Analize

Negociatat misterioze: Çfarë arritën Bushati dhe Kotzias?

“Pothuajse gjithçka ishte drejt mbylljes”. Ish-ministri i Jashtëm grek, Niko Kotzias ka rrëfyer në një intervistë me mediat greke se negociatat për marrëveshjen e kufirit detar me Shqipërinë ishin në një rrugë të mbarë dhe shumë pranë finalizimit.

Megjithatë, as në Athinë dhe as në Tiranë nuk dihet saktësisht se për çfarë kanë rënë dakord apo se çfarë është arritur në takimet e përsëritura të dy ish-ministrave të jashtëm, dhe mbi të gjitha se çfarë është lënë në mes me largimin e tyre.

Çështja e detit, e cila mbeti në harresë për vite të tëra si për shkak të neglizhimit ashtu edhe për arsye ideologjike, u risoll sërish në vëmendje në pranverën e vitit 2017, kur së bashku me negociatat për emrin e Maqedonisë, Kotzias filloi edhe maratonën e bisedimeve me Shqipërinë. Tirana dhe Athina duket se kishin gjetur gjuhën e përbashkët për kufirin detar, një prej çështjeve që kishte ftohur marrëdhëniet mes dy vendeve prej vitit 2009 kur Partia Socialiste e çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e arritur nga qeveria e Partisë Demokratike.

Takimet Bushati-Kotzias u zhvilluan në Korçë dhe nëpër disa ishuj grek, prapa dyerve të mbyllura, pa ndonjë informacion apo raporte rreth përmbajtjes së bisedimeve. Të vetmet deklarata që vinin nga ministri Bushati thoshin se negociatat me Greqinë vijojnë, dhe Tirana dhe Athina ishin në një fazë dialogu intensiv për të gjitha çështjet, qoftë ato me karakter dhe me peshë historike apo çështjet e aktualitetit politik.

Takimi Bushati-Kotzias në Korçë

Por edhe pse përflitej se marrëveshja për kufizimin e zonave detare dhe heqjen e ligjit të luftës ishte drejt përfundimit, as pala greke dhe as ajo shqiptare nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, duke bërë që bisedimet të ishin gjithnjë të rrethuara nga misteri.

Nga ana e tij, Kotzias shpjegon se thuajse gjithçka ishte drejt mbylljes me palën shqiptare, por mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe problemi në komunikim mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta shkaktuan këtë vonesë.

“Këtë çështje e kishim si pjesë e një pakete. Jo të gjithë ishin dakord që të zgjidhet. Dhe kishim një problem, veçanërisht që marrëveshja mbi ZEE që kishim përgatitur me kolegun tim shqiptar, nuk kishte Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri që ta miratojë, – tha Kotzias për shtypin grek. – Domethënë, meqenëse ishte refuzuar marrëveshja e mëparshme nga Gjykata Kushtetuese, duhet të funksiononte Gjykata Kushtetuese që të kalonte aty. Siç di – tani ka disa lëvizje, të shohim -, Gjykata ka 11 anëtarë dhe kishin mbetur vetëm 2. Plus kishte probleme komunikimi midis Ramës dhe Metës”, u shpreh Kotzias në një intervistë.

Takimi Rama-Tsipras, në Londër

Pas takimit të fundit me Kotzias në Rodos, ish-ministri Bushati tha se kishte bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve, të cilat po udhëhiqeshin sipas tij nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike. Ndërkohë që Bushati dhe Kotzias bisedonin prapa dyerve të mbyllura , mediat greke aludonin se dy ministrat kishin finalizuar marrëveshjen mes dy vendeve, për tu nënshkruar më pas në samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër. Por edhe pse të gjithë kishin pritshmëri të mëdha, takimi dypalësh nuk rezultoi të ishte i rëndësishëm.

As Rama dhe as Tsipras nuk njoftuan se deri në çfarë pike kanë arritur negociatat, cilat janë çështjet që iu janë dhënë përparësi, dhe mbi të gjitha, nën çfarë rrethanash dhe kushtesh do të arrihej pakti detar mes dy vendeve, i konsideruar nga ekspertët si “thembra e Akilit”. Pak para bisedimeve, Kryeministri shqiptar ka dhënë një intervistë për agjencinë ballkanike të lajmeve “IBNA”, duke theksuar ndër të tjera se Tirana zyrtare ishte në pritje të nënshkrimit të një marrëveshjeje me Greqinë. “Zgjidhjet që kemi parë midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe zgjidhja midis Shqipërisë dhe Greqisë janë një tregues i qartë se ku ka vullnet, edhe ka një mënyrë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Gjatë dorëzimit të postit, Kotziaz shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Edhe pse Athina zyrtare u tërhoq nga kjo deklaratë për shkak të reagimit të ashpër të Turqisë, e cila kërcënoi madje edhe me luftë, nuk kishte si mos të tërhiqte vëmendjen qëndrimi i heshtur i Tiranës zyrtare, e cila nuk ka pranuar as të mohoje dhe as të konfirmojë këto raporte.

Kufiri detar Shqipëri-Greqi

Në fakt në detin që ndan Shqipërinë me Greqinë është shumë e vështirë që të gjesh sipërfaqe detare ku ujërat territoriale greke të shkojnë 12 milje. Pjesa më e ngushtë është pjesa e Ksamilit, që është 1.8 milje. Në ngushticën e Ksamilit, pala shqiptare do të marrë 0.6 milje, pala greke do të marrë 0.6 milje dhe 0.6 milje do të jetë si det ndërkombëtar. Pakti i ri i detit, ende i pazbardhur, mund të ketë shumë probleme, në ndarjen e zonave të pasura me naftë, apo me mënyrën si do të llogariten gjiret e bregdetit të Sarandës.

I trishtuar për largimin e Bushatit, Kotzias tregon se në muajin mars pret të takohet me ish-ministrin në Pire në një seminar mbi politikën e jashtme të viteve të fundit.

“Bushati u largua nga Rama dhe në të dy që thuajse kishim mbaruar paketën e marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë, nuk jemi më në Ministritë tona”, thotë ai duke rrëfyer se Bushati i kishte premtuar se do të marrë pjesë në seminarin e organizuar nga pala greke. Ndoshta tani që janë të “çliruar” nga barra e institucioneve që përfaqësonin, Bushati dhe Kotzias mund të vendosin të ndajnë detaje për negociatat mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë