Mendim

Në mes të cinizmit dhe shpresës

Nga Demush Shasha - Gjëja e fundit që i duhet procesit të zgjerimit është një premtim i ri për t’u zhgënjyer. Prandaj ato për çfarë rajoni ynë ka nevojë nuk janë fjalimet e bukura diplomatike, por vendimet e vështira politike.

Po të kishin qenë erërat e historisë vetëm pakëz më ndryshe, për emrin e Charles Michelit nuk do të kishim dëgjuar kurrë. Në vitin 2014 ai u bë rastësisht kryeministër belg falë unikalitetit të sistemit politik belg, me ç’rast Charlesi përfitoi nga fakti që pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve fituesi i zgjedhjeve nuk arriti ta formonte qeverinë. Të bllokuar dhe pa shpresë koalicioni qeverisës u dakordua mbi emrin e Charles Michelit si zgjidhje kompromisi. I njëjti fat i shërbeu Charlesit edhe për zgjedhjen në pozitën e presidentit të Këshillit Evropian në vitin 2019. Ai u pa si kandidat ideal për shkak të dobësive të tij Van Rompuiane: i urtë, pa karizëm dhe pa peshë politike ishin cilësitë që e bënë atë kandidat të përsosur konsensual për pozitën anemike dhe ceremoniale të presidentit të Këshillit Evropian.

Por asgjë nga kjo nuk ka rëndësi, sepse nga java e kaluar kanalet e historisë së procesit të zgjerimit do të mbajnë mend Charles Michelin për zotimin e tij se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE deri në vitin 2030. Mandarinët brukselianë do të më korrigjojnë se Michel në fakt nuk ka thënë se rajoni duhet të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030, porse të dyja palët “duhet të janë gati” për anëtarësim deri në vitin 2030, por duke lënë këto fizkultura diplomatike anash, në thelb po flasim për të njëjtën gjë. Rrjedhimisht shikuar nga çfarëdo këndvështrimi, kjo është deklaratë e rëndësishme. Është hera e parë në historinë e procesit të zgjerimit që një përfaqësues i lartë i BE-së vendos një datë për anëtarësimin e rajonit tonë në BE. Dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja është hera e parë kur kjo deklaratë vjen nga një sfond i paprecedent politik për zgjerimin e BE-së.

Pushtimi rus i Ukrainës ka katapultuar procesin e zgjerimit në vëmendjen politike të BE-së. Ky momentum ka demonstruar rëndësinë thelbësore të procesit të zgjerimit për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vetë BE-së. Rrjedhimisht deklarata e Michelit sot nuk përfaqëson një zë të izoluar politik, por konsensus mbarevropian për rëndësinë e zgjerimit. Kjo ishte edhe arsyeja përse kancelari Sholc vitin e kaluar në Pragë prezantoi vizionin e tij për zgjerimin e BE-së në terma dramatikë duke huazuar nga asgjë më pak se Revolucioni kadife: “Nëse jo tash, kur? Nëse jo unë, kush?”. Mesazh identik përcolli presidenti Macron në GLOBSEC të Sllovakisë, kur tha: Për ne pyetja nuk është a duhet të zgjerohemi – ne i kemi dhënë përgjigje kësaj pyetjeje një vit më parë. Pyetja nuk është as kur duhet të zgjerohemi – sipas meje, sa më shpejt që është e mundur. Pyetja e vetme që ngelet është se si duhet ta bëjmë këtë? Këtij sinkroni politik i është bashkangjitur edhe presidentja e Komisionit Evropian, znj. von der Leyen në qershor të këtij viti në Madrid, kur tha: Çështja e zgjerimit duhet të adresohet sa më shpejt që është e mundur.

Dhe po aq me rëndësi, i gjithë ky vullnet i ri politik për procesin e zgjerimit është duke u përcjellë me punë teknike për jetësimin e tij. Kjo është edhe arsyeja përse në janar të këtij viti Gjermania dhe Franca kanë inauguruar grupin punues, i cili do të përgatitë rekomandime për reformimin ligjor, institucional dhe financiar të BE-së që do të shtrojë rrugë për zgjerimin e Unionit.

Pra, çfarë dua të them është se qartazi disponimi politik për procesin e zgjerimit ka ndryshuar. Sot të gjitha kancelaritë evropiane njohin rëndësinë e procesit të zgjerimit dhe janë gati për vendime madhore që kanë para vetes. Sidoqoftë, ironikisht këtë lloj optimizmi nuk e kanë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjykuar nga paneli i liderëve të Bledit, mesazhi pothuaj unanim që vinte nga rajoni ishte ai i cinizmit. Dhe nga një anë kjo është e mirëkuptueshme. Për kohë të gjatë BE-ja ka dëshpëruar edhe dishepujt e saj më fanatikë. Nga premtimi i Selanikut deri te premtimi i Bledit kanë kaluar njëzet vjet dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë sot margjinalisht më afër anëtarësimit se para njëzet vjetësh. Zhgënjimet e fundit me vonesat në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vonesat në liberalizimin e vizave për Kosovën vetëm kanë sforcuar pesimizmin dhe cinizmin ndaj BE-së.

Sidoqoftë mendoj se do të ishte e gabueshme që të nënvlerësohet momenti pivotal në të cilin gjendemi. Kuptoj që ka plot arsye për cinizëm dhe dyshim, por në fjalët e ish-presidentit Obama: Mund të zgjedhim cinizmin, por shpresa është zgjedhja më e mirë. Dhe këtë e vërtetuan zhvillimet e fundit në procesin e zgjerimit: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat e anëtarësimit, Bosnja fitoi statusin e vendit kandidat, Kosova fitoi më në fund liberalizimin e vizave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e vendit kandidat në kohë rekorde prej 15 muajsh.

Një tjetër president amerikan ka thënë: Mua më pëlqejnë më shumë ëndrrat e së ardhmes, sesa historitë e së kaluarës, dhe sot vendet e rajonit janë para kësaj zgjedhjeje: do ta shfrytëzojnë këtë momentum historik në procesin e zgjerimit për të jetësuar ëndrrat e së ardhmes apo për të zbavitur historitë e së kaluarës?

Njëkohësisht duhet pranuar se ëndrrat nuk janë strategji. Rrjedhimisht gjatë muajve në vijim vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë sytë dhe veshët drejt BE-së jo aq për fjalët e mira, por për veprimet e drejta. Procesi i zgjerimit nuk vuan nga deficiti i premtimeve, por nga mungesa e veprimeve. Prandaj nëse vizioni i 2030-s do të jetësohet, ai do të kërkojë veprime serioze nga ana e BE-së, por edhe nga rajoni ynë.

Nga ana e BE-së do të kërkohet konkretizimi i vullnetit politik përmes disa vendimeve praktike politike. Nëse 2030-a është caku ynë i përbashkët, kjo nënkupton se në vitin 2029 duhet të mbyllen negociatat e anëtarësimit. Për të mundësuar këtë negociatat duhet të fillojnë jo më vonë se viti 2025. Për të mundësuar këtë i bie që vitin tjetër Kosova duhet të fitojë statusin e vendit kandidat dhe t’i bashkëngjitet trenit 2030. Paralelisht me këtë, BE-ja duhet të fillojë procesin e brendshëm reformues, i cili do t’i hapë rrugë akomodimit të vendeve të reja anëtare. Kjo në veçanti do të prekë gjërat e ndjeshme politike sikur që janë numri i komisionerëve, numri i eurodeputetëve, mënyra e votimit brenda Këshillit, si dhe shpërndarja financiare e buxhetit të BE-së. Shtojani kësaj ciklet e ndryshme zgjedhore që do të ndodhin brenda BE-së në shtatë vjetët e ardhshëm dhe e kuptoni sa uber-optimist është skenari 2030.

Nga ana e vendeve të rajonit do të pritet progres gjatë dy vijave kryesore: (1) Mbyllja e çështjeve të hapura bilaterale; dhe (2) Reformat e brendshme, me theks të veçantë në sundimin e ligjit.

“Problemi me kohën është se rëndësinë e saj e kupton vetëm kur është shumë vonë”, supozohet se kishte thënë Buda. Përtej autenticitetit të saj, kjo thënie kap thelbin e problemit të procesit të zgjerimit. Për kohë të gjatë vendimmarrësit evropianë kanë trajtuar procesin e zgjerimit si diçka për të cilin ka kohë. Derisa Putini nuk pushtoi Ukrainën. Ky akt barbar ka kërcënuar në themel rendin evropian dhe ndërkombëtar. Tani më nuk ka kohë për premtimet e bukura, por për veprimet serioze që do të jetësojnë një herë e përgjithmonë premtimin e një Evrope të bashkuar dhe në paqe. Kësaj mund t’i përgjigjemi me cinizëm ose me shpresë. Përgjigjen do ta kuptojmë së shpejti. /Marrë nga koha.net/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë