Ngjarje

Në gjak për qiranë e shtëpisë

Të gjesh një shtëpi me qira në Tiranë, më të vështirë e kanë të rinjtë sesa çiftet apo prindërit me fëmijë. E gjitha lidhet me garancitë që kërkojnë qiradhënësit, jo vetëm për të mos shkatërruar banesën nga beqarët apo studentët, por edhe që në fund të muajit të kenë pagesën e qirasë të sigurt që do përfundojë në xhepat e tyre. Zonat preferenciale të kryeqytetit që për rrjedhim janë të shtrenjta për ata që jetojnë me qira, janë apartamentet në “Rrugën e Elbasanit” apo shtëpitë private te Vilat Gjermane, që variojnë nga 250 deri në 350 mijë lekë. Zonë e lakmuar është edhe zona e Bllokut, rruga “Myslym Shyri”, Tirana e Re dhe çdo zonë tjetër që gjendet në afërsi të fakulteteve. Por, bashkë me sfidat për të gjetur shtëpi me qira, që nga ato tradicionalet, pra afishimi i qirave përmes shtyllave apo furrave të lagjes, apo më modernet, dhënie me qira përmes agjencive, edhe lirimi i shtëpisë ka vështirësi më vete.

Së paku, me një rast të tillë po merren agjentët e policisë në Drejtorinë e Qarkut Tiranë.

Sherri për të larguar qiraxhinjtë nga banesa ka denigruar aq rëndshëm, sa të dyja palët i kanë zënë derën oficerëve të krimeve. Pronarët pretendojnë se qiramarrësi i ka kërcënuar me fjalët: “Me mua je në gjak”. Ndërsa këta të fundit i kanë thënë “se pronari i kishte hedhur në rrugë”.

Vjollca Begaj nga Mati denoncon se kishte rënë dakord me një çift të ri që t’ua jepte shtëpinë me qira derisa të gjente një blerës për banesën. Gruaja tregon se çifti menjëherë sapo ishte njoftuar për ndryshimin e situatës, kishte rënë dakord të bënin gati valixhet. Por, siç mëson Gazeta “Si”, nga burimet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, disa orë më vonë pronarja ka marrë telefonatë nga qiraxhiu, i cili e paralajmëron: “Vjollca në rast se nuk do ta shesësh shtëpinë, më ke gjakun borxh”.

Gruaja i thotë policisë se menjëherë ka shkuar në banesën ku jeton çifti dhe ka kërkuar të komunikojë me qiraxhiun që quhet Genci. Por, menjëherë ai është shfaqur në korridor dhe ka thërritur bashkëshorten: “Merr thikën ta therim”.

Kaq ka mjaftuar që gruaja të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë, por ajo është qëlluar me grushte. Ndërkohë, grushtet nuk janë kursyer edhe për një grua tjetër që ka tentuar të ndërhyjë.

Por, ndërsa policia beson se bëhet fjalë për kanosje dhe dëmtime të tjera me dashje, janë shënuar në procesverbal edhe shenjat që gruaja kishte në krahë.

Por, çfarë thonë qiramarrësit? Dihet që e vërteta nuk i përket asnjërës palë, për sa kohë që hetimi është bazuar mbi dëshmi dhe deklarata të të dyja palëve?

Fillimisht pyetet shtetasja Enada nga Tropoja. 29-vjeçarja sqaron se shtëpia ishte marrë me qira pa dokument konkret, por vetëm bazuar në fjalë e në besë. Qiraja e fundit ishte paguar këtë muaj me premtimin se çifti do qëndronte deri në prill të 2020-s.

Enada: Por pronarja më telefonoi në darkë dhe më kërkoi të liroja shtëpinë. I kërkova të më jepte kohë, pasi kam dy fëmijë të vegjël, sa të gjeja një shtëpi tjetër. Gjatë këtij debati për datën se kur duhet të dilnim, bie zilja, derën e hap vajza e vogël. Në shtëpi hyri Vjollca dhe duke bërtitur, kërkoi ta lironim shtëpinë, pasi ajo theksonte që shtëpia ishte e saj. Burri kërkoi dhe i tha të dilte jashtë e të flisnin jashtë, por ajo filloi të godiste dhe bashkë me të ishte edhe një grua tjetër.

Edhe qiramarrëses i është bërë këqyrje e trupit, ku janë konstatuar hematoma në fytyrë dhe në duar. Si fillim, policia i ka dërguar të dyja palët për ekspertim që rezultuan me gërvishtje, por materialet pritet të referohen në polici për Genci Dautajn, për dyshimet e kanosjes përderisa ka dyshime se ka kërcënuar dhe ka folur për gjakmarrjen, ndërsa për gratë e tjera për dëmtime të tjera me dashje, tha për Gazetën “Si” një burim jozyrtar i policisë.

Së paku, nga kjo histori, ju që kërkoni një shtëpi qofshi studentë, çifte të reja apo prindër merreni një mësim. Që mos t’ju nxjerrin befas nga shtëpia, kërkoni një kontratë.

Edhe të tjerët që japin banesën me qira, mos u bëni nopranë, kontrata ju shpëton nga sherri dhe nga kërcënimet. Sepse tek e fundit, nuk është dhe aq e lehtë të zhvendosesh me çanta në krahë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë