Politike

Kuvendi i Kosovës shpërndahet me 89 vota, zgjedhjet në tetor

Deputetët kanë votuar pro shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Nga 105 deputetë që ishin të pranishëm në sallë, 89 e tyre kanë votuar pro, ndërsa 1 kundër dhe 2 abstenuan.

Kjo seancë e jashtëzakonshme vjen gati një muaj pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj, pas ftesës që mori për në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Seanca për shpërndarjen e Kuvendit filloi me kritikat e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se shumica e deputetëve të pranishëm nuk e meritonin të përfaqësojnë qytetarët.

Më pas si hapi debatin, duke ia dhënë fjalën shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili nuk i kurseu kritikat për qëverinë “Haradinaj”.

“Qeveria e PAN-it (koalicioni PDK, AAK dhe Nisma) do të mbetet në histori si qeveria më e madhe ne botë më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltarë, me 5 zëvendëskryeministra e me 80 zëvendësministra”, tha ndër tjera Hoti.

Pas fjalimit të Hotit, kryetari i Kuvendit, Veseli kërkoi mendimet e shefave të grupeve parlamentare nëse ka nevojë të ketë debat, apo vetëm nga një deklaratë të grupeve parlamentare para se të shkohet në votimin e mocionit të shpërndarjes.

Pas votimit të tyre, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ai që pritet të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshmee. Me shumë gjasë do të jetë e diela e parë e tetorit.

Tanimë që parlamenti ka “shkrepur” armën për  zgjedhje të parakohshme, armiqësitë politikë duket të mos jenë më pengesë për koalicionet elektorale midis partive të Kosovës.

Shumica e deputetëve që votuan pro shpërndarjes së parlamentit të enjten, duke i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare brenda 45 ditëve pritën një muaj pas dorëheqjes se Ramush Haradinajt, në mënyrë që të fitonin sa më shumë kohë për të përmirësuar perspektivat e tyre elektorale, duke injoruar dallimet zyrtare ideologjike.

Që pas luftës, Kosova nuk ka pasur as një Qeveri të qëndrueshme, e cila e ka çuar deri në fund mandatin katër vjeçar.

Analistët politikë në Prishtinë thonë se sistemi politik në Kosovë është i tillë që e bën të pamundur krijimin e Qeverisë pa koalicione, duke i detyruar partitë politike të gjejnë partnerë me të cilët mund të mos pajtohen në shumë çështje.

Artan Muhaxhiri deklaron se koalicionet parazgjedhore janë më të qëndrueshme sesa bashkëpunimet e papritura pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Është shumë e dëmshme që koalicionet pas zgjedhore të bëhen në mënyrë të improvizuar dhe duke shkelur parimet politike. Dhe kjo është një ndër arsyet që asnjë qeveri nuk ka mundur të çojë deri në fund mandatin e saj, pasi koalicionet pas zgjedhore janë bërë duke pasur parasysh arritjen e 61 deputetëve për të formuar qeverinë dhe jo parimeve të qarta dhe të shëndosha politike për funksionim të përbashkët afatgjatë”, tha Muhaxhiri.

Haradinaj ishte i pari që  njoftoi një pakt elektoral midis partisë së tij të qendrës së djathtë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe social-demokratëve të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti, Gazeta Si, 22 gusht 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, është gjithashtu në bisedime për të formuar një aleancë edhe më të paimagjinueshme me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Ky i fundit e quajti lajm të gëzueshëm shpërndarjen e Kuvendit të gjashtë të Kosovës dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja. Ai tha se qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet dhe ka “shumë punë të mëdha, por nuk mund të marrë kurrë vendime më të këqija se qeveria Haradinaj”.

Sipas analistit, Ramush Tahiri, qytetarët e Kosovës presin nga këto zgjedhje që të ketë një strukturë të re politike, por edhe pas këtyre votimeve sipas tij Kosova, do të vazhdojë të drejtohet nga figurat e njëjta politike.

“Pritshmëritë janë të mëdha, por rezultatet mendoj se do të jenë zhgënjyese, duke pasur parasysh se kemi po të njëjtat figura të vjetra partiake, kemi sistemin e vjetër partiak dhe kemi edhe synime të vjetra. Kudo po diskutohet për kandidatët për kryeministër, por pazaret e partive politike për të marrë pushtetin nuk bazohen në parime”, thotë ai për “Radio Europa e Lirë”. "Qytetarët duan struktura, të cilat nuk do të jenë klienteliste, por që do të synonte të vendosin një lloj demokracie të mirëfilltë, sundimin e ligjit dhe drejtësinë”, thotë Tahiri, sipas të cilit duke pasur parasysh që asnjë mandat legjislativ 4-vjeçar nuk është përfunduar, nuk mund të pritet ndonjë mrekulli edhe tani.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate zgjedhore pa u shpallur ende data e zgjedhjeve, duke e shfrytëzuar kohën e fituar nga shtyrja e shpërndarjes së Kuvendit për krijimin e koalicioneve. Tanimë të gjitha krahët politike duket të përgatitur të bëjnë gjithçka për të marrë pushtetin.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Gazeta Si,22 gusht 2019

Në një konferencë të përbashkët me Ahmetin, Haradinaj deklaroi disa ditë më parë se përveç PSD-së, AAK-ja është e hapur edhe për partnerë tjerë.

“Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. PSD-ja dhe AAK-ja kanë arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kanë në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në, pasi me këto parti kemi edhe një komunikim të ndërsjellë”, deklaroi kryeministri në largim.

Ndërkohë Ahmeti duket sa ka lënë pas edhe përplasjet e të kaluarës duke thënë se me AAK-në do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeveritar.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është deklaruar se në zgjedhje do të shkojë si parti e vetme, ndonëse nuk ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve me të gjitha partitë e tjera, përveç Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka mbajtur një takime me kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limaj. Ky i fundit ka thënë se do të bisedojë me gjithë partnerët dhe më pas do vendosë për një koalicion të mundshëm. Disa ditë pas tij, Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma , Jakup Krasniqi nuk e ka mohuar se mund të bashkohej në një koalicion me PKD-ne dhe LDK-në për aq kohë as një aleacë e tillë nuk shkel parimet e partisë.

Nga ana tjetër, edhe Albin Kurti, është shprehur optimist pas shpërndarjes së Kuvendit për koalicionin me LDK-në, duke sinjalizuar formimin e një aleace të fuqishme.

“Kur të kemi rezultate konkrete sa i përket koalicionit me LDK-ne do t’i tregojmë menjëherë. Tani për tani jemi në një proces me vullnet të mirë për kurorëzimin e aleance për të cilën unë jam optimist”, ka thënë Kurti, duke e përjashtuar kategorikisht një bashkëpunim Vetëvendosje- PDK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë