthyer në emër të KE-së eurodeputetit francez, Jerome Riviere. Gazeta Si, shkurt 2020

“Komisioni do të vazhdojë që të raportojë objektivisht mbi situatën në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe mbi zbatimin e reformave në këto dy vende. Bazuar tek zotimet strikte dhe të ndershme të prezantuara në paketën e zgjerimit në 2019, Komisioni i qëndron rekomandimit të majit 2019 për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në përgjigjen që Oliver Várhelyi i ka kthyer eurodeputetit francez, Jerome Riviere.

Duke u ndalur tek Shqipëria, Komisioneri i Zgjerimit mendon se vendi ka treguar këmbëngulje në zbatimin e reformave, pavarësisht klimës së tensionuar dhe fragmentarizimit të thellë të politikës.

“Shqipëria ka treguar këmbëngulje në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian, pavarësisht krizës së tejzgjatur politike dhe skenës së fragmentarizuar të aktorëve politikë. Vendi ka prodhuar rezultate të qënësishme dhe të qëndrueshme mbi kushtet e vendosura nga Këshilli në qershor të 2018”, thotë Komisioneri i Zgjerimit.

Mes kushteve të vendosura në 2018 është zbatimi i reformës në drejtësi, vettingu dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Komisioni nxit dy vendet që të vazhdojnë me rrugën e reformave, veçanërisht me reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, administrata publike dhe zhvillimi ekonomik”, mbyllet përgjigja që Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Várhelyi i ka kthyer eurodeputetit francez, Jerome Riviere.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë