Seanca parlamentare nuk pati ndonjë risi të madhe nga ato që janë zhvilluar qëkur në shënjestër të akuzave të opozitës është vënë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Por, jashtë sallës së Kuvendit risi ishin akuzat e Sali Berishës drejtuar mazhorancës për bisedimet me Greqinë për ndarjen e detit.
Ish-Kryeministri tha se ka informacione nga burime, që i quajti “të 2-3 fishta” se me Greqinë nuk po ndodh asnjë negociatë, por imponim nga Athina.
Berisha renditi disa arsye.
“Së pari, grekët në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqipëtare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë”, deklaroi ai.
Së dyti, Berisha thotë se në marrëveshje, grekët bëjnë të qartë ndalimin e fjalëve “koncesione” dhe “ekuiti” për zonën ekonomike.
Në arsyen e tretë, ish-Kryeministri flet për refuzim të marrëveshjes nga një pjesë e anëtarëve dhe për tradhti nga dy prej tyre. Akuzon edhe Kryeministrin Rama se po kërcënon anëtarët e delegacionit shqiptar.
“Disa anëtarë të delagacionit kanë shprehur refuzimin e plotë, kanë bërë letra për shefat e tyre ku i njoftojnë për imponimin që kërkon të bëjë pala greke. Skapi famoz dhe agjenti Muçollari arrinin që të falsifikojnë edhe minutat e diskutimeve, të bindin për të firmosur letra pasi janë hequr gjërat nga aty. Dy persona secili më i zi se tjetri, Skapi famoz dhe spiuni Muçollari i njohur se punon në çdo rast kundër Shqipërisë. Nga Edi Rama, anëtarët kanë marrë kërcënime për largime imediate nga Athina dhe bisedimet”, vijoi ai.
Në fund, Berisha thotë se edhe ishulli i pabanuar, Othon merr fuqi të plotë, njësoj si ishull i banuar.
“Ishulli Othon merr fuqi të plotë, si për ujërat territoriale ashtu dhe për zonën ekonomike. Ai ishull që bëri zhurmë pala greke i bën të qartë palës shqiptare se ishulli ka të gjithë fuqinë si një ishull të banuar”, u shpreh ish-Kryeministri.
Berisha deklaroi gjithashtu se të gjitha këto përforcohen nga deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos.
“Kamenos ka thënë se Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale. Ndaj kujt do t’i zgjerojë? Sigurisht ndaj Shqipërisë”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.