Analize

Në Kosovë të gjithë kanë frikë të bëhen kryeministër

Nga Xhuliana Toci- Karrigia e kryeministrit në Kosovë vazhdon të jetë bosh dhe ka të ngjarë të mbetet e tillë deri në vjeshtë pasi tani për tani asnjë nga partitë politike në Prishtinë nuk dëshiron të marrë përsipër udhëheqjen e qeverisë. Arsyeja është sa e thjeshtë aq edhe e ndërlikuar: taksa ndaj mallrave serbe dhe kush do të jetë ai që do ta heqë.

Edhe pse askush nuk mund të flasë me siguri për vendimet e qeverisë së re gjatë katër viteve të ardhshme, ky vendim i rëndësishëm qe është lënë pezull në tavolinën e kryeminstrit të ri nga Haradinaj ka të ngjarë të përcaktojë fatin e kreut të ardhshëm të qeverisë.

Heqja e taksës prej 100 % ndaj importeve serbe ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë kërkesa kryesore e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Ajo është kërkuar me ngulm nga të gjithë zyrtarët amerikamë dhe europianë që kanë vizituar Prishtinën përgjatë muajve të fundit dhe duket se po mban peng jo vetëm dialogun Prishtinë-Beograd, por edhe liberalizmin e vizave.

Pas dorëheqjes së Haradinaj të gjitha partitë politikë në Kosovë u shprehën të gatshme për mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme, por me anë të një manovre të papritur politike, ato e shtynë shpërndarjen e parlamentit për në 22 gusht, duke shtyre kështu edhe votimet për në vjeshtë. Por çfarë fshihet prapa këtij vendimi dhe cila do të jetë sipas parashikimeve partia ose koalicioni që do të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës?
Sipas gazetarit të njohur Fitim Salihu, shkaqet për shtyrjen e shpërndarjes së Kuvendit janë sa banale aq edhe të mirë menduara. Analisti thotë për “Gazetën Si” se tani për tani asnjë nga subjektet politike në Kosovë, përveç AAK-së së Haradinajt nuk është gati për të shkuar në zgjedhje, për të mos përmendur pastaj faktin se shumica e politikanëve në Prishtinë po planifikojnë të shkojnë me pushime.

“Është një dispozitë ligjore mbi privilegjet e deputetit që përcakton, se deputetët e Kuvendit të Kosovës i gëzojnë benefitet vetëm pasi ta kenë konsumuar gjysmën e mandatit të tyre dhe ky dyvjeçar arrihet jo më herët se më 8 gusht. Kjo është arsyeja e parë, sado që mund të tingëllojë banale dhe klasa jonë politike pa dyshim që është përcaktuese për mënyrën sesi zhvillohet politika”, thotë Salihu për Gazeta “Si”. Arsyeja e dytë është se të gjitha partitë politike, përpos AAK-së e cila është rritur në sondazhe këto ditë për shkak të dorëheqjes së Haradinajt, e cila perceptohet si heroike, kanë interes që zgjedhjet të shtyhen rreth vjeshtës. Partitë politike janë zënë të papërgatitura nga ideja e zgjedhjeve në kohën kur politikanët po planifikonin pushimet dhe kanë nevojë për më shumë kohë që ta mobilizojnë elektoratin e tyre.
“E treta, nëse zgjedhjet do shpalleshin më herët, fushata do të duhej të zhvillohej gjatë gushtit, muaji i verës, pushimit e dëfrimit dhe partitë druanin se kjo do ta irritonte qytetarin që mu në mes pushimesh të lodhej me premtime elektorale”, thekson gazetari.

Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 7 gusht 2019

Megjithatë, sipas Salihut, pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj ndërkombëtarët, sidomos amerikanët kanë kërkuar që koalicioni qeverisës të zgjidhte një kryeministër tjetër për të përfunduar mandatin e Haradinajt, në mënyrë që marrëveshja me Serbinë mos të hasë në vonesa të tjera.

“Amerikanët po bëjnë presion për një mandatar të ri për kryeministër sepse duan që të përfundojë sa më parë procesi negociator me Serbinë. Megjithëkëtë, duke parë disponimin e partive politike, ky objektiv vështirë se do të realizohet”, thotë analisti.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme më 20 korrik, duke njoftuar se ishe thirrur në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Por në atë që u cilësua si fjalimin e tij i fundit si kryeministër i Kosovës, Haradinaj la një “amanet” të fundit politik: mos heqjen e takës ndaj importeve serbe.
“Më lejoni që t’iu siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha ai. Që nga vendosja e kësaj takse, Serbia është tërhequr nga dialogu, duke deklaruar se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve derisa Prishtina të tërhiqet nga ky vendim.

Salihu është i bindur se taksa do të jetë një vendim i pashmangshëm për qeverinë e ardhme të Kosovës, madje sipas tij, edhe dorëheqja e Haradinaj erdhi si pasojë e rezistencës së presionit ndërkombëtar për tërheqjen nga ky vendim.

Fitim Salihu, Gazeta Si, 7 gusht 2019

“Mendoj që vetë dorëheqja e kryeministrit në mënyrë indirekte është nxitur nga presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës. Fillimisht amerikanët, e më pas edhe gjermanët, dolën kundër kryeministrit Haradinaj në këtë pikë. Duke parë qendrimet e liderëve të tjerë politikë, taksa me gjasë do të hiqet fill pas zgjedhjeve. Madje, sipas mendimit tim, edhe nëse Haradinaj bëhet kryeministër pas zgjedhjeve, ai do të jetë i detyruar të anulojë taksën. Në Kosovë ekziston një qëndrim i jashtëzakonshëm popullor pro amerikan dhe me kalimin e kohës, Haradinaj do ta humbiste edhe përkrahjen qytetare nëse do të vazhdonte t'i rezistonte për shumë gjatë kërkesës së aleatëve amerikanë për heqjen e taksës”, thotë gazetari për Gazeta “Si”.

Por çfarë do të ndodhë pas kësaj dorëheqjeje dhe kur pritet të bëhet Kosova me një qeveri të re?

Salihu thotë se pas shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht, Presidenti Hashim Thaçi duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme, e cila duhet të jetë jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit. “Si rrjedhojë, i bie që zgjedhjet të mbahen diku në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit dhe fushata 10-ditore për zgjedhje të parakohshme të mbahet në gjysmën e dytë të muajit shtator”, thekson ai.

Edhe pse kanë shtyrë shpërndarjen e Kuvendin, partitë politike në Prishtinë duket se po nisin bisedimet edhe për të formuar koalicionet parazgjedhore.

Kush po kandidon për kryeministër?

Partia Demokratike e Kosovës ishte e para që ka njoftuar se kryetari i partisë Kadri Veseli do të jetë kandidati i saj për kryeministër, ndërsa përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se Ramush Haradinaj do të kandidojë sërish për kryeministër.

“Duke parë angazhimin e kryeministrit Haradinaj dhe vendimet e vështira që ka marrë, është e pakontestueshëm që të kandidojmë me një personalitet të tillë”, thotë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi, i cili është i bindur se partia e tij do të fitojë bindshëm zgjedhjet e ardhshme.

Albin Kurti, Gazeta Si, 7 gusht 2019

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës kanë thënë se lideri i kësaj partie Albin Kurti do të jetë sërish i zgjedhur i tyre për të udhëhequr vendin. Në këto kushte, dy partitë kryesore të bllokut opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë sinjalizuar se janë të gatshme për një partneritet për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Albin Kurti duket se ka ftuar hapur LDK-në për koalicion parazgjedhor, duke deklaruar se duke krijuar në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe PSD-në, sipas tij do të rezultonin fitues me mbi 70 mandate në Kuvendin e Kosovës që ka gjithsej 120 vende.

Kurti tha se pas koalicionit parazgjedhor, do t'i duheshin mbase edhe ndonjë partner i vogël për të pasur 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

“Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Në këtë mënyrë do të kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare. Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë”, shkruan Kurti.

Por ndryshe nga Vetëvendosja, zyrtarët e LKD-së nuk e kanë vendosur ende se cila do të jetë figura me të cilën do të kandidojnë, pasi kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk do të kandidojë sërish për kryeministër. Në një intervistë pak pasi u zgjodh për të tretën herë kryetar partie, Mustafa deklaroi se do të mbante timonin e LDK-së, por se së bashku me anëtarët e tjerë të partisë së tij do të gjejnë një kandidat tjetër brenda LDK-së për të kandiduar për kryeministër.

Disa zyrtarë brenda LDK-së po mbështesin nënkryetarin Lutfi Haziri e disa të tjerë deputeten Vjosa Osmani.

Ndërkohë deputeti i PSD-së Salih Salihu thotë së partia e tij do të propozojë kryetarin e partisë Shpend Ahmetin si të nominuar për kryeministër.

“Natyrisht, nëse do të hymë të vetëm, kandidati duhet të jetë Shpend Ahmeti. Kjo është më se e qartë, por tani për tani Ahmeti është kryetar i Komunës së Prishtinës dhe i takon atij të të vendosë”, ka thënë ai për "Zërin".

Nga ana tjetër deputetja e Nismës, Albulena Balaj, ka bërë të ditur se kreu i këtij subjekti Fatmir Limaj do të jetë i zgjedhuri i partisë për kryeministër, një vendim që pritej nga të gjithë ekspertët në Kosovë.

Isa Mustafa, Gazeta Si, 7 gusht 2019

Cili është qëndrimi i partive për taksën

Pa filluar ende fushata zgjedhore disa parti politike që kanë kërkuar me ngulm pezullimin e taksës ndaj Serbisë si kusht për të vazhduar dialogu, duket se kanë ndryshuar papritur qëndrim.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket se i kanë dalë në krah kryeministrit Haradinaj duke deklaruar se Prishtina nuk duhet të tërhiqet nga taksa.

Përfaqësuesit e PDK-së kanë kërkuar vazhdimisht pezullimin e saj për një periudhë të caktuar kohore, për shkak të edhe të rritjes së presionit nga ana e Uashingtonit.
Disa muaj pasi ishte vendosur taksa zëvendëskryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, kishe kërkuar pezullimin e saj, duke thënë se ky vendim e kishte arritur qëllimin e saj.

“Taksa e ka arritur qëllimin e saj, meqë ajo ka goditur ekonominë e Serbisë. Ndërkohë që ne po flasim dëmi i ekonomisë serbe është mbi 150 milionë euro. Qëndrimi ynë është që taksa të pezullohet për të paktëm 120 ditë pasi kjo tërheqje na jep mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale. Nëse kjo nuk ndodh atëherë taksa do të duhej të rikthehet”, kishte thënë Hoxhaj në mars të këtij viti.

Mirëpo menjëherë pas caktimit të datës së shpërndarjes së Kuvendit Hoxhaj ka deklaruar se taksa duhet të mbetet në fuqi. “Qëndrimi ynë aktual është që taksa duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë Hoxhaj në një debat televiziv.

Nga ana tjetër, as kreu i LDK-së Isa Mustafa asnjëherë nuk u deklarua pro taksës, duke thënë se ky vendim ishte marrë më shumë për të rritur konsumin e brendshëm sesa për të arritur efekte. Mustafa ka bërë disa herë thirrje të dëgjohen këshillat e zyrtarëve amerikanë, të cilët e kërkonin heqjen e taksës.
Mirëpo së fundmi Mustafa ka ndërruar qëndrim, duke deklaruar se është pro mbetjes në fuqi të këtij vendimi.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të ndërrojë qëndrimet e veta dhe të reflektojë në të për bllokadën që po i vë Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Në këto kushte, vetmja që nuk ka ndryshuar qëndrim është Vetëvendosja, e cila ka deklaruar që në fillim se taksa duhet të mbetet në fuqi derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Albin Kurti është shprehur vazhdimisht se taksa ndaj produkteve serbe nuk duhet të hiqet, pavarësisht gjuhës së ashpër të SHBA-së dhe Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë