Analize

Protestat e dhunshme përfshijnë Evropën- A do të sjellin ndryshim të vërtetë politik?

Nga Ashifa Kassam- Nga kriza e strehimit në Spanjë, te pakënaqësia për arsimin dhe shërbimet publike në Francë, protestat po përhapen në disa vende evropiane, duke nxjerrë në pah një pakënaqësi të përbashkët: bindjen në rritje, veçanërisht mes të rinjve, se qeveritë nuk po arrijnë të garantojnë siguri ekonomike, barazi sociale dhe kushte më të mira jetese.

Protesta janë zhvilluar gjithashtu në Belgjikë, Itali, Portugali dhe Shqipëri, ndërsa tensionet kanë rikthyer në vëmendje pakënaqësinë e brezave të rinj ndaj institucioneve politike. Edhe pse shkaqet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, kërkesat për strehim të përballueshëm, arsim cilësor dhe shërbime publike funksionale po shfaqen gjithnjë e më shpesh.

“Ky është paralajmërimi më i fuqishëm që vjen sot nga rinia e zemëruar e Evropës”, thotë analisti i politikave Alberto Alemanno, duke theksuar se institucionet po përballen me një krizë besimi.

Megjithatë, ai paralajmëron se demonstratat nuk përbëjnë një lëvizje të vetme evropiane dhe as nuk ndajnë domosdoshmërisht të njëjtat objektiva politike. Përhapja e tyre tregon, sipas tij, një dobësi të përbashkët: shumë të rinj dyshojnë se institucionet mund t’u ofrojnë mundësitë, sigurinë dhe zërin që presin.

Nga kostoja e jetesës te kriza e shërbimeve publike

Në Francë, zemërimi është përqendruar te gjendja e shkollave, mungesa e mësuesve dhe përkeqësimi i shërbimeve publike. Qindra mijëra njerëz morën pjesë në protesta kundër rritjes së kostos së jetesës dhe vështirësive ekonomike, ndërsa sindikatat i kanë bërë thirrje qeverisë të reagojë ndaj kërkesave të qytetarëve.

Célia Belin, drejtuese e zyrës në Paris të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, vuri në dukje se qeveria franceze ka pak hapësirë për të vepruar, për shkak të deficitit të lartë, borxhit publik dhe bllokimit politik në parlament.

Sipas saj, përgjigjja se nuk ka fonde për të zgjidhur problemet e të rinjve përbën një shqetësim serioz, pasi rrezikon të thellojë ndjenjën e braktisjes nga institucionet.

Edhe në Itali, protestat kanë nxjerrë në pah pabarazitë ekonomike dhe vështirësitë për të përballuar shpenzimet e përditshme. Në Milano, qytetarët dolën në rrugë për të kundërshtuar koston e lartë të jetesës, në një qytet ku pasuria është e përqendruar te një pjesë e vogël e popullsisë.

Në Shqipëri, demonstratat studentore të ditëve të fundit u nxitën fillimisht nga propozimi për ndërtimin e një kompleksi turistik të mbështetur nga familja e Donald Trump-it, duke shtuar tensionet në kryeqytet.

Ndërkohë, në Portugali, aktivistët e strehimit ngritën tenda në sheshin Rossio të Lisbonës, me pankarta që pasqyronin vështirësitë e brezit të ri për të siguruar një banesë. Protestat pasuan mobilizime të ngjashme në Porto, ku çmimet e banesave u dyfishuan mes viteve 2015 dhe 2024, duke u rritur afërsisht dy herë më shpejt se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Një krizë besimi te institucionet

Sipas Mujtaba Rahman, drejtor menaxhues për Evropën në Eurasia Group, zhvillimet e fundit nuk tregojnë ekzistencën e një revolte të koordinuar në të gjithë kontinentin, por një bashkim të lëvizjeve të ndryshme kombëtare, të lidhura nga pakënaqësia ndaj kushteve ekonomike dhe sociale.

Ai paralajmëron se hendeku mes pritshmërive të qytetarëve dhe mundësive financiare të qeverive mund të thellohet, duke krijuar terren për protesta të tjera në vitet e ardhshme.

Një vlerësim të ngjashëm ka bërë edhe Arancha González, dekane e Shkollës së Parisit për Çështje Ndërkombëtare dhe ish-ministre e Jashtme e Spanjës. Sipas saj, protestat për arsimin në Francë dhe ato për strehimin në Spanjë pasqyrojnë një problem më të thellë: dobësimin e kontratës shoqërore.

Ajo argumenton se premtimi se rritja ekonomike do të sillte mirëqenie dhe barazi sociale po humbet besueshmërinë, veçanërisht mes të rinjve që përballen me pasiguri në punë dhe vështirësi për të përballuar jetesën.

A mund të sjellin protestat ndryshim politik?

Përhapja e protestave po rrit presionin mbi qeveritë evropiane, të cilat duhet të përballen njëkohësisht me kufizimet buxhetore dhe kërkesat në rritje të qytetarëve. Në Portugali, largimi i protestuesve nga kampi në Lisbonë u pasua nga thirrje për mobilizime të reja, ndërsa në Francë, Spanjë dhe Itali janë paralajmëruar protesta të tjera.

Alemanno thekson se përgjigjja e autoriteteve nuk duhet të kufizohet te menaxhimi i trazirave. Qeveritë duhet të mbrojnë protestuesit paqësorë, të mbajnë përgjegjës ata që kryejnë vepra penale dhe, mbi të gjitha, të adresojnë problemet që ushqejnë pakënaqësinë: koston e strehimit, pasigurinë në punë, mbingarkesën e shërbimeve publike dhe shqetësimet për të ardhmen.

Sfidë për institucionet demokratike mbetet shndërrimi i zemërimit qytetar në reforma konkrete. Nëse kërkesat vazhdojnë të mbeten pa përgjigje, pakënaqësia rrezikon të thellohet dhe protestat të bëhen një element i përsëritur i jetës politike evropiane.

Besueshmëria e qeverive nuk do të përcaktohet vetëm nga mënyra se si reagojnë ndaj trazirave, por nga aftësia e tyre për t’u ofruar qytetarëve zgjidhje reale dhe për të rikthyer besimin se institucionet mund të përmirësojnë jetën e tyre.

*Ashifa Kassam është korrespondente e ‘The Guardian’ për çështjet e komunitetit evropian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë