Financa Personale

Ndikimi i COVID-19 në financat e familjeve- 70% e pritshmërive negative e gratë më të shqetësuarat

Rreth 70 për qind e shqiptarëve kanë pritshmëri negative përsa i takon ndikimit që do të ketë panemia e COVID-19 në financat e tyre për shkak të situatës së krijuar në gjithë zinxhirin ekonomik. Një anketë e IDRAPOLL nxorri në pah se gratë janë më të shqetësuar se burrat rreth kësaj situate.

“Rezultatet tregojnë se pritshmëria e qytetarëve të këtij kampioni është përgjithësisht negative. Rreth 70% e të anketuarave thonë që ndikimi mbi financat e familjeve të tyre do të jetë negativ. Në një vështrim më të thellë, pothuajse 1 ne 2 qytetarë (48%) thonë se ndikimi do të jetë “shumë negativ”. Ndërkohë, 22% e të anketuarve thonë se nuk presin ndonjë ndikim në financat e familjes nga kjo situatë kurse vetëm 8% deklarojnë se presin ndikim pozitiv.

Të dhënat tregojnë se pritshmëria është e ngjashme në proporcione si për ata që banojnë në zonat urbane dhe për ata në zonat rurale.

Gratë duken se janë më të shqetësuara se burrat në lidhje me ndikimin mbi financat familjare. “Rreth 76% e grave deklarojnë se situata do të ketë ndikim negativ kundrejt 68% të burrave”, vlerëson anketa.

IDRAPOLL sqaron se “të anketuarit janë kategorizuar në 3 grupe të mëdha sipas të ardhurave: të ulëta, mesatare, të larta (ky grupim bëhet përmes një pyetje indirekte që u drejtohet panelistëve në lidhje me aftësinë e blerjeve që kanë në muaj) dhe pastaj të dhënat janë kryqëzuar me përgjigjet e pyetjes mbi ndikimin e situatës në financat e familjes. Pothuajse të gjitha grupet deklarojnë pritshmëri negative por ka diferenca midis tyre.  Është interesante të shihet se ata që kategorizohen me “të ardhura mesatare” deklarojnë një pritshmëri më të madhe me ndikim negativ sesa ata që janë me “të ardhura të ulëta” (76% me 68% përkatësisht). Një tezë për t’a interpretuar këtë rezultat është ajo se nga informacioni i dalë në publik, duket se paketa e qeverisë për ekonominë në ketë situatë, nuk e trajton mjaftueshëm “shtresën e mesme” por ka një fokus më së shumti tek shtresa me të ardhura të ulëta (duke konsideruar edhe pagesën që sigurohet, e cila është në nivelin e pagës minimale)”

Një tjetër rezultat interesant është pritshmëria shumë negative e atyre që deklarohen si të vetëpunësuar. Rreth 94% e kësaj kategorie në anketë deklarojnë se financat familjare të tyre do të ndikohen negativisht (71% “shumë negativisht” dhe 23% “negativisht”). “Kjo shtresë është ndoshta më e prekura nga situata e masave kufizuese. Duke qenë se pyetjes së shtruar nga IDRAPOLL iu përgjigjën 47 të vetëpunësuar, i kujtojmë lexuesit se rezultatet që interpretojmë për këtë kategori janë indikativë dhe jo shumë solide nga pikëpamja statistikore” nënvizon anketa.

Kjo është e disata anketë e zhvilluar në kuadër së situatës së pandemisë. Kampioni i përftuar i anketës së fundit është N = 681 (pra, nr i individëve të anketuar është i barabartë me 681), i peshuar në lidhje me urbanitetin, qarkun, gjininë dhe moshën në mënyrë që rezultatet të jenë përfaqësuese për moshën 18-54 vjeç. Toleranca e gabimit për këtë kampion është 3.8%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë