Kinema

Në portën e Përjetësisë: Willem Dafoe ringjall piktorin Van Gogh

“Atë çka shoh unë, nuk e sheh kush tjetër.” Këto janë fjalët në zemër të filmit më të ri me protagonist Willem Dafoe “At Eternity’s Gate” (Në Portën e Përjetësisë), ku aktori interpreton piktorin Vincent van Gogh,  në kulmin e shpërthimit të tij. Filmat biografikë mund të jenë ose shumë të mërzitshëm ose tmerrësisht  magjepsës. Filmi “At Eternity’s Gate” i Julian Schnabel-it, i cili na ka dhënë vepra po aq të mrekullueshme sa “The Diving Bell and The Butterfly” apo  “Miral”, një nga performancat më të mira të Frieda Pintos) është një vështrim imponues në vitet e fundit të Vincent Van Gogh-ut. Pjesë e edicionit të 75 –të të Festivalit të Filmit në Venecia, filmi është gjithashtu edhe një tjetër studim krijues i një individi. Më herët, Schnabel ka pikturuar portretin e poetit dhe romancierit kuban Reynaldo Arenas (Before Night Falls) dhe shkrimtarit Jean-Dominique Bauby (The Diving Bell...). Por në më të fundit, “At Eternity's Gate”, përvojat personale të Schnabel-it si piktor e pasurojnë narrativën, me performancën e jashtëzakonshme të Willem Dafoe-s si Van Gogh.

Dafoe, 63 vjeç, e sjell piktorin legjendar në jetë ndërsa ai lufton me sëmundjen mendore dhe dyshimet tek vetja. Në film interpreton edhe aktori Mads Mikkelsen, si një prift që pyet se përse Van Gogh e sheh veten si piktor. “Sepse e dashuroj pikturën duhet të pikturoj, kam qenë gjithnjë piktor. Këtë di.”, përgjigjet Van Gogh-u i Dafoe-s. “Sepse nuk di të bëj asgjë tjetër dhe më beso, jam përpjekur.”Filmi ndjek Van Gogh-un gjatë kohës së tij në çmendinë, si edhe takimin me një tjetër piktor të famshëm Paul Gaugin (Oscar Isaac), i cili e inkurajon Van Gogh-un të ndjekë forma të reja pikture.

“Duhet të nisim një revolucion, e kupton? Kemi krijuar një vizion të ri, një mënyrë të re të të pikturuarit”, thotë Gaugin.  Si përgjigje, Van Gogh ia kthen: “Kam kaluar të gjithë jetën i vetëm në një dhomë. Mezi pres të gjej një dritë të re për pikturat që nuk kam parë ende.” Gjithashtu i eksploruar në film është veprimi i famshëm i Van Gogh-ut, kur ai pret veshin dhe pikturon veten me fashë. “Ja përse e preve veshin. Vizioni yt i botës është shumë frikësues”, i thotë dikush. I shkurajuar, Van Gogh i thotë “Po.”

Ajo çka është fare e re në film është aftësia krijuese e regjisorit për të përdorur letra dhe fakte të tjera dokumentare për të na çuar në një marrëdhënie magjike, të cilën piktori e ndan me pikturat e tij. Ashtu si shumë aktorë në histori, jeta e Van Gogh-ut, ishte një betejë e madhe, të cilën filmi e servir me hollësi. “At Eternity's Gate” nis në Parisin e fundit të 1880-ës, një periudhë e njohur për artin e lartë dhe stilin e çmendur të jetës. Vëllai i tij tregtar arti, Theo-ja (Rupert Friend), nuk është në gjendje të gjejë blerës për pikturat e Van Gogh-ut de kur i ekspozon në kafenetë e Parisit, ngjallin fare pak interes.

Kur artisti Paul Gaugin këshillon Van Gogh-un për t’u shpërngulur në jug të Francës me qiejt plot diell dhe njerëzit e lumtur, ai ia vë veshin, duke lënë Parisin e zymtë dhe banorët e tij të pandjeshëm dhe mospërfillës. Ai vendoset në Arles, ku pas një dimri të ashpër, dielli nis të shtriqë ngrohtësinë dhe dashurinë e tij, duke i dhënë zemër Van Gogh-ut dhe artit të tij.Ka pamje që të lënë pa frymë, të mbërthyera nga kamera e Benoit Delhomme-s.

https://www.youtube.com/watch?v=T77PDm3e1iE

Ditët e fundit të Van Gogh-ut, humori i tij dhe tablotë bëjnë kontrast  me gjethet dhe lulet, barin diellin dhe qiejt,  për të paraqitur një pikturë thuajse eterike të jetës dhe kohëve të një artisti të madh, i cili, megjithëse, ishte i prirë, ndaj ndryshimeve të tmerrshme të gjendjeve shpirtërore, një fakt që furnizoi aq shumë spekulim se ai do të kish vrarë veten në korrik të vitit 1890. Kjo është hedhur poshtë nga Schnabel në film. Ai thotë se piktori post-impresionist holandez u qëllua pas një zënke me disa të rinj vendas dhe vdiq më vonë nga plagët e marra.

Skenaristi legjendar francez, Jean-Claude Carriere , i cili e ka shkruar së bashku me Schnabel skenarin e filmit, ka thënë se “nuk ka asnjë provë se  ka vrarë veten. A e besoj unë se Van Gogh ka vrarë veten? Absolutisht jo! Ai u kthye në shtëpi me një plumb në stomak dhe askush nuk e gjeti kurrë armën apo materialet e pikturave të tij”, ka shtuar Carriere.

E përse të vetëvritej? Ai ndihej jashtëzakonisht mirë në ditët e tij të fundit. “Ne kemi luftuar kundër legjendës së errët romantike të Van Gogh-ut. Në periudhën e fundit të jetës, Van Gogh punonte në mënyrë të vazhdueshme. Çdo ditë bënte një vepër të re”, ka thënë Carriere. “Javët e tij të fundit, kur pikturoi portretin e Dr.Ghachet-it – i cili vendosi një rekord botëror kur u shit për 77 milionë euro më 1990-ën –nuk  ishte aspak i trishtuar,  ka argumentuar shkrimtari.

Schnabel ka shtuar se njeriu,  i cili pikturoi 75 tablo në 80 ditët e tij të fundit, nuk mund të kishte qenë vetëvrasës. Në fakt, arma me të cilën mendohet të ketë vrarë veten nuk është gjetur kurrë. Ai nuk mund ta ketë groposur përpara se të humbte ndjenjat. Legjendat kanë qenë gjithnjë pjesë e jetëve të njerëzve të mëdhenj, sidomos ato të errëtat dhe, Van Gogh nuk ishte përjashtim. Filmi do të shfaqet në kinematë botërore  më 16 nëntor, të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë