Politike

Franca hap derën për negociatat: “Ok” nëse e rekomandon KE

Franca do të japë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e muajit maj në rast se Komisioni Europian do të paraqesë një mendim pozitiv në raportin e radhës, që pritet të publikohet në mars.

Deklarata është bërë nga Presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë që po mbahet këtë fundjave në Mynih.

“Po presim raportin në mars dhe në varësi të rezultateve pozitive dhe besimit të krijuar, ne do të jemi në një pozicion për të hapur negociatat”, citohet Macron nga Reuters.

Praktikisht kjo do të thotë se Parisi nuk do të vendosë veton, ashtu si në tetor të 2019. Edhe në atë kohë rekomandimi i Komisionit Europian ishte pozitiv për hapjen e negociatave. Ky qëndrim është paralajmëruar të përsëritet edhe këtë pranverë nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Komisioni do të vazhdojë që të raportojë objektivisht mbi situatën në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe mbi zbatimin e reformave në këto dy vende. Bazuar tek zotimet strikte dhe të ndershme të prezantuara në paketën e zgjerimit në 2019, Komisioni i qëndron rekomandimit të majit 2019 për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në një përgjigje që Komisioneri Oliver Várhelyi i ka kthyer eurodeputetit francez, Jerome Riviere më 3 shkurt.

Por, nëse për Maqedoninë e Veriut ishte vetëm Franca ajo që bllokoi hapjen e negociatave, për Shqipërinë bllokada u vendos edhe nga Holanda dhe Danimarka. Megjithatë, me qëndrimin pozitiv të Francës vështirë se Holanda dhe Danimarka të pranojnë të shkojnë kundër rrymës së shumicës së vendeve anëtare. Vetë ministri i Jashtëm holandez, Steff Block deklaronte vjeshtën e kaluar se vendi i tij nuk do të vendoste veton nëse do të ishte i vetmi vend anëtar i unionit që e bënte këtë.

Ndryshimi i qëndrimit francez mbërrin pas prezantimit të metodologjisë së re të zgjerimit, që ka plotësuar një prej kërkesave kryesore të Macron përgjatë 2019, kur këmbënguli në rishikimin e rregullave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë