Konferencës së Donatorëve në Bruksel i parapriu një mëngjes pune, që Kryeministri Edi Rama thotë se u organizua nga ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio në mbështetje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë.
Kryediplomati italian tha në fjalën e tij se në Ballkanin Perëndimor nuk është në lojë vetëm besueshmëria, por edhe vetë e ardhmja e Bashkimit Europian si aktor dhe faktor global.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë është në lojë, përfshi edhe besueshmërinë e BE si aktor global. Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor mbetet investimi ynë kyç për të përforcuar paqen, stabilitetin, pajtimin dhe zhvillimin në Europë”, deklaroi ai.
Di Maio u kujtoi të pranishmëve se hapja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të vështirë dhe jo përfundimi i këtij procesi. Këtë ai e sheh si kurorëzim të përpjekjeve të vendeve anëtare që prej muajit dhjetor për të transformuar dhe çuar përpara procesin e zgjerimit përmes miratimit të metodologjisë së re për këtë qëllim.
“Shtetet anëtare dhe Komisioni janë angazhuar në një përpjekje të përbashkët për të çuar më tej procesin e zgjerimit dhe për të rivendosur besimin e ndërsjellë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian”, deklaroi ministri i Jashtëm italian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.