Menaxhim

Në Porto Romano do të zhvendoset dhe shërbimi i pasagjerëve bashkë me ato të mallrave

Nga Gazeta ‘SI’ - Porti i ri i Porto Romanos, ku pritet të zhvendosen të gjitha shërbimet ngarkim-shkarkim nga ai i Durrësit, do të kthehet dhe në port për pasagjerë.

Në një raport ku shpjegohen ndryshimet e reja të Porto Romanos për shkak të ndërhyrjes së arabëve në ndërtimin e një Marine luksoze jahtesh, Autoriteti Portual i Durrësit, APD, tregon se ndër kapacitetet e parashikuara është dhe ai i pasagjerëve, për 1 mln të tillë në vit.

Ky është ndryshim që hedh poshtë informacionet e dhëna fillimisht nga qeveria dhe vetë APD, kur tregonin se zhvendosja e shërbimeve do të jetë vetëm për mallrat dhe se udhëtarët do të vazhdojnë të përdorin portin e Durrësit.

Në raport parashikohet 2 mln TEU kontejnerë (njësi që përdoret për matjen cargo) dhe 50 mln ton mallra të tjerë.

Projekti në Porto Romano do të shtrihet në 400 ha sipërfaqe tokësore dhe do të kushtojë 390 mln euro, me një kredi që do të marrë vetë APD. Në muajt e parë të vitit 2023 pritet të nisë tenderimi për fazën e parë të punimeve.

Plani fillestar i treguar dhe nga inxhinierët e Royal Haskoning që po merren me projektin, ishte që hapësira të ndahej në tre zona, zonën veriore kontejnerët, në jug cargot e përgjithshme dhe në qendër, hidrokarburet, pra pa ndarje për pasagjerët.

Zhvendosja e operimeve në Porto Romano do të bëhet në kuadër të projektit gjigand “Durrës Yachts & Marina Sales Centre”, një port turistik i turizmit elitar dhe rezidenca luksoze. I gjithë projekti pritet të përfundojë në 20 vite, ndërsa faza e parë bashkë me zhvendosjen në Porto Romano, deri në 7 vite.  

Ai do jetë gjithashtu pjesë e Korridorit 8, ku do të lidhen portet e Thata të Prishtinës dhe Shkupit me anë të hekurudhave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë