Mjedis

Ndryshimet klimatike po shkatërrojnë shtëpi në të gjithë Arktikun

Shtëpitë e plasaritura, rrugët e shkatërruara dhe tubacionet e këputura ka të ngjarë të bëhen të zakonshme në Arktik pasi temperaturat e ngrohta shkaktojnë shkrirjen e tokës së ngrirë.

Pesë milionë njerëz jetojnë në ngricën e përhershme të Arktikut, përfshirë rusë, amerikanë dhe skandinavë.

Ndryshimet klimatike po bëjnë që Arktiku të ngrohet dy deri në katër herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit.

"Toka po ndryshon në kohë rekord", tha një banor i Alaskës për BBC.

Shkencëtarët që studiuan Arktikun thonë se 70% e infrastrukturës është në rrezik të lartë të dëmtimit deri në vitin 2050, me kosto të parashikuar prej dhjetëra miliarda dollarë.

Studimi i publikuar të martën nënvizon sërish se si ndryshimi i klimës pritet të kërcënojë jetën si dhe botën natyrore.

"Të gjithë ato që jetojnë atje janë me të vërtetë duke luftuar, sidomos ato që janë duke jetuar në permafrost", thotë Sikuaq Erickson, ndërmjetës kulturor midis banorëve dhe institucioneve.

Permafrost përkufizohet si tokë që është ngrirë vazhdimisht për më shumë se dy vjet. Ajo mbulon rreth një të katërtën e sipërfaqes tokësore të hemisferës veriore, duke përfshirë gjysmën e tokës së Kanadasë dhe 80% të asaj të Alaskës.

Por temperaturat e ngrohta po bëjnë që pjesë të saj të shkrihen me efekte shpesh të paparashikueshme, duke përfshirë formimin e gropave, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet.

"Si vetë ndërtimi dhe ngrohja e klimës shkaktojnë shkrirjen e ngricave të përhershme, gjë që kërcënon infrastrukturën ekzistuese dhe projektet e ardhshme të ndërtimit", thotë Jan Hjort, studiues.

"Imagjinoni të jetoni në një bllok akulli dhe vazhdimisht të përpiqeni ta mbani atë të ngrirë", thotë Erickson kur shpjegon sfidat me të cilat përballen komunitetet e Alaskës.

Ndikon në gjithçka, nga përpjekja për të gërmuar themelet për një shtëpi, ose ndërtimi i një rruge të niveluar, deri te instalimi i sistemeve të kanalizimeve dhe ujit.

"Historikisht akulli qëndronte më i freskët, por tani po ngrohet shpejt", shpjegon ai.

Për shkak të mënyrës së pabarabartë që qeveria amerikane ndau tokën pas kolonizimit në shekujt 19 dhe 20, fshatrat indigjene tani kanë tokë të kufizuar dhe pak mundësi për të lëvizur pasi ajo bëhet e paqëndrueshme, shpjegon Erickson.

Ndërkohë, në Rusi, deri në 80% e ndërtesave janë dëmtuar në disa qytete të ndërtuara në ngrirje të përhershme dhe kjo po ndikon dhe në sigurinë ushqimore, stilin e jetesës tradicionale dhe cdo gjë tjetër.

Dhe ndërsa ngrohja e planetit parashikohet të përshpejtohet në vitet e ardhshme, ngrica e përhershme pritet të shkrihet më shumë, duke kërcënuar infrastrukturën dhe komunitetet akoma më shumë.

Sipas studimit, të paktën 120.000 ndërtesa, 40.000 km rrugë dhe 9.500 km tubacione, si dhe pista ajrore, ndodhen në zonat e përhershme të ngricave të hemisferës veriore.

"Nëse mendoni për Arktikun, i gjithë stabiliteti i peizazhit varet nga pragu i zero gradë Celsius dhe ndërsa temperatura e sipërfaqes i afrohet zeros, ne po shohim valë të mëdha problemesh", thotë gjeologia Louise Farquharson nga Universiteti i Fairbanks, Alaska.

Ajo thotë se për njerëzit që kanë jetuar për mijëra vjet aty është e vështirë të lëvizin.

Në vitin 2020, ndikimi katastrofik i ngrohjes së permafrostit ishte i qartë kur një derdhje e madhe e naftës shkaktoi një nga katastrofat më të këqija mjedisore të Rusisë.

Rreth 21,000 ton naftë u derdhën nga rezervuarët e magazinimit të Nikelit Norilsk në lumenj dhe liqene në veriun Arktik të Rusisë.

Studiuesit thonë se është e mundur për të trajtuar problemin duke përdorur dizajne të ndryshme ndërtesash ose duke u përpjekur për të mbajtur ngrirjen e përhershme por është e shtrenjtë dhe e rrezikshme.

"Shumica e shkencëtarëve pajtohen me idenë se zgjidhja e arsyeshme është të zvogëlojmë varësinë tonë nga gazrat serrë dhe në këtë mënyrë të ulim shkallët në të cilat planeti ynë do të ngrohet", sugjeron Poul Christoffersen, studiues në Institutin Kërkimor Scott Polar në Kembrixh.

"Ka qenë gjithmonë e vështirë të jetosh në Arktik. Ne kemi gjetur gjithmonë mënyra për të mbijetuar dhe do të vazhdojmë, por po bëhet më e vështirë për fëmijët tanë", shpjegon Erickson.

Shkencëtarët po analizojnë gjithashtu nga afër ngrirjen e përhershme për të vlerësuar se sa dioksid karboni i mbyllur brenda tokës së ngrirë lëshohet ndërsa ngrohet.

Hulumtimi është publikuar të martën në Nature Reviews Earth & Environment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë