Opinion

Në djall vaftë virusi! Na u desh të ndaheshim nga njëri-tjetri për t’u ndjerë sëbashku

David Brooks* – Në djall vaftë ky virus! Në djall vaftë ky virus që po shkatërron familjet, po varros njerëzit në izolimin e thellë e të katër mureve, po lë kamarierët në ankth nëse do të jenë të aftë për të paguar qeranë. Nëse nuk ke pakëz urrejtje në zemër drejt kësaj gjëje, me siguri nuk je i motivuar mjaftueshëm.

Teksa kemi ardhur në këtë pikë, më vjen të them "në djall vaftë edhe siguria". Gjatë javëve të kaluara kam qenë duke ndjekur sa në një kanal në tjetrin komentet e analizat se për sa kohë do të zgjasë ky virus dhe sa i keq do të jetë. Autorët duken shumë të zgjuar, por të dhënat e tyre përmbajnë shumë lajme të tmerrshme.

Ndërkohë unë po nis ta vlerësoj diturinë që pacientët e kancerit ndajnë: Ne thjesht nuk mund ta dimë se ç’na pret nga e ardhmja. Mos u mundoni ta zbutni situatën me disa gënjeshtra të ndjera ose parashikim të sigurt. Përqafoni pasigurinë e kësaj situate "jetë a vdekjeje".

Ka një qartësi të çuditshme që vjen me atë përqafim. Ekziston një përulje kur kupton se ti nuk je realizimi i atyre planeve që ke parashikuar apo dëshiruar të ndodhin për ty.

Tani po e shohim botën nën optikën e një fatkeqësie madhore a thua se murtaja na ka pllakosur të tërëve. Njerëzit në Seul, Milano dhe New Jersey janë të prekur nga një virus i njëjtë e që na kujton faktin e ndërvarësisë njerëzore. Shumica prej nesh janë distancuar në të njëjtën kohë nga njëri tjetri, i kemi bërë të njëjtën “pauzë” jetës, po kalojmë reflektimet e njëjta të thella të inspiruara nga kjo pauzë, po përjetojmë të njëjtat ankthe e frikëra, po lexojmë të njëjta meme.

Paradoksi i madh është se na duhej që të ndaheshim nga njëri-tjetri për t’u ndjerë së bashku. Kam shkruar për atë element që na ka mbajtur të bashkuar prej vitesh por tani që e kemi humbur po e vëjmë re. Është si puna e ushqimit që kur je i uritur veçse për atë të vete në mëndje. Tani secilit prej nesh kontakti njerëzor është ajo që i vete në mendje.

Të gjitha kontaktet shoqërore që kemi pasur, tani po i’a ndjejmë vlerën e vërtetë. Më mungojnë koret, lokalet ku shihnim sportet, mënyra e çuditshme se si ne shohim njëri tjetrin kur jemi në ashensor. Duke marrë në konsideratë e komentet e miqve të mi në rrjete sociale vëj re se mungesa e kontaktit shoqëror po i bën njerëzit më të etur për këtë të fundit.

Teksa shoh realitetin nën optikën e kësaj situate a thua se jemi goditur nga murtaja, kuptoj ndryshimin e rëndësishëm midis kontaktit njerëzor dhe solidaritetit social. Kontakt njerëzor do të thotë të jesh empatik ndaj të tjerëve e të tregohesh i sjellshëm apo i kuptueshëm me ata. Ndërsa solidariteti social është një apo disa shkallë më lart në këto raporte ndërnjerëzore. Është një zotim i yti aktiv për të mirën e të gjithëve, në të cilën ti rresht së menduari për veten e mundohesh të nxjerrësh në pah maksimumin e altruizmit tënd.

Ky koncept i solidaritetit social vjen nga mësimet e shkollës katolike. Nis me një besim se dinjiteti njerëzor nuk ka fund e që njerëzit janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin në një rrjet detyrimesh reciproke. Kjo lloj qasjeje mendimi është një formë e përkujtimit të individit e krijuesit të tij.

Solidariteti nuk mund të jetë thjesht një ndjenjë. Ajo duhet kthyer në një virtyt aktiv. Falë këtij virtyti aktiv, e jo logjikës normale utilitariane (pra për të mirën e të gjithëve), në filmin “Saving Private Ryan” personazhi George Marshall rrezikoi jetën e dymbëdhjetë ushtarëve të tij për të shpëtuar jetën e një individi të vetëm. Është pikërisht ky lloj solidariteti që i bën marinsat ta tërheqin e ta kthejnë në shtëpi trupin e rënë të shokut të tyre në betejë. Falë këtij solidariteti punonjësit e sistemit shëndetësor vazhdojnë e qëndrojnë në këmbë mes këtij terrori dhe frike. Disa gjëra ti nuk i bën thjesht për veten por për të mirën e të gjithëve.

Na duhet një solidaritet i hekurt për ta përballuar këtë gjendje izolimi edhe gjatë muajve të ardhshme. Në mund të çmendemi për pakëz kontakt njerëzor, por duhet të kemi në mendje njerëzit tanë të dashur që po mbrojmë.

Mbase pas kësaj periudhe stresuese të izoluar brenda katër mureve të shtëpisë duhet të nisim të mendojmë seriozisht për vlerën e madhe që ka një bisedë e ngrohtë dhe empatike me një njeri që jo domosdoshmërisht e njohim. Mbase do duhet të mendohemi disa herë përpara ta gjykojmë atë individ. Ashtu edhe ne, si shkolla katolike që beson se dinjiteti njerëzor është i pafundëm e ekzistojmë në një rrjet reciprok detyrimesh për të mirën universale, mund të mendojmë se si mund ta ndihmojmë dikë që nuk ka pasur fatin e mirë të jetë në atë pozicion në të cilin ne ndodhemi. Si dhe të pyesim veten se pse e kemi lejuar gjithë këtë ndarje shoqërore. Pse nuk kemi kultivuar që në fillim lidhje më të forta shoqërore kur e kemi pasur mundësinë? Mesa duket rrjedha e vrapimi në jetë për një të ardhme më të mirë, na e ka hequr vëmendjen nga koha, mbase e pavlerë për veten tonë, për të kaluar kohë më dikë duke e dëgjuar dhe kuptuar vërtet atë.

*David Brooks është opinionist për "New York Times", nga ku është marrë e ky artikull


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë